Kosova 2031: Energjia, kronika e një kolapsi të paralajmëruar

“Pa investime të rëndësishme në kapacitete të reja, siguria energjetike dhe ekonomike e Kosovës mbetet e pasigurt. “Sakrifica” që propozon Ministrja Rizvanolli rrezikon të shndërrohet thjesht në vite të humbura, pa adresuar problemin real”

Shkruan: Ardi Rexhepi

Kievi po përjeton dimrin më të vështirë që nga fillimi i luftës me Rusinë, me mungesë të energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit, është realiteti i një vendi nën bombardime, ku errësira ka një shkak të qartë.

Rreth 1.200 kilometra larg frontit të luftës, në Prishtinë, qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike, të ftohtë dhe fatura gjithnjë e më të rënda, pa luftë, pa bomba dhe, pa asnjë arsye të jashtme.

Në Ukrainë, errësira shoqërohet me ulërima sirenash dhe shpërthime raketash. Në Kosovën e vitit 2026, errësira është e një tjetër natyre: heshtja mbizotëruese e mungesës së energjisë, një dështim i qartë i përditshëm që nuk ka justifikim dhe nuk vjen nga armiku, por nga paaftësia jonë.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë znj. Rizvanolli paralajmëroi dje se Kosova, në dy vitet e ardhshme, do të përballet me një periudhë sfiduese sa i përket furnizimit me energji elektrike, për shkak të ndaljes së blloqeve për realizimin e investimeve të parapara. Import i lartë, mungesë e energjisë elektrike veçanërisht gjatë periudhës së dimrit dhe të ftohtit na presin të paktën edhe dy vitet e ardhshme. Një “sakrificë” që sipas Ministres, duhet bërë për gjeneratat e ardhëshme.

Një sakrificë që qytetarët do ta pranonin më lehtë, po të kishin një përgjigje të qartë për pyetjen: Çfarë më pas? Çfarë ndodh pas dy viteve? A do të përballemi sërish me ndërprerje të energjisë elektrike? A do të kemi nevojë për importe të larta? Dhe, mbi të gjitha, a do të rriten përsëri tarifat e energjisë elektrike? Këto janë pyetjet që shqetësojnë qytetarët e Kosovës dhe për të cilat askush nuk duket i gatshëm të flasë hapur.

Sot, përmes Inteligjencës Artificiale dhe duke u bazuar në të dhënat historike, nuk është e vështirë të parashikohet një skenar se çfarë na pret pas pesë viteve. Duke marrë parasysh trendet e dhjetë viteve të fundit dhe supozimin se Kosova do të vazhdojë zhvillimin ekonomik, konsumi i energjisë elektrike në vitin 2031 pritet të arrijë rreth 8.015 GWh në vit. Piku i ngarkesës, veçanërisht gjatë dimrit, parashihet të shkojë në rreth 1.850 MW.

Duke marrë parasysh vjetërsinë e termocentraleve, të cilat në vitin 2031 do të shënojnë 69-vjetorin e funksionimit te tyre, stabiliteti i prodhimit mbetet një sfidë serioze për sistemin energjetik. Prodhimi vendas parashihet të stabilizohet në 5.450–5.600 GWh në vit. Pjesa më problematike mbetet hendeku mes konsumit dhe prodhimit, i cili mund të arrijë deri në 2.565 GWh, deficit që parashihet të mbulohet përmes importit të shtrenjtë.Me një çmim mesatar prej 120 €/MWh, fatura vjetore e importit mund të arrijë në rreth 308 milionë euro.

Një faturë importi alarmante, që nuk mbetet në letra, por bie drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve përmes tarifave gjithnjë e më të larta.

Pa investime të rëndësishme në kapacitete të reja, siguria energjetike dhe ekonomike e Kosovës mbetet e pasigurt. “Sakrifica” që propozon Ministrja Rizvanolli rrezikon të shndërrohet thjesht në vite të humbura, pa adresuar problemin real. Ndërkohë, politika vazhdon të fshihet pas strategjive dhe dokumenteve zyrtare, duke shmangur përgjegjësinë për një krizë që sa vjen e bëhet gjithnjë e më shqetësuese.

Ky skenar bazohet në kushtet aktuale, duke supozuar se asgjë nuk ndryshon dhe se nuk realizohen investime në shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese.

Skenar pesimist apo realist? Këtë do ta shohim brenda pesë viteve. Por, duke njohur ritmin e veprimit të institucioneve të Kosovës, ky skenar fatkeqësisht mund të rezultojë shumë më realist sesa mendojmë.