INDEP: Reduktimet e energjisë elektrike cenojnë sigurinë e furnizimit dhe të drejtat e konsumatorëve

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shprehur shqetësim serioz lidhur me reduktimet e fundit të energjisë elektrike në Kosovë dhe me komunikimet kontradiktore ndërmjet operatorëve kryesorë të sistemit elektroenergjetik, duke vlerësuar se këto zhvillime cenojnë sigurinë e furnizimit dhe të drejtat e konsumatorëve.

Sipas INDEP-it, njoftimet zyrtare të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) tregojnë se zona e kontrollit ka operuar me jo-balanca të theksuara, çka ka detyruar operatorin të ndërhyjë përmes kufizimeve të ngarkesës për të ruajtur stabilitetin e sistemit. Në të njëjtën kohë, furnizuesi KESCO ka njoftuar për pamundësinë e mbulimit të plotë të kërkesës, duke e lidhur situatën me rritjen e konsumit dhe kufizimet në sigurimin e energjisë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Megjithëse më pas është komunikuar normalizimi i gjendjes, fakti që konsumatorët janë përballur me reduktime të energjisë, sipas INDEP-it, dëshmon se mekanizmat e planifikimit, nominimit dhe balancimit nuk kanë funksionuar në mënyrë adekuate në një moment kritik për sistemin elektroenergjetik.

Instituti thekson se furnizimi me energji elektrike nuk është një shërbim i zakonshëm tregtar, por një shërbim publik esencial. Ligji për Energjinë Elektrike dhe korniza rregullatore për cilësinë e shërbimit përcaktojnë qartë të drejtën e konsumatorëve për furnizim të vazhdueshëm dhe cilësor, ndërsa ndërprerjet dhe reduktimet duhet të jenë përjashtim dhe jo rregull.

Po ashtu, INDEP rikujton se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit e lidh drejtpërdrejt ofrimin e shërbimeve publike me detyrimin për furnizim të rregullt dhe parasheh kompensim në rast të shërbimit jo-cilësor ose ndërprerjeve të pajustifikuara. Në këtë kuadër, instituti vlerëson se çështja e mosnominimeve të mjaftueshme të energjisë dhe devijimeve të mëdha nga planet e balancimit nuk mund të trajtohet si problem teknik i izoluar, por si rrezik sistemik që kërkon hetim të plotë rregullator për të identifikuar përgjegjësitë kontraktuale dhe institucionale.

Sipas INDEP-it, konsumatorët nuk duhet të bartin koston e gabimeve në planifikim, tregtim apo menaxhim të sistemit, ndërsa çdo reduktim i furnizimit duhet të shoqërohet me transparencë të plotë, masa ndaj palëve përgjegjëse dhe zbatim të mekanizmave ligjorë të kompensimit.

Instituti vlerëson se ngjarjet e fundit nxjerrin në pah edhe probleme më të thella strukturore të sektorit energjetik. Vitet e vonesave në investime, modernizim dhe hapje të tregut kanë krijuar një sistem të brishtë, i cili reagon me reduktime sa herë që konsumi rritet ose prodhimi vendor përballet me vështirësi.

INDEP thekson gjithashtu se investimet në efiçiencë të energjisë nuk duhet të mbeten të fragmentuara apo të varura nga projekte të izoluara donatorësh, por të përfshihen në një program kombëtar që lidh të dhënat reale të konsumit me masat e kursimit dhe me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të qëndrueshme. Po ashtu, kërkohet zhvendosja e fokusit nga subvencionimi i sheshtë i faturave drejt investimeve në infrastrukturë inteligjente dhe fleksibile, që rrisin performancën e sistemit dhe mbrojnë konsumatorët në afatgjatë.

Në reagimin e tij, INDEP nënvizon edhe domosdoshmërinë e zhvillimit të një programi të mirëfilltë për konsumatorët e cenueshëm dhe të një qasjeje sistematike kundër varfërisë energjetike, duke theksuar se mbrojtja e këtyre grupeve nuk mund të realizohet përmes masave ad-hoc, por përmes politikave të targetuara dhe gjithëpërfshirëse.

INDEP bën të ditur se do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në monitorimin e sektorit dhe në nxitjen e politikave që forcojnë sigurinë e furnizimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke kërkuar që energjia të trajtohet si urgjencë kombëtare në agjendën e politikëbërësve, në mënyrë që të shmangen kriza të reja në të ardhmen. /Buletini Ekonomik/