Në përgjithësi, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të krijojnë mekanizma të qëndrueshëm dhe që u ofrojnë perspektivë afatgjate ekonomike dhe rehabilituese të kthyerve nga zonat e konfliktit.
Agon Sinanaj
Me tu kthyer nga Siria në Kosovë, A* e kishte kuptuar se një jetë e re po e priste në vendlindje. Në njërën anë “barra” e traumës si pjesëmarrës në një luftë, në anën tjetër, paragjykimet me të cilat u përballë nga komuniteti.
Pak nga droja e pak nga paragjykimet, A* thotë se nuk arriti të gjejë një punë në vitin e parë të kthimit në Kosovë. Kryesisht kishte provuar në sektorin privat, pasi, siç shprehet ai, për sektorin publik “as që kam provu”.
“Dikur e kuptova që duhet me i grah vet, e hapa një ‘fastfood”, tregon A, në një bisedë për BIRN, teksa shton se vetëm vetëpunësimi arriti ta nxjerrë nga gjendja e rëndë ekonomike familjen e tij 6-anëtarëshe.
“Klientela është rritur pas vitit të parë të punës. Fillova me mendu që ka qenë pak edhe faji im, që kam mendu se komuniteti nuk po më pranon. Me një fjalë, biznesi mi hapi sytë”.
Vështirësitë në punësim, sikurse ato me të cilat u përball A, janë evidente për të gjithë të rikthyerit në Kosovë nga zonat e konfliktit. Në përgjithësi, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ende të krijojnë mekanizma të qëndrueshëm dhe që u ofrojnë perspektivë afatgjate ekonomike dhe rehabilituese të kthyerve nga zonat e konfliktit.
Mungesa e perspektivës ekonomike dhe punësimit vlerësohet të jetë një pengesë kryesore për risocializim dhe riintegrim. Kjo potencohet edhe në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.
“Me gjithë përpjekjet e institucioneve shtetërore që të adresojnë të gjitha këto sfida, kryesisht ekonomike dhe sociale, ende ka ambient për zhvillim të faktorëve që shpien në ekstremizëm të dhunshëm”, thuhet në këtë dokument.
Punësimi vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore me të cilën përballen qytetarët e Kosovës në përgjithësi, edhe pas më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës. Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.7 për qind, duke e bërë Kosovën shtetin më të varfër në rajon dhe Evropë.
Por të rikthyerit nga zonat e konfliktit, kanë më shumë pengesa në rrugën e tyre për një jetë normale në Kosovë.
Pasiguria për të ardhmen
Tani për tani, familjet e riatdhesuara nga zonat e konfliktit e kanë të sigurt vendbanimin, si dhe të gjitha nevojat bazike që mund t’i kenë në procesin e riintegrimit. Për fëmijët ofrohet mbështetje me trajnime dhe asistencë për inkuadrimin në sistemin edukativo-arsimor, ndërsa për gratë, ofrohen grante të vogla për punësim dhe kurse për zanate të ndryshme.
Por është e paqartë sesa mund të zgjasë kjo ndihmë.
Pas ardhjes në Kosovë, këto familje janë bërë me automatizëm pjesë e skemave sociale. Ndihma nga sociali varion nga 50 deri në 150 euro. Mirëpo edhe kjo ndihmë modeste mund t’ju ndërpritet, pasi familja të fillojë riintegrimin në komunitet.
“Familja ime nuk merr ndihmë nga shteti, ndihma është ndërprerë pasi kam fillu punën”, tregon A*, përvojën e tij.
Në bazë të statistikave zyrtare, në Kosovë në formë të organizuar nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak janë riatdhesuar gjithsej 121 persona prej të cilëve 78 janë fëmijë, 33 gra dhe 10 burra. Kurse në formë vetanake janë kthyer 123 meshkuj, 6 gra dhe 6 fëmijë.
Asnjëri prej tyre nuk është i punësuar në sektorin publik. Në sektorin privat ka raste të rralla të atyre që edhe gjejnë një vend pune, por më shumë janë si të vetëpunësuar.
Sfidë, programet afatgjate për punësim
Përveç ndonjë iniciative ad-hoc nga organizatat joqeveritare, Buletini Ekonomik ka gjetur se në aspektin institucional mungojnë programe afatgjate që do të mundësonin punësim të qëndrueshëm.
