Si pasojë e mungesës së institucioneve më të rëndësishme të shtetit, Kosova tashmë tejdukshëm ka mbetur pas në garën për dhjetëra miliona euro të Bashkimit Evropian. Shtetet e rajonit (edhe ato fqinje), për dallim nga Kosova, kanë nisur të përfitojnë nga fondet e BE-së. Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit, pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që ka njoftuar se ka marrë financimet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë euro. Nga Plani i Rritjes, që mbulon periudhën nga viti 2024 deri më 2027, siç është thënë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro. Mbi 250 milionë do të jepen grande pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie të butë. Ndërsa, pjesa prej 7 për qind si para-financim, që tashmë u është dhënë 4 vendeve ballkanike, për Kosovën i bie të jetë rreth 61 milionë euro.
Buletini Ekonomik
Ngërçi institucional në Kosovë si rrjedhojë e prolongimit të stërzgjatur të institucioneve më të rëndësishme të vendit (Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës), ka shpërfaqë sheshit kaherë pasojat evidente financiare që janë duke iu shkaktuar vendit. Bllokada politike pas zgjedhjeve parlamentare, veç tjerash, po i kushton vendit miliona euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Si pasojë e mungesës së institucioneve më të rëndësishme të shtetit, Kosova tashmë tejdukshëm ka mbetur pas në garën për dhjetëra miliona euro të Bashkimit Evropian. Shtetet e rajonit (edhe ato fqinje), për dallim nga Kosova, tashmë kanë nisur të përfitojnë nga fondet e BE-së. Paketa 6 miliardë euro, siç dihet, është miratuar në fund të vitit 2023. Planet kanë qenë që shpërndarja e tyre të niste në fund të vitit të kaluar, por është shtyrë për disa muaj. Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit, pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që ka njoftuar se ka marrë financimet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë euro. Ndërsa, në Kosovë, që para zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.
Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave. Nga Plani i Rritjes, që mbulon periudhën nga viti 2024 deri më 2027, siç shtë thënë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro. Mbi 250 milionë do të jepen grande pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formë kredie të butë. Pjesa prej 7% si para-financim, që tashmë u është dhënë 4 vendeve ballkanike, për Kosovën i bie të jetë rreth 61 milionë euro.
Financimet synojnë përafrimin e 6 ekonomive ballkanike me atë të BE-së, ku të gjithë synojnë të anëtarësohen. Por, Kosova akoma duket të jetë goxha larg mundësive për të gëzuar këto mjete të dedikuara nga Plani i Rritjes të BE-së. Sipas Programit të Projektligjeve të Qeverisë, siç raportojnë sot mediet kosovare, më shumë se 35 projektligje do të duhej të procedoheshin për shqyrtim e miratim në Kuvend para 30 qershorit. Por, me situatën aktuale në Kuvend, nuk dihet fati i tyre. Derisa bllokada vijon edhe në muajin e shtatë të 2025-tës, organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit vlerësojnë se ky vit veçse është i dështuar në aspektin legjislativ dhe të mbikëqyrjes. Vendimet e fundit të Kuvendit datojnë nga fillimi i dhjetorit 2024, shumica prej të cilave janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.
Më shumë se 35 projektligje do të duhej të miratoheshin nga Qeveria dhe t’i dërgoheshin për shqyrtim Kuvendit, para datës 30 qershor. Sipas Programit të Projektligjeve të Qeverisë 2025-27, deri në fund të muajit të kaluar do të duhej të ishin miratuar në ekzekutiv draftet e ligjeve si: ai i Punës, Kodi Civil, ai për Këshillin Gjyqësor dhe ai për Këshillin Prokurorial, për avokatinë, për mbrojtjen e konkurrencës, për energjinë dhe për energjinë elektrike, etj.
