Gazetari i Buletinit, Agon Sinanaj, shpallet “Gazetari i Vitit 2025” nga AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shpërblyer sot me çmimin “Gazetari i Vitit 2025” gazetarin Agon Sinanaj nga Buletini Ekonomik, për një seri hulumtimesh të ndërlidhura me sektorin e energjisë – një fushë e komplikuar, e paeksploruar mjaftueshëm nga mediat dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët konsumatorë.

Gazetari Sinanaj në fjalimin e tij falënderues, theksoi se ky çmim vjen si rezultat i një pune intensive që ka nisur në fillim të vitit 2025 dhe e cila po vazhdon ende edhe sot. Ai tha se nuk e konsideron shpërblimin si mbyllje të kapitullit, por si nxitje për të shtrirë edhe më tej investigimin mbi sektorin e energjisë dhe kostot që iu ngarkohen qytetarëve.

Hulumtimi disamujor i Buletinit Ekonomik ka pasur për qëllim zbërthimin e të gjitha kostove që ngarkohen në tarifat e energjisë elektrike. Duke qenë se sektori i energjisë është një treg i rregulluar, çdo shpenzim brenda këtij sektori bartet drejtpërdrejt te konsumatori. Prandaj, Sinanaj theksoi se transparenca në këtë sektor është jetike, pasi “konsumatorët obligohen të paguajnë edhe atëherë kur dështojnë institucionet mbikëqyrëse”.

Në kuadër të këtij investigimi, redaksia e Buletinit Ekonomik realizoi 12 hulumtime të thelluara për importin e energjisë gjatë vitit 2024, duke zbuluar dëme të dyfishta për konsumatorët, si:

Reklama e sponzorizuar
  • Monopolizimi i importit nga një kompani e vetme, e cila e rriti çmimin e importit mbi 200% në krahasim me çmimet zyrtare të bursave ndërkombëtare; dhe
  • Monopolizimi i kapaciteteve ndërkufitare nga tregtarët e energjisë, duke bërë që kostot për bartje të energjisë të arrijnë deri në 800 euro për megavat orë, pa e përfshirë çmimin e produktit, rrymën.

Në përfundim të fazës së parë të hulumtimit, gazetarët e Buletinit Ekonomik kanë dëshmuar se tarifat aktuale të energjisë nuk mbështeten në kosto reale. Përkundrazi, ato mbartin brenda tyre pasoja të dështimeve institucionale, monopoleve tregtare dhe vendimmarrjeve jo transparente.

Sinanaj ka dokumentuar gjithashtu edhe dështimin e institucioneve mbikëqyrëse për të detyruar tregtarët që blerjet t’i realizojnë nëpërmjet bursave. Bursat, si mekanizëm i kontrollit dhe transparencës, mbrojnë konsumatorët nga manipulimet dhe nga tregtia e fshehtë. Por në vitin 2024, siç theksoi ai, “ky tregtim i energjisë u zhvillua kryesisht në tregun e zi”.

Ndërkohë, pjesa e dytë e hulumtimit ka të bëjë me investimet kapitale të operatorëve të rregulluar, që përbëjnë një tjetër kosto e cila bie mbi tarifat e energjisë. Sinanaj me këtë rast, tha se synimi për vitin e ardhshëm është zbërthimi i çdo elementi që formëson çmimin final të energjisë që paguajnë qytetarët.

Gazetari Sinanaj po ashtu përmendi se ky vit ka qenë tepër sfidues. Përveç kompleksitetit të sektorit të energjisë, ai tha se u përball edhe me presione nga grupe të ndryshme të interesit që gravitojnë rreth këtij sektori. Kujtojmë se në qershor të këtij viti, Buletini u ballafaqua me një seri sulmesh kibernetike ndaj faqeve në rrjete sociale.

Një pjesë e madhe e suksesit të hulumtimeve i atribuohet edhe burimeve profesionale, brenda dhe jashtë institucioneve. Gazetari ynë falënderoi të gjithë ata që rrezikuan pozitën apo mirëqenien personale për të kontribuar me informacion të saktë në mbrojtjen e interesit publik. Ai theksoi se bashkëpunimi mes gazetarëve dhe burimeve të besueshme mbetet forma e vetme për të zbuluar dhe parandaluar abuzimet në sektorë të tillë kritikë.

Në fund të fjalimit, Sinanaj u shpreh se ky vlerësim duhet të shërbejë si nxitje për mediat e vogla, se me vullnet, punë të mirë dhe të ndershme, nuk mungojnë rezultatet, edhe nëse resurset nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, sipas tij, ky çmim është vlerësim jo vetëm për hulumtimin, por edhe për modelin e gazetarisë së pavarur, etike dhe të patjetërsueshme para çdo interesi.

Ndryshe, Buletini Ekonomik funksionon që nga viti 2018, me një ekip të vogël gazetarësh entuziastë dhe të pavarur, që punojnë ekskluzivisht vetëm në interes të publikut.

Më poshtë mund t’i gjeni disa nga hulumtimet seri të Buletinit Ekonomik nga sektori i energjisë:

Përmes NOA-s, KESCO-s i kushtoi deri në 800 euro vetëm për ta sjellë 1 megavat rrymë në Kosovë

Tregtimi “në të zezë” i energjisë në vitin 2024 dhe anashkalimi i ALPEX-it nga “të gjithë”

Importi i rrymës me NOA-n gjatë vitit 2024 deri në 225% më shtrenjtë se çmimi zyrtar në bursën HUPX