INDEP: ZRrE të sigurojë mbrojtje reale të konsumatorëve në procesin tarifor

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka njoftuar se po ndjek nga afër nisjen e procesit të përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike për periudhën e ardhshme rregullative. Kjo po ndodh tani kur ndërmarrjet energjetike kanë dorëzuar kërkesat e tyre për Hyrat Maksimale të Lejuara dhe kur Zyra e Rregullatorit për Energji pritet të hapë procesin e konsultimit publik.

Në këtë fazë fillestare, INDEP thotë se dëshiron të tërheqë vëmendjen e ZRRE-së mbi nevojën që shqyrtimi i Hyrave Maksimale të Lejuara të zhvillohet me kujdes të shtuar dhe në përputhje të plotë me parimin e mbrojtjes së konsumatorit. Vendimmarrja rregullatore, sipas tyre, duhet të sigurojë që tarifat të mos përfshijnë kosto të pajustifikuara, të cilat nuk lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj konsumatorëve, por me dështime në planifikim, menaxhim apo operim të ndërmarrjeve në treg.

Reklama e sponzorizuar

INDEP vë në pah se në rastet kur furnizuesi nuk ka nominuar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, siç edhe ka ndodhur, pasojë direkte kanë qenë ndërprerjet e furnizimit për konsumatorët. Këto ndërprerje, siç thonë ata, përfaqësojnë një dështim serioz të shërbimit dhe nuk mund të trajtohen thjesht si raste sporadike. Përkundrazi, INDEP sqaron se ato duhet të adresohen përmes mekanizmave të qartë të përgjegjësisë dhe përmes kompensimit të konsumatorëve të prekur.

Po ashtu, në rastet kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dështon të realizojë prodhimin e planifikuar dhe si pasojë lind nevoja për importe me çmime të larta, INDEP vlerëson se rreziku financiar për sasinë e paprodhuar duhet të bartet nga vetë KEK-u. Këto pasoja sipas INDEP, nuk duhet të transferohen te konsumatorët përmes tarifave, pasi rreziku i dështimit operacional i takon ndërmarrjes që nuk ka përmbushur obligimet e saj kontraktuale.

INDEP i bën thirrje ZRRE-së që, gjatë shqyrtimit të kërkesave për Hyrat Maksimale të Lejuara dhe më pas gjatë vendimmarrjes për tarifat, të aplikojë një qasje rigoroze rregullatore, të bazuar në analizë kritike të kostove, ndarje të qartë të përgjegjësive dhe mbrojtje efektive të interesit publik.

Instituti rithekson se, si gjithmonë, do të marrë pjesë aktive në të gjitha fazat e konsultimit publik, duke ofruar komente të shkruara dhe analiza profesionale në çdo hap të procesit.

“Presim që këto kontribute të merren seriozisht në konsideratë, me qëllim që vendimet përfundimtare të jenë të drejta, transparente dhe të mbrojnë konsumatorët nga barra e kostove dhe pasojave që nuk u takojnë. Në vitin tarifor që po e lëmë pas, qytetarët u përballën me pasiguri, reduktime, cilësi të dobët në shumë zona dhe shkelje të shpeshta të të drejtave konsumatore. Për këtë, përgjegjësia duhet të vijë përpara tarifës!”, përfundon komunikata nga INDEP. /Buletini Ekonomik/