Investimet “në letra” të KEDS-it, mes dyshimeve për “fryrje” të faturave dhe mungesës së auditimit në terren

Nga viti 2013, vlerësohet se KEDS ka investuar mbi 200 milionë euro në rrjetin elektrik të Kosovës në emër të investimeve kapitale. ZRrE ia ka pranuar këto shpenzime KEDS-it pa një auditim në terren, duke i marrë si të mirëqena dhe duke u bazuar vetëm në faturat e raportuara nga kompania. Tri raporte zyrtare të analizuara nga Buletini Ekonomik ngrenë dyshime për “fryrje” të faturave dhe “investime” fantome që nuk përkojnë me investimet e planifikuara dhe me atë çka ndodhë në terren.

Agon Sinanaj

Pajisjet kryesore në kuadër të investimeve në rrjetin elektrik, si trafot, transformatorët, largpërçuesit apo kabllot, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) i importon nga Turqia. Për këto pajisje nuk zhvillohen procedura të prokurimit, dhe rrjedhimisht mungon edhe gara mes kompanive për të siguruar çmim më të volitshëm.

Reklama e sponzorizuar

Përkundër kësaj, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), sa i përket çmimit të këtyre pajisjeve, mjaftohet me faturat e prodhuesve nga Turqia, të cilat i raporton KEDS nga viti në vit. Për më tepër, përveç që nuk kryhet një verifikim i pavarur nëse çmimet janë në përputhje me tregun, mungon edhe kontrolli mbi cilësinë e pajisjeve. Në praktikë, gjithçka që bën ZRrE është aprovimi i këtyre shpenzimeve duke u bazuar në dokumentacionin që e dorëzon vetë kompania.

Kjo është vetëm një nga gjetjet e hulumtimit disamujor që ka realizuar Buletini Ekonomik lidhur me investimet kapitale të KEDS-it, një kosto tjetër që në fund e paguajnë konsumatorët e energjisë elektrike përmes tarifave.

Për verifikimin dhe aprovimin e këtyre investimeve, ZRrE mjaftohet vetëm nga “letrat” ashtu siç i raporton KEDS, pa një auditim në terren për të verifikuar nëse këto investime janë reale.

KEDS pretendon se ka kryer deri tani mbi 200 milionë euro investime në rrjetin elektrik të Kosovës, nga 300 milionë euro sa është obligimi i saj sipas kontratës së privatizimit të distribucionit. Megjithatë,që nga viti 2013 ende nuk është kryer një auditim i pavarur i investimeve kapitale, si një nga proceset më të rëndësishme të këtij privatizimi.

Përpjekja e parë më serioze ishte në vitin 2022, kur ZRrE shpalli tender për angazhimin e një kompanie që do të kryente auditimin, por ai u anulua në “rrethana të dyshimta”.

Anulimi i dyshimtë i tenderit për auditimin e KEDS-it

Në emër të investimeve kapitale, ZRrE çdo vit ua ngarkon konsumatorëve në tarifat e energjisë elektrike dhjetëra miliona euro. Investimet kapitale i njihen KEDS-it përmes zhvlerësimit të aseteve dhe kthimit në investim. Në vitin 2025, nga zhvlerësimi i aseteve të KEDS-it, ZRrE ka ngarkuar në tarifa mbi 22 milionë euro, ndërsa nga kthimi në investim rreth 19 milionë tjera. Në total, vetëm për këtë vit, në tarifa janë ngarkuar mbi 40 milionë euro në emër të investimeve kapitale të KEDS-it.

Kosto: Kthimi i lejuar 2013-2025

Mospërputhje mes investimeve të planifikuara dhe atyre të realizuara

Për periudhën 2023-2027 është planifikuar të investohen 152 milionë euro, dhe në bazë të këtij planifikimi dhe aseteve të investuara në të kaluarën, kalkulohen kostot për zhvlerësim të aseteve dhe kthimin në investim.

Megjithatë, në mungesë të një auditimi të pavarur, nuk dihet me saktësi nëse investimet janë realizuar sipas planit të paraparë, e as nëse ato investime që u raportuan në ZRrE, janë reale.

