KEK-u vazhdon të emërojë edhe më tutje ushtrues detyre të udhëheqjes

Në javën e kaluar, siç raportojnë mediet e vendit, KEK-u ka emëruar Januz Saraqin ushtrues detyre në këtë vend udhëheqës. Së fundmi në KEK ushtrues detyre është emëruar edhe Drejtori Operativ i Termocentraleve dhe Minierës sipërfaqësore të thëngjillit. Ndërsa, njohësit e ligjeve, por edhe përfaqësues të asociacioneve të drejtësisë e shoqërisë civile kanë thënë jo një herë se funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre të shumë drejtorëve, e veçmas të njeriut të parë të Korporatës, përbën shkelje të ligjit për zyrtarë publikë, i cili përcakton periudhën prej një viti si maksimum për funksionimin me ushtrues detyre.

Mehmet GJATA

Pas shkarkimit të Ramadan Ahmetit nga pozita e drejtorit të termocentraleve Kosova B, Korporata Energjetike e Kosovës, pa vonuar, në javën e kaluar, siç raportojnë mediet e vendit, ka emëruar Januz Saraqin ushtrues detyre në këtë vend udhëheqës. Raportohet se ky është vendim, praktikisht, i ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, i cili e ka caktuar Saraqin si ushtrues detyre të drejtorit të termocentraleve Kosova B.

Reklama e sponzorizuar

Së fundmi në KEK ushtrues detyre është emëruar edhe Drejtori Operativ i Termocentraleve dhe Minierës sipërfaqësore të thëngjillit. Këto pozicione të reja me ushtrues detyre të drejtorëve në KEK vetëm sa kanë vazhduar praktikën e deritashme në këto vitet e fundit, sidomos gjatë qeverisjes së Qeverisë Kurti 2, që në Korporatën Energjetike të Kosovës, vendet udhëheqëse, drejtorët pra, duke filluar që nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, të dominohen absolutisht nga ushtrues detyre.

Ndërkohë, kjo praktikë e KEK-ut është kritikuar zëshëm disa herë nga ekspertë dhe asociacione të ndryshme, të cilat kanë vënë në pah, në këto raste, konkluzionet se “funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre mbi një vjet përbën shkelje të ligjit për zyrtarë publikë dhe ndikon në performancë”.

“Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike pa kryeshef ekzekutiv me mandat të plotë apo me një ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv ndikon në performancën e ndërmarrjeve, veçmas të atyre të mëdha sikurse që është Korporata Energjetike e Kosovës, e cila qarkullon miliona euro gjatë një viti dhe në të cilën pritjet janë që një kryeshef ekzekutiv, përveç punëve ditore, të zbatojë edhe një strategji afatmesme apo afatgjate me reforma dhe masa që synojnë të përmirësojnë pozicionimin e ndërmarrjes”, kanë thënë më herët në Institutin GAP.

Ndërsa, njohësit e ligjeve, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë jo një herë se funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre të njeriut të parë të Korporatës përbën shkelje të ligjit për zyrtarë publikë, i cili përcakton periudhën prej një viti si maksimum për funksionimin me ushtrues detyre.

Zyrtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi kanë theksuar për medie pasojat e kësaj situate: “Çdo institucion publik, çdo agjenci e pavarur, nëse udhëheqësi i saj kryesor administrativ është mbi një vit ushtrues detyre, kjo nënkupton që i njëjti nuk ka të drejtë të nënshkruajë asnjë dokument, asnjë proces të rekrutimit, tender apo çështje të tjera, derisa të zgjidhet udhëheqësi i ri në bazë të konkursit të bazuar në meritokraci”, kanë thënë ata.

Në mars të këtij viti edhe Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e thellë me zhvillimet e fundit rreth procesit të funksionimit të pozitës së Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjet publike si KEK dhe Trepça me ushtrues detyre. CorrWatch theksonte se “po përcjell me vëmendje ndryshimet e shpeshta të të përzgjedhurve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjet publike – me fokus të veçantë tek KEK-u dhe Trepça. Është e papranueshme që këto ndërmarrje të cilat për shkak të sektorëve të operimit, si dhe rëndësisë ekonomike të tyre, të funksionojnë me ushtrues detyre”, thonë ata në reagim.

Sipas CorrWatch, Kodi i Etikës dhe Qeverisjes Korporative të Ndërmarrjeve Publike (tutje: Kodi) e thotë qartë se “Kryeshefi Ekzekutiv është pozita më e rëndësishme në Ndërmarrje. Ky është personi i cili duhet të udhëheqë menaxherët e lartë dhe kështu në mënyrë kolektive, ata menaxhojnë Ndërmarrjen të arrijë sukses në implementimin e planit të biznesit”. Përtej kësaj, ata sqarojnë se Kodi përcakton qartë një mori përgjegjësish dhe kompetencash të ndërlidhura me këtë pozitë. Ndër to, Kryeshefi duhet të sigurohet për përpilimin e caqeve strategjike, të sigurojë rritjen fitimprurëse të Ndërmarrjes dhe arritjen e objektivave të biznesit.