Ta zëmë, në databazën e Agjencisë së Punësimit punëkërkues të regjistruar mund të ketë edhe nga kjo kategori, mirëpo kjo kalon pa u vërejtur nga stafi i kësaj agjencie. Thjesht nuk ekziston një mekanizëm identifikues. Për pasojë, të gjithë të riatdhesuarit në Kosovë nga kjo kategori, që regjistrohen si të papunë, lehtësisht mund të përjashtohen nga trajnimet e ndryshme për punësim.
Ky problem në dukje i vogël, por me peshë në riintegrimin social të kësaj kategorie, nuk do të ekzistonte sikur të kishte komunikim të mirëfilltë mes Zyrave për punësim nëpër komuna dhe departamenteve të Ministrisë së Punës.
“Nga puna jonë kemi vërejtur se ky komunikim mungon tërësisht në të gjitha institucionet”, thuhet në raportin “Vlerësimi Bazë për Shërbimin Sprovues të Kosovës”, të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Sipas këtij raporti, kjo situatë e ka një shpjegim të thjeshtë.
“Në përgjithësi mungon një qasje e institucionalizuar karshi trajtimit të kësaj kategorie nga institucionet në Kosovë. Edhe ato veprime që ndërmerren, më shumë janë ad-hoc dhe kanë të bëjnë me projekte të organizatave apo grante të vogla nga niveli qendror”.
Nga Agjencia për Punësim e Republikës së Kosovës (APRK) e kanë konfirmuar se shërbimet e punësimit nuk posedojnë të dhëna të kategorizuara për personat e riatdhësuar nga zonat e luftës apo të ekspozuar ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
“Në rast se individët e tillë paraqiten për të kërkuar punë apo për të përfituar nga masat aktive të tregut të punës, ata trajtohen si të gjithë qytetarët e tjerë në përputhje me kriteret dhe mundësitë e ofruara nga programet në fuqi”, thuhet në përgjigjet e kësaj agjencie.
Të kthyerit nga zonat e konfliktit përballen me paragjykime
Edhe pse nuk e thotë prerazi, A* pranon se paragjykimet për të kaluarën e tij janë evidente dhe pengesë reale në punësim.
“Kam degjuar raste që punëdhënësi me të kuptuar të kaluarën e punëtorit ka dashur ta largojë nga puna”.
Ndërsa në sektorin publik, punësimi është thuajse i pamundur për shkak të dy arsyeve kryesore.
“Vështirësi në punësim në sektorin publik ka për arsye që veshja e tyre nuk është në koordinim me kodin e veshjes të përcaktuar dhe nuk mund të pajisen me vërtetimin e të kaluarës kriminale as të gjykatës e as të policisë”, thuhet në një përgjigje për Buletinin Ekonomik nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në kuadër të kësaj ministrie tashmë funksionon një divizion i veçantë që merret me personat e riatdhesuar dhe të ekspozuar ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Sidoqoftë, në mandatin e Divizionit për Parandalim dhe Riintegrim të personave të radikalizuar (DPRPR) nuk është punësimi i drejtpërdrejtë i këtyre personave. Vizioni strategjik i këtij departamenti është që të rikthyerit të vetëpunësohen. Mandati i divizionit më shumë është “lehtësues”.
“Deri më tani jemi në dialog me dy kompani nga sektori privat për punësim të 12 grave të cilat kanë përfunduar trajnimet profesionale dhe janë të gatshme të kontribuojnë për tregun e punës së kërkuar nga kompanitë”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.
Meqë shumica e këtyre familjeve jetojnë në vendet rurale dhe punësimi është më i vështirë, prandaj edhe fokusi i tyre është në vetëpunësim. Mirëpo ndihma nga shteti edhe në këtë rast është solide. Deri më tani nga Ministria e Brendshme janë dhënë 58 grante të vogla, kryesisht në hapjen e bizneseve të vogla.
Edhe nga Sherbimi Sprovues i Kosovës thonë se punësimi i tyre mbetet sfidë për shkak të paragjykimeve. Adem Shala, nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, thotë se SHSK ka në evidencë persona të kësaj kateogrie që janë integruar në tregun e punës pas lirimit, por sipas tij, nuk disponon të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Ai pranon se e kaluara e tyre mbetet një pengesë evidente në punësim.
“Procesi i punësimit shpesh shoqërohet më vështirësi dhe paragjykime të lidhura me të kaluarën e tyre, vecanërisht për ata që kanë qenë të përfshirë në konflikte apo janë përceptuar si të lidhur me ideologji radikale”, shton Shala.
