Drejtori ekzekutiv në INDEP, Burim Ejupi, ka kritikuar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për mungesë monitorimi lidhur me kostot enorme që tregtarët e energjisë zbatuan ndaj KESCO-s për transport të energjisë elektrike nga importi. Kurse, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ejupi e ka vënë në faj, pasi ua ka ngarkuar këto kosto në tarifa qytetarëve.
“KOSTT i ka përgjegjesi se nuk e ka monitoru transmisionin, por problemi është edhe i ZRrE-së, kur na kanë shtrenjtu rrynën, nuk është deshtë me ia njoftë si shpenzim KESCO-s, koston deri në 800 euro për MWh për transport të energjisë”, ka thënë Ejupi për Radio Televizionin Dukagjini.
Sipas hulumtimit të publikuar në Buletini Ekonomik, në raste, çmimi për bartjen e vetëm një megavati rrymë përmes linjave Mali i Zi – Kosovë, nga kompania Noa Energy Trade, kishte shkuar deri në 800 euro për megavat/orë, ani pse çmimi me të cilin tregtarët i kishin blerë linjat në SEECAO ishte vetëm 1.11 euro për megavat/orë.
Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë
Në Zyrën e Koordinuar të Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), Kosova përfaqësohet nga KOSTT-i, që është njëri nga aksionarët në SEECAO, prej tetë operatorëve sa janë gjithsej nga Europa Juglindore. SEECAO është mekanizmi rajonal ku blihen përmes ankandeve kapacitetet ndërkufitare, apo linjat e transmisionit për bartjen e energjisë. Përveç çmimit të energjisë elektrike në bursë, një kosto tjetër që ngarkohet në çmim është edhe kostoja për transmision, apo bartjen e energjisë.
Buletini Ekonomik ka drejtuar pyetje në KOSTT për të kuptuar më shumë mbi rolin e përfaqësuesit të kësaj ndërmarrjeje në SEECAO dhe, më saktësisht, lidhur me “anomalitë” e shpërfaqura në çmimin për kapacitetet ndërkufitare gjatë vitit 2024. Përfaqësuese e KOSTT në SEECAO është Burbuqe Hasani, që është edhe anëtare bordi.
Sa i përket rolit të përfaqësueses Hasani në SEECAO, nga KOSTT kanë folur në terma përgjithësues.
“Znj. Burbuqe Hasani, si anëtare e Bordit të SEE CAO, ushtron detyrat në përputhje me statutin e kompanisë dhe është e angazhuar në mbikëqyrjen e funksionimit transparent dhe të drejtë të saj”.
Për “anomalitë” e shpërfaqura në kostot për bartje të energjisë përmes kompanisë Noa Energy Trade, nga KOSTT thonë se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në ankandet që organizon SEECAO, por sa i përket monitorimit se çka ka mundur të ndodhë realisht, ata kanë ‘drejtuar gishtin’ kah Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
“Çmimi për kapacitetet ndërkufitare përcaktohet nga ofertat tregtare përmes ankandeve dhe nuk ndikohet nga bordi apo operatorët e transmetimit, sipas parimeve të transparencës dhe mosndërhyrjes. Monitorimin e tregut të energjisë, përfshirë edhe tregun e kapaciteteve, e kryen Zyra e Rregullatorit për Energji”, thuhet në përgjigjet e KOSTT-it për Buletinin Ekonomik.
Nga ZRrE lidhur me këtë pretendim të KOSTT-it, jozyrtarisht kanë thënë se në asnjë rast gjatë vitit 2024, nuk kanë marrë sinjale nga KOSTT-i lidhur me “anomalitë” e shpërfaqura në çmimet për kapacitetet ndërkufitare, ani pse aty KOSTT është njëri nga aksionarët. Kurse, zyrtarisht përmes një përgjigje me shkrim, nga ZRrE thonë se janë duke zhvilluar një proces të detajuar monitorimi lidhur me blerjet me shumicë të energjisë elektrike në vend gjatë vitit të kaluar.
Ky hetim, sipas tyre, ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar. Detajet thonë se do t’i bëjnë publike përmes një raporti përkatës.
“Duke qenë se ky proces është ende në zhvillim e sipër dhe rezultatet përfundimtare do të publikohen përmes raportit përkatës, ZRRE-ja aktualisht është e kufizuar në dhënien e detajeve të ndërmjetme apo komentimin e të dhënave specifike. Pasi të finalizohet analiza dhe të publikohet raporti i monitorimit, të gjitha të gjeturat do të jenë në dispozicion të publikut në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në përgjigjet e tyre me shkrim.
Nga ana tjetër, nga KOSTT kanë dhënë detaje se si funksionojnë ankandet në SEECAO, duke hequr në secilin rast përgjegjësinë e tyre në raport me kostot e evidentuara.
“Çmimi për kapacitetet ndërkufitare të transmetimit nuk përcaktohet nga KOSTT apo ndonjë palë individuale, por është rezultat i ankandeve të organizuara nga Zyra e Koordinuar e Ankandeve (SEE CAO), sipas Rregullave të Harmonizuara të Alokimit dhe në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe Komunitetit të Energjisë. Çmimi margjinal përcaktohet nga oferta më e ulët e alokuar plotësisht ose pjesërisht në rastet kur kërkesa tejkalon kapacitetin e disponueshëm, ndërsa në rastet kur kërkesa është më e vogël ose e barabartë me kapacitetin, ai është zero. Ky çmim reflekton vlerën që tregtarët janë të gatshëm të paguajnë dhe rezulton nga një proces transparent e i automatizuar, pa ndikim nga operatorët e transmetimit. Kërkesa e lartë për import ose eksport të energjisë elektrike rrit çmimin margjinal të kapaciteteve”, thuhet në përgjigjen e KOSTT. /Buletini Ekonomik/