Bllokada në raport me themelimin e legjislaturës së re të Kuvendit – rrjedhimisht Qeverisë së re – sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, përtej “dëmtimit të rendit kushtetues”, ndikon në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Pasojat e mos-konstituimit të Kuvendit janë jashtëzakonisht të mëdha dhe që prekin jetën e qytetarëve. Janë mbi 10 marrëveshje ndërkombëtare që presin të ratifikohen”, kanë alarmuar për medie zyrtarë të IKD-së, duke theksuar se mbetja pezull e një mori ligjesh ka pasoja financiare.
Në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësojnë se ky vit veçse është çuar dëm.
Tashmë, pasojat e tejdukshme të ngërçit institucional në Kosovë kanë zënë t’i trajtojnë edhe mediet ndërkombëtare. Duke trajtuar pasojat e bllokimit të Kuvendit, gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, sot shkruan se “ndërsa inflacioni u rrit në 4.3 përqind në qershor, niveli më i lartë në dy vjet, asnjë legjislacion nuk është miratuar, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk është ratifikuar, asnjë fond i miratuar dhe asnjë pozicion udhëheqës vakant në institucionet shtetërore nuk është plotësuar për më shumë se gjysmë viti”.
Megjithë faktin që për mungesën e institucioneve më të rëndësishme të vendit, fajësohet jo pak, dhe jo vetëm nga subjektet politike opozitare, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes. Ai, gjatë takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së Bashkimit Europian të mbajtur në Shkup në fillim të këtij muaji, ka kërkuar që Kosovës t’i garantohet qasje e barabartë në programet dhe instrumentet e Bashkimit Europian. Kurti e ka vlerësuar Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian si një hap të rëndësishëm, duke theksuar se mbështetja e BE-së për vendet e rajonit duhet të jetë në përputhje me përkushtimin e tyre ndaj reformave, progresit demokratik dhe vlerave të përbashkëta europiane. Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë takimit, Kurti ka rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për nismat e BE-së në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë turizmin, mbrojtjen e konsumatorit dhe “Autostradën e Tregut të Përbashkët”.
Në anën tjetër, Komisioni Europian ka bërë të ditur se gjatë takimit në Shkup me liderët e shteteve të Ballkanit Pereëndimor, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka inkurajuar Kosovën të përshpejtojë procesin e miratimit për vënien në fuqi të marrëveshjeve të Instrumentit dhe Huasë për të zhbllokuar parafinancimin. Komisioni ka theksuar se deri më tani, pagesat e parafinancimit janë bërë për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Gjatë takimit, Komisionerja Kos kujtoi se ky instrument ka nevojë për drejtim dhe pronësi të qëndrueshme dhe të fortë nga udhëheqësit politikë për të siguruar zbatim të shpejtë dhe të plotë. Kjo do të përshpejtojë rritjen e partnerëve tanë dhe do të sigurojë që ata të përparojnë në rrugën e tyre të pranimit në BE”, thuhet në njoftim.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, kishte thënë gjatë takimit me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor se “është krejtësisht në duart e tyre që të implementojnë reformat si hap për të përfituar nga Plani i Rritjes.
“Plani i Rritjes sjell përfitime sociale për qytetarët për Maqedoninë e Veriut dhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor para pranimit në BE, siç është thënë në deklaratën e përbashkët të liderëve më 1 korrik 2025. Kjo është përgjegjësia juaj që të implementohet për benefitet e shtetasve tuaj dhe bizneseve dhe sigurisht BE-ja do të ndihmojë”, kishte thënë Kos pas takimit, në ditën e parë të korrikut.
Plani i Rritjes për Kosovën, siç u tha më lartë, përfshin përfitimin e 882 milionë eurove që janë përcaktuar për vendin tonë deri në vitin 2027. Ndërsa, shfrytëzimi i këtyre mjeteve financiare është “në duart e politikanëve të Kosovës”, të cilët me prolongimin e stërzgjatur të themelimit të Kuvendit, sikur po dëshmojnë se nuk janë të vetëdijshëm për dëmin kolosal që po ia shkaktojnë vendit të tyre. /Buletini Ekonomik/









