Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka sqaruar publikisht trajtimin e borxhit të keq në kuadër të procesit tarifor, pas hulumtimit të publikuar nga Buletini Ekonomik, duke theksuar se ky element është i rregulluar qartë me Rregullën për Vendosjen e të Hyrave të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe se është zbatuar ndër vite në të gjitha proceset tarifore.
Në këtë kontekst, ZRrE ka bërë të ditur se kërkesa e KESCO-s për rritjen e nivelit të borxhit të keq në rreth 5 për qind është vlerësuar si e papranueshme. Bazuar në projeksionet e fundit dhe në të dhënat që tregojnë përmirësim të arkëtimit pas pandemisë, si dhe në studimet përkatëse, ZRrE thotë se ka vendosur që niveli i borxhit të keq të jetë 1.8 për qind për vitin 2025, 1.6 për qind për vitin 2026 dhe 1.4 për qind për vitin 2027.
Sipas ZRrE-së, borxh i keq konsiderohet vetëm ajo pjesë e detyrimeve financiare që, edhe pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore dhe shterimit të mekanizmave të arkëtimit, mbetet realisht e paarkëtueshme. Rregullatori ka theksuar se kërkesat e operatorëve nuk pranohen automatikisht, pasi rregullimi tarifor bazohet në fakte të verifikuara dhe analiza profesionale, e jo në supozime.
Ndërkohë, Buletini Ekonomik këto ditë ka publikuar një hulumtim, i cili tregonte se borxhi i keq i KESCO-s për vite me radhë është ngarkuar në tarifa në mënyrë paushall, pa u bazuar në analiza reale të borxheve realisht të paarkëtueshme.
Hulumtimi ngre dyshime se kjo praktikë mund t’u ketë shkaktuar dëm dhjetëra milionë euro konsumatorëve, pavarësisht faktit se niveli i arkëtimit të faturave ka qenë shumë i lartë. Po ashtu, raportet e auditimit të cituara në hulumtim theksonin mungesën e një ndarjeje të qartë ndërmjet borxheve aktive dhe atyre realisht të paarkëtueshme.
Lexoni hulumtimin në fjalë:
Në anën tjetër, ZRrE, me anë të komunikatës së sotme, ka siguruar qytetarët se asnjë vendim tarifor nuk merret për të mbrojtur mospagesën, por për të garantuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtjen e konsumatorëve që i kryejnë rregullisht obligimet e tyre. Rregullatori ka theksuar gjithashtu se të gjitha proceset e tij janë publike dhe transparente, ndërsa vendimmarrja përfundimtare merret nga Bordi i ZRrE-së vetëm pas shqyrtimit të komenteve të të gjitha palëve të interesit. /Buletini Ekonomik/