Në reagimin publik të CorrWatch thuhet se mos pasja e mandatit të plotë, ashtu siç përcakton Ligji për ndërmarrjet publike dhe Kodi, ka pasur edhe pasojat e veta në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve publike, të cilat janë reflektuar në dështim për të arritur objektivat strategjike dhe përmbushjen e planit të biznesit. Siç thonë ata, ushtrimi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv pa një mandat të plotë vë në rrezik operimin ekonomik jo vetëm për ndërmarrjet në fjalë, por edhe të ekonomisë në përgjithësi, për shkak të sektorëve kritikë të operimit të këtyre dy ndërmarrjeve. “Përmes këtyre lëvizjeve po krijohet një praktikë e keqe e qeverisjes korporative e cila mund të sjellë pasoja të mëdha në ekonominë e vendit. Andaj, përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon përzgjedhjen me mandat të plotë të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut dhe Trepçës”, thuhet në fund të reagimit CorrWatch.

Të rikujtojmë se në krye të KEK-ut, në këtë periudhë (2020–2025) kanë qenë Njazi Thaçi, Lugj Imeri, Nagip Krasniqi, ndërsa që nga arrestimi i tij nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi (19 prill të 2023-s), për gati 1 vit detyrën e kryeshefit e ushtroi Përparim Kabashi. Ndërsa në shkurt të vitit 2024, ushtrues detyre i ri ishte emëruar Bekir Gërguri, i cili, siç thuhet, ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamble në Komunën e Fushë-Kosovës.

Ndërkohë, Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, në shkurt të këtij viti (2025), ka liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv Bekir Gërguri dhe ushtruesin e detyrës të zëvendëskryeshefit ekzekutiv, Ramadan Budakova. Me këtë rast u mor vendim që Gramos Hashani ta ushtrojë detyrën e kryeshefit ekzekutiv deri në emërimin e një të riu, ndërsa Gëzim Paci do të jetë përkohësisht zyrtar kryesor financiar dhe i thesarit, dhe menaxhmenti është udhëzuar ta hapë konkursin për kryeshef ekzekutiv më 3 mars 2025. Në këtë mënyrë, KEK-u udhëhiqet me ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv që kur u arrestua Nagip Krasniqi, në prill të vitit 2023.

Ka vërejtje të shumta edhe në përzgjedhjen e diskutueshme të shumë drejtorëve të padëshmuar profesionalisht në krye të KEK-ut dhe në ndërrimin tepër të shpeshtë të drejtorëve menaxhues dhe të bordeve të drejtorëve. Sipas burimeve të besueshme të Buletinit Ekonomik, nga viti 2020 deri në 2025, brenda pesë vjetësh janë ndërruar 7 drejtorë menaxhues në KEK (drejtorë të përgjithshëm) dhe të gjitha bordet ekzistuese me ardhjen e drejtorëve të rinj menaxhues kanë pësuar ndryshime të pjesshme, por edhe disa më radikale.

Dhe krejt në fund, në bazë të të dhënave të shpërfaqura ndër vite, del që 25 vjet pas çlirimit janë të humbura për energjetikën e Kosovës. Gjithsesi, për huqjet dhe mosrealizimin e premtimeve zhvillimore në sektorin e energjetikës së vendit nuk mund të amnistohet as Qeveria Kurti 2, e cila ka dështuar në sendërtimin e parashikimeve për rimëkëmbje të KEK-ut dhe për investime të reja në energjetikë në përgjithësi. Qeveria Kurti 2 dhe përfaqësuesja eminente e kësaj qeverie për sektorin energjetik, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë dështuar në ndërtimin dhe në rindërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në bazë të qymyrit (Kosova ka rezerva të pafundta të këtij resursi) dhe po vonohet pakuptueshëm shumë në jetësimin e proklamuar ripërsëritshëm të tranzicionit energjetik, që nënkupton kapacitete tjera gjeneruese të rrymës, sosh nga burime të ripërtëritshme (nga era dhe nga dielli).

As Qeveria Kurti 2, brenda katërvvjeçarit të qeverisjes, nuk ndërtoi asnjë kapacitet gjenerues elektroenergjetik—as termocentral të ri, as rindërtim të termocentraleve ekzistuese, pos riparimit më të detajuar të turbinës së bllokut B2 të Kosovës B, dhe as një impiant të vetëm të energjisë së rinovueshme. Kjo është gjendja faktike dhe reale edhe pas qeverisjes katërvjeçare të qeverisë së VV-së, e cila premtoi aq shumë për rimëkëmbjen energjetike të vendit. Njohësit e situatës në zhvillimet energjetike të Kosovës, huqjen e Kurtit 2 e ndërlidhin me mungesën e guximit për të ndërmarrë hapa vendimtarë, për të ndaluar nepotizmin dominues në punësimet në KEK, për t’u përcaktuar pa ekuivoke për kapacitete të reja tepër të nevojshme, qoftë nga qymyri qoftë nga burimet e energjisë së rinovueshme, me mungesë të strategjisë më konkrete të zhvillimit elektroenergjetik dhe me përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse brenda sistemit elektroenergjetik të vendit, e sidomos brenda sektorëve të KEK-ut. /Buletini Ekonomik/