Tri raporte zyrtare të analizuara nga Buletini Ekonomik ngrenë dyshime për “fryrje” të faturave dhe “investime” fantome që nuk përkojnë me investimet e planifikuara dhe me atë çka ndodhë në terren.

Këtë dyshim e gjejmë sidomos në një raport monitorues të ZRrE-së, të realizuar në vitin 2018, si i vetmi që figuron në uebfaqen e ZRrE-së sa i përket investimeve kapitale të KEDS-it. Raporti përmban të dhëna vetëm për vitin 2018.

Bordi i Drejtorëve të ZRrE-së, në atë kohë, kishte krijuar një grup punues me detyrën për të verifikuar në terren ecurinë e investimeve të KEDS. Ajo që u gjet në terren nuk përputhej me atë që thuhej në letra. Nga monitorimi rezultoi se KEDS kishte realizuar rreth 74% të investimeve krahasuar me nivelin e lejuar për vitin 2018.

Madje, në kategori të caktuara, niveli i realizimit të investimit ishte në masën 31 për qind, në raport me atë që ishte planifikuar. Kjo ishte vërejtur sidomos te mostra për projektin për linjën e kalimit të nivelit të tensionit 10kV në 20kV.

“Këso dallime ka edhe te projektet tjera. Nga kjo analizë rrjedh se KEDS në rastin e planifikimit të investimeve duhet të bëjë vlerësime më të sakta, ngase këto investime mbulohen përmes tarifave, dhe një planifikim i tillë nuk do të mund të jetë i pranueshëm nga ZRRE. Sqarimet për dallimet e tilla në projektet e realizuara në krahasim me ato të planifikuara nuk janë ofruar nga KEDS”, thuhet në raportin “Monitorimi i investimeve kapitale të KOSTT dhe KEDS për vitin 2018.

Mospërputhje mes investimeve të planifikuara dhe atyre të realizuara kishte konstatuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”, i realizuar në vitin 2019. Auditorët e shtetit kishin analizuar investimet e disa prej kompanive që rregullohen nga ZRrE, përfshirë këtu edhe investimet e realizuara nga KEDS në rrjetin e shpërndarjes.

Raporti i ZKA-së flet për mbivlerësim të investimeve dhe ngre dyshime për ‘fryrje’ të kostove për zhvlerësim të aseteve.

“Ofruesit e shërbimeve nuk kanë arritur të realizojnë investimet kapitale të cilat kanë qenë të aprovuara përmes tarifave dhe kjo ka ndikuar që konsumatorët kanë paguar tarifa për investimet që nuk kanë ndodhur”, thuhet në raportin e ZKA.

Vendimi i 2018-s për kategorizimin e aseteve rriti kostot e zhvlerësimit?

Investimet kapitale të KEDS-it planifikohen në bazë të periudhave rregullatore, të cilat në rastin e investimeve janë çdo pesë vjet. Investimet që ZRrE ia pranon KEDS-it, futen në atë që njihet si Baza e Aseteve (RAB), ku bëjnë pjesë investimet e kryera dhe investimet e planifikuara, për të cilat kalkulohet zhvlerësimi. Matja e zhvlerësimit të aseteve bëhet në bazë të kategorisë dhe jetëgjatësisë së asetit dhe çmimit të asetit. Bazuar në këto komponenta, zbatohet një normë e zhvlerësimit nga viti në vit.

Në vitin 2013, nga zhvlerësimi i aseteve ishin ngarkuar në tarifa 6.5 milionë euro, derisa në vitin 2025 kjo shumë ka arritur në 22.63 milionë euro. Mirëpo, kur analizohen kostot për zhvlerësim nga viti në vit, vërehet rritje e madhe e kësaj kostoje sidomos nga viti 2018.

ZRrE këtë ndryshim e lidhë me rritjen e investimeve dhe zgjerimin e bazës së aseteve, por një deputet i Kuvendit të Kosovës që e kishte hulumtuar këtë proces, ngriti dyshime se një vendim i dyshimtë i vitit 2018, u mundësoi operatorëve rritje “fiktive” të të hyrave nga zhvlerësimi i aseteve.

