Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) është ankuar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Komerciale (Shkalla e Parë), i cili e ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për bizneset.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ZRrE-ja ka ushtruar ankesë në shkallën e dytë të Komerciales, duke kërkuar që të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë që ka vendosur masës pezulluese ndaj vendimit të ZRrE-së.
Aktgjykimi i Komerciales për pezullimi i vendimi për liberalizim të tregut është zbatuar menjëherë, duke ndalur përkohësisht procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për të gjitha bizneset.
Burimet e gazetës kanë bërë me dije se Apeli është duke e shqyrtuar ankesën e ZRrE-së.
Sipas burimit në fjalë, brenda pak dite do të dihet nëse kjo gjykatë do të do të konfirmojë apo do të rrëzojë masën pezulluese deri në vendimin përfundimtar lidhur me kontestin kryesor.
Nëse masa pezulluese do të refuzohej dhe vendimet e ZRrE-së do të mbesin në fuqi, bizneset e Kosovës pritet të ballafaqohem me vështirësi të mëdha.
Në këtë mënyrë, ato do të detyrohen urgjentisht të rikthehen në tregun e lirë të energjisë, i cili aktualisht është tejet i pafavorshme për bizneset.
Kjo pasi në muajin qershor çmimet energjisë të ofruara nga furnizuesit ishin dyfish më të larta se çmimet në tregun e rregulluar.
Masa pezulluese e vendosur nga Shkalla e Parë e Komerciales nuk synon të ndalë procesin e liberalizimit të tregut.
Ajo ka për qëllim të sigurojë një tranzicion të drejtë, në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe të mbrojtjes së konsumatorit.
Refuzimi i masës pezulluese do t’i vendoste këto biznese në pozitë të pabarabartë në raport me konsumatorë më të mëdhenj, duke cenuar konkurrencën. Madje, disa prej tyre mund t`i shtyjë drejt falimentimit
Të gjitha bizneset kanë bërë me dije kalimi i njëanshëm dhe i menjëhershëm në tregun e lirë pa infrastrukturë mbrojtëse dhe pa kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konsumatorëve do të përbënte cenim të drejtpërdrejtë të sigurisë energjetike dhe barazisë në treg.
Deri me tani Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) nuk ka dhënë asnjë detaje në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale, i cili e ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për bizneset.
Ndonëse për disa ditë mediat kanë kërkuar sqarime se si do të veprohet me këtë aktgjykim, ZRrE-ja ka heshtur, duke mos dhënë asnjë informacion zyrtar.
Vendimi i ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Ky vendim kishte paraparë që kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të detyruara që të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga data 1 qershor.
Megjithatë, kompanive që nuk kishin arritur të lidhin kontrata me një furnizues u kishte dhënë edhe një mundësi që me energji të furnizoheshin KEK-u.
Kjo mundësi parashihe të shfrytëzohej vetëm për një periudhë 60-ditore.
Periudha në fjalë ka skaduar më 31 korrik.
Para një jave, Gjykatës Komerciale kishte vendosur që vendimi i ZRrE-së për daljen e bizneseve në treg të lirë të pezullohej deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.