Sfidë kryesore mbetet mungesa e mbështetjes familjare, sidomos për gratë e rikthyera nga zonat e luftës që janë pa bashkëshort dhe nuk janë pranuar nga familjaret e tyre. Kjo sjell izolim shoqëror dhe vështirësi në strehim, pavarësisht ndihmës shtetërore në disa raste.
Shërbimi Sprovues, ana tjetër e medaljes
Kosova i ka të aprovuara dy dokumente që e rregullojnë fushëveprimin e institucioneve karshi kësaj kategorie: Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.
Strategjia përshkruan, ndër të tjera, tre masa praktike për riintegrimin: ofrimin e “këshillimit psikologjik dhe fetar për të burgosurit në lidhje me aktivitetet e paligjshme të lidhura me ekstremizmin”, ofrimin e “mbështetjes sociale për familjet e tyre” dhe “zhvillimin e programeve të reja të punësimit ose metodave tjera të riintegrimit të individëve të deradikalizuar në shoqëri”.
Sipas një raporti për vitin 2018 të përgatitur nga Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës pranë Zyrës së Kryeministrit, objektivi i deradikalizimit dhe riintegrimit të personave të radikalizuar ka shkallën më të ulët të zbatimit krahasuar me tre objektivat e tjerë, me vetëm 36% të aktiviteteve të parapara të zbatuara. Për më tepër, raporti vëren se janë zbatuar vetëm katër nga 11 aktivitetet e planifikuara.
Dy mekanizmat kryesor që kanë rol kryesor në zbatimin e kësaj strategjie janë Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës (SHSK), që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas raporteve të organizatave të ndryshme, në të dy këto institucione, sidomos në Shërbimin Sprovues, mungon stafi i trajnuar profesionalisht për trajtimin e personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Sipas një raporti të hartuar nga QKSS, sidomos Shërbimi Sprovues ka mungesë të stafit të trajnuar dhe i mungon një buxhet specifik për këto raste. Rëndësia e këtij institucioni është tejet e madhe pasi në mandatin e saj hyjnë të gjithë personat e liruar me kusht dhe që kanë dënime alternative. Pra puna e SHSK-së ka të bëjë drejtpërdrejtë me riintegrimin në komunitet të të kthyerve.
“Shërbimi Sprovues përballet me mungesë të stafit për kryerjen e punëve sipas mandatit ligjor. Kjo i limiton mundësitë që individët e dënuar për terrorizëm të trajtohen profesionalisht nga ana e ShSK-së, për shkak të mungesës së stafit të specializuar për këto raste”, thuhet në raportin “Vlerësimi Bazë për Shërbimin Sprovues të Kosovës”.
Aktualisht, në SHSK punojnë gjithsej 65 punonjës kurse me trajtimin e të dënuarve apo të liruarve më kusht, duke përfshirë edhe ata për terrorizëm, merren rreth 40 zyrtarë.
“Përgjatë viteve, numri i rasteve për trajtim në SHSK është rritur vazhdimisht, por kjo nuk është përcjellë edhe me rritjen e stafit për këtë institucion. Përkundër planeve të Qeverisë së Kosovës për shtimin e numrit të stafit për SHSK-në, ende nuk është bërë ndonjë veprim konkret”, thuhet në këtë raport.
Në anën tjetër, pak më mirë qëndron Shërbimi Korrektues, institucion ky që merret me të burgosurit brenda burgjeve. Një numër jo i vogël i atyre që kthehen në Kosovë nga zonat e konfliktit, gjenden nëpër burgje, si të dënuar.
Për këto raste, SHKK ka krijuar një njësi të veçantë brenda burgjeve me staf të trajnuar. Vetëm gjatë vitit 2021 janë trajnuar 46 zyrtarë të SHKK-së, ndërsa në kuadër të projektit të KE këtë vit janë trajnuar 18 zyrtarë të cilët punojnë me këtë kategori të burgosurve si dhe 23 zyrtarë nga burgjet tjera.
Adem Shala, nga Shërbimi Sprovues i Kosovës, thotë se nga gjithsej 63 punonjës, 32 janë zyrtarë sprovues, të cilët punojnë direkt më të dënuar me masa alternative. “Shumica prej tyre kanë marrë trajnime specifike mbi cështjet e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Zyrtarët e punë suar rishtazi ende nuk kanë ndjekur trajnime të specializuara, por planifikohet që edhe ata t’i ndjekin”. /Buletini Ekonomik/