Në mbledhjen e mbajtur më 20 gusht 2018, Bordi i ZRrE-së përmes një vendimi kishte ndryshuar kategoritë dhe jetëgjatësinë e aseteve. Për asetet më të rënda, si ndërtesa, rrugë, rrjete të kanalizimit, kamionë, shtylla etj, përcaktoi jetëgjatësinë nga 10 deri në 50 vjet, ndërsa për asetet e kategorisë më të lehtë nga 5 deri në 10 vjet.

Koha e këtij ndryshimi në kategorinë e aseteve në vitin 2018, përkon me rritjen rapide të kostove për zhvlerësim të aseteve.

“Trendi i zhvlerësimit është me shumë anomali dhe kërkon verifikim të abuzimit potencial me vendimin e ZRRE të vitit 2018 për kategorizimin e aseteve të vjetra dhe të reja dhe zbatimin e normës së zhvlerësimit për to. Normat e krahasueshme të zhvlerësimit është e zakonshme të jenë 5-10% dhe nuk justifikohen në rastin e KEDS. Për këtë është e rëndësishme të verifikohen baza e aseteve, komisionimi i aseteve dhe zbatimi i normave të zhvlerësimit sipas vendimit të ZRRE dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në një letër të deputetit Armend Muja, që ia kishte dërguar ZRrE-së në muajin mars të vitit të kaluar.

Në këtë letër, Muja thotë se është evidente se nga viti 2018 janë rritur kostot e zhvlerësimit, sipas tij, “potencialisht duke abuzuar me vendimin e ZRRE”.

Në vitin 2018, kostot për zhvlerësim ishin mbi 12 milionë euro. Vitin pasues, në 2019, shifra u rrit në 15 milionë euro, në vitin 2022 arriti rreth 20 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 u rrit në mbi 22 milionë euro.

Kostot për zhvlerësim të aseteve 2013-2025 (Mil. Euro)

Dyshime për “fryrje” të faturave

Raporti i monitorues i ZRrE-së i vitit 2018, përmend një aspekt tjetër shqetësues që ka të bëjë me cilësinë e pajisjeve që montohen nga KEDS, duke ngritur dyshime për “fryrje” të faturave. Në terren, grupi punues i ZRrE kishte gjetur se KEDS nuk kryen teste për kontroll të cilësisë së pajisjeve.

“Pas kërkesës shtesë të bërë nga ekipi i monitorimit, KEDS ka dërguar me shumë vonesë (17 ditë më vonë) dokumentacionin për FAT. Nga analizimi i tij është parë se mungon dokumentacioni për projektin e Uglarës dhe mungojnë FAT testet për asetet e tjera të projekteve si shtylla, kabllo, etj. Nga dosja e parë e FAT testeve të ofruara nga KEDS shihet se gjatë shqyrtimeve kanë qenë prezent edhe përfaqësues nga KEDS, ndërsa nga dokumentacioni i më vonshëm i ofruar vërehet se ata nuk kanë qenë prezent gjatë shqyrtimeve të bëra nga prodhuesi”, thuhet në këtë raport.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk janë përgjigjur nëse testet e cilësisë së pajisjeve janë kryer pas vitit 2018, nga koha kur ishte kryer ky monitorim. ZRrE nuk i ka lejuar qasje mediumit tonë në faturat dhe dokumentet përcjellëse që KEDS i raporton për pajisjet e importuara nga Turqia.

Buletini Ekonomik ka dashur të krahasojë çmimin me të cilin këto pajisje kanë hyrë në Kosovë, me çmimin e tregut, si dhe për të analizuar cilësinë e tyre duke konsultuar ekspertë të energjisë.

Ajo që dihet është se pjesa më e madhe e pajisjeve që montohen nga KEDS, si trafo, transformator, kabllo e largpërçues, importohen nga Turqia. Këtë e ka konfirmuar edhe ZRrE, por edhe kompani tjera nga Kosova që kontraktohen nga KEDS.

