Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka dalë me njoftim lidhur me aksionin e zhvilluar sot në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve nga njësitë policore për krime ekonomike.
Në njoftimin e MINT theksohet se aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas vdekjes së pronarit, shkruan Reporteri.net.
Saktësisht për një keqinterpretim të një aktgjykimi gjyqësor.
“Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se Ministria dhe ARBK “mbeten plotësisht të përkushtuara për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”.
“Njëkohësisht, sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se institucionet janë duke punuar me vëmendje të shtuar në ngritjen dhe avancimin e sistemeve brenda ARBK-së, me qëllim rritjen e transparencës, saktësisë së informacionit dhe sigurisë juridike për të gjithë qytetarët dhe bizneset që regjistrohen apo kryejnë ndryshime në këtë institucion. MINTI do të vazhdojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje”, përfundon njoftimi.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, si dhe dy zyrtarë të tjerë janë shoqëruar për në stacionin policor për t’u marrë në pyetje, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Sipas njoftimit, bastisjet në ARBK janë kryer për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’.









