Në dekadën e fundit, sidomos që nga 2019-ta, në KEK, praktikisht, nuk është realizuar, madje as nuk është nisur asnjë projekt i ri energjetik, qoftë nga qymyri, qoftë nga burimet alternative të energjisë elektrike. Ka pasur nisma, ka pasur ide dhe vizione, por nuk ka pasur vepra.
Mehmet GJATA
KEK-u, zyrtarët kompetentë, inxhinierët e shumtë dhe vendimmarrës të tjerë të kompanisë më të madhe energjetike të vendit, përgjegjës për zhvillimet elektroenergjetike në dekadën e fundit, sidomos që nga 2019, janë treguar të pazotë, të pashkathët, indolentë dhe indiferentë karrshi investimeve-ndërtimit të projekteve të reja energjetike dhe instalimit të stabilimenteve më moderne në kapacitetet e stërvjetruara ekzistuese. Më konkretisht, në këto vite, praktikisht nuk është realizuar, madje as nuk është nisur asnjë projekt i ri energjetik, qoftë nga qymyri, qoftë nga burimet alternative të energjisë elektrike. Ka pasur nisma, ka pasur ide dhe vizione, por nuk ka pasur vepra.
Nga autoritetet e KEK-ut ka vite që premtohet instalimi i elektrofiltrave në termocentralet Kosova B. Shpresohej se sivjet, më 2025-tën, pas shtyrjeve të panumërta që nga 2019-ta, më në fund do të nis realizimi i këtij projekti aq të rëndësishëm për ta zbutur në masë të madhe ndotjen në kryeqytet dhe në vendbanimet nën termocentrale dhe përreth Obiliqit, por, më në fund është bërë e ditur që edhe sivjet nuk do të nisin punët për instalimin e elektrofiltrave në termocentralet Kosova B. Dhe për pasojë, edhe më tutje problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës ekzistent që moti, herë më i madh e herë më i vogël, do të vështirësojë jetën e qytetarëve, sidomos të fshatrave nën dhe përreth termocentraleve.
Asnjëherë KEK-u nuk ka shpjeguar shkaqet e vërteta të shtyrjes vit për vit, që nga 2019-ta të këtij projekti kaq të rëndësishëm. Projekti i instalimit të elektrofiltrave në termocentralin Kosova B, ishte inicuar që nga viti 2019. Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së, është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmes fondeve IPA, për çka BE-ja kishte zotuar goxha para (76, 4 milionë euro). Mirëpo, për shkak të shtyrjeve të vazhdueshme, nga viti në vit, tashmë, thuaja se është bërë i diskutueshëm, dhe shumë ekspertë të KEK-ut frigohen se vonesat e deritashme do ta zbehin interesimin e BE-së për të realizuar zotimet financiare për projektin.
Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021, ndërsa si arsye është përmendur pamdemia COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023. Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024. Në vitin e kaluar u bë shtyrje e sërishme, duke e paraparë 20 prillin e 2025-tës si vit të nisjes së domosdoshme të realizimit të projektit, dhe prap nuk u bë nisja e punëve për vendosjen e elektrofiltrave të shumëpritur. Sipas zyrtarëve të KEK-ut, projekti për ndërrrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” së fundmi është shtyrë me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit. Ndërsa, në KEK i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ata, siç u është kërkuar, që në vitin e kaluar, i kanë kryer të gjitha punët e kërkuara rreth projektit. Janë përmbyllur intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, që nuk ishin paraparë fillimisht dhe që më pastaj doli të jetë parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Por, zyrtarë të KEK-ut, pohojnë se respektojnë kërkesën e investitorit të këtij projekti, dhe presin që nëse nuk ndodhë në ndërkohë ndonjë e papritur, ta fillojnë ndërrimin e elektrofiltrave në vitin 2026.
Ndërsa inxhinierë dhe ekspertë brenda KEK-ut, duke kërkuar anonimitetin, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se, megjithë këto zhvillime, për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për mbarë vendin, kanë munguar insistimet e zyrtarëve dhe vendimmarrëve të KEK-ut. Ata nuk kanë qenë as për së afërmi mjaftueshëm kërkues dhe nuk kanë treguar ndonjë vendosmëri për ta azhuruar te BE-ja financimin e projektit të premtuar sipas një afati. Ndërsa, me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali, tashmë i vlerësuar si i vjetër dhe relativisht i amortizuar. Ndërkohë, një tjetër projekt, ai i ndërtimit të një kapaciteti solar 100 megavatësh në tokat e KEK-ut, të inicuar dhe i përfolur për t’u nisur që më 2022, tani sikur është harruar fare. Asnjë veprim konkret nuk është bërë për ndërimin e kapacitetit solar që nga iniciativa e bërë publike më 2022.
Në janar të 2022-tës, saktësisht, ishte paraparë që ky stabiliment për prodhimin e energjisë elektrike në bazë të diellit, të ndërtohet në deponinë e hirit të termocentraleve Kosova A, tokë që në sipërfaqe goxha të madhe është djerrë. Kjo nismë, e bërë atëherë publike edhe nga mediet kosovare dhe nga udhëheqja e KEK-ut, u vlerësua nga opinioni dhe nga ekspertët si një ide e mirë, e qëlluar dhe u mirëpritë dhe u përshëndet me dashamirësi gjithandej në opinionin e vendit. Një projekt i përmasave të këtilla ishte i mirëseardhur edhe për shkakun se kriza energjetike më 2022 ishte shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, dhe Kosovës i nevojitej një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Prandaj, opinioni kërkonte që ideja e KEK-ut të nisë të jetësohet sa më parë, madje me urgjencë, duke insistuar që të përfundojnë sa më shpejtë të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë vendosja e paneleve solare në tokat e KEK-ut, që vinte sikur e porositur për këtë dedikim.
Por, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u, i parashikuar të ndërtohet në tokat e KEK-ut me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), dhe me një kosto ndjeshëm më të vogël se sa kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, për gjithë këtë kohë, që nga janari i 2022-tës, u hesht pashpjegueshëm. U heshtë për gjithë këta muaj edhe pse nga njohës të ecurive energjetike në vend, u vlerësua se nisma ishte e mirëseardhur edhe për të shërbyer si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare, edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës.
Duhet thënë se sipas ekspertëve, por edhe përvojave të avancuara të ndërtimit të solareve në rajon dhe në botë, ky kapacitet elektroenergjetik do të duhej të ndërtohej patjetër dhe shpejtë. KEK-u i ka pasur të gjitha parakushtet reale për ta ndërtuar solarën e vetme në Kosovë, ka pasur edhe paratë e nevojshme. Ka pasur edhe mundësi financiare.
KEK-u, pra, me mjete të veta do të mund të finalizonte këtë impiant solar. Paratë e realizuara nga eksporti i tepricave (gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të KEK-ut, janë realizuar diku mbi 117 milionë euro), shumë më mirë do të ishte të destinohen në realizimin e projektit të përmendur. Para për këtë projekt, fundja ka pasur edhe Kosova, dhe është e pabesueshme që shteti nuk do t’ia huazonte këtë shumë parash për solaren e inicuar.
Këto janë vetëm disa nga huqjet investive në KEK. Me këtë rast nuk po radhisim prolongimin pa asnjë sqarim të modernizimit të turbinës së bllokut B1 të termocentraleve Kosova B për vitin e ardhshëm, ndërkohë që ishte paraparë që kjo punë të nisë në këtë vit, me t’u përbyllur punët në modernizimin e turbinës në bllokun B2. Nuk po përmendim as mungesën e investimeve në rehabilitimin e hapësirave brenda territorit të administruar nga KEK-u, të rehabilitimit të ambienteve brenda dhe jashtë termocentraleve etj. Ndërkohë, nga KEK vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth këtyre çështjeve. Nuk kanë kthyer përgjigje as në pyetjen konkrete, të bërë para disa javësh “pse fitohet përshtypja në publik se KEK-u, zyrtarët e kësaj koorporate nuk janë mjaft kërkues dhe as të vendosur për nisma të këtilla, pra për të ndërtuar ndonjë kapacitet të energjisë ripërtëritshme, që do të bëhej më shpejtë dhe më me pak para, siç do të ishte projekti solar në tokat e KEK-ut?”. /Buletini Ekonomik/