“Ne, tenderin që e marrim e kemi pa material, materialin e marrim nga KEDS-i, ne kemi vetëm punën e dorës, të gjitha i furnizon KEDS-i, kabllat i furnizon KEDS-i, largpërçuesit, trafot, të gjitha, çdo gjë prej A deri në ZH furnizohet nga KEDS-i. Ne vetëm i marrim në depo dhe i montojmë”, kishte thënë Altjon Shehaj, pronar i “As Power”, një kompani e njohur për tendera në KEDS. Sipas Shehajt, pajisjet vijnë nga jashtë, pasi ka mungesë të tyre në Kosovë.

Nga importi, përveç Turqisë, KEDS ka raportuar në ZRrE edhe pajisje nga Kina. Një projekt kapital i KEDS viteve të fundit, është ai për ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe kalimi në njehsorë digjital. Vlerësohet se deri më tani, KEDS-i ka instaluar 546 mijë njehsorë digjitalë në total.

Nga hulumtimi del se pjesën me të madhe të këtyre njehsorëve, KEDS e ka sjellë nga Kina, përkatësisht nga prodhuesi kinez “Ningbo Sanxing”.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe një mostër të njehsorëve të ardhur në Kosovë nga ky prodhues. Çmimi i tregut në Kinë për njehsorin e njëjtë që është montuar në Kosovë, varion nga 20 deri në 50 euro për njësi. Por, në rastet kur blerjet janë me shumicë, çmimi mund të bie shumë më poshtë, varësisht prej marrëveshjes me prodhuesin. Në Kinë, kur blihet me shumicë, mund të gjesh njehsorë të mençur edhe me 7 euro për njësi.

Njehsori “Made in China” që erdhi në Kosovë

Përkundër insistimit, ZRrE nuk ia ka mundësuar mediumit qasjen as në faturat e lëshuara nga prodhuesi kinez për njehsorët që erdhën në Kosovë.

Sa i përket pajiseve nga importi, ZRrE pranon se kryen verifikim vetëm në nivelin e dokumenteve ashtu siç i pranon nga KEDS.

“Auditimi është kryesisht ekonomik dhe rregullator, jo teknik për çdo njësi ngase nuk është në kompetencë të ZRRE-së kjo pjesë e inspektimit, e ka një autoritet tjetër i rregulluar me Ligj”, thotë ZRrE.

Për këto pajisje, KEDS nuk i zbaton procedurat e prokurimit sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, ndonëse për këtë e obligon licenca. Këtë e ka konfirmuar edhe ZRrE në një përgjigje për mediumin. Sipas ZRrE, procedurat e prokurimit zbatohen vetëm pasi pajisjet vijnë në Kosovë, me rastin e montimit të tyre.

“Pajisjet e importuara nga Turqia, si trafo, largpërcjellës dhe kabllo, mund të blihen dhe të vendosen fillimisht në magazinë para montimit, duke mos ndryshuar statusin e investimit. Montimi ose ndërtimi më pas bëhet nga kontraktorë të angazhuar me tender, sipas procedurave të ligjshme”, thonë nga ZRrE.

KEDS, në anën tjetër, nuk është përgjigjur rreth problemeve të hasura me prokurimin, që konstatohen edhe nga raporti i monitorimit të ZRrE-së për vitin 2018. Nga monitorimi rezulton se KEDS nuk i është përmbajtur licencës, e cila e obligon që për fushën e prokurimit t’i nënshtrohet Ligjit të Prokurimit të Republikës së Kosovës. Kjo kishte pasuar në vitin 2019 me një vendim nga ZRrE-së, në të cilin decidivisht thuhet: “Gjatë monitorimit të investimeve kapitale, grupi monitorues ka përzgjedhur dhe analizuar disa projekte. Gjatë vlerësimit të projekteve të përzgjedhura, është vërejtur se procesi i prokurimit ka mangësi në KEDS dhe nuk është bërë sipas Nenit 11 të Licencës së OSSH-së, procedurave të parapara në Ligjin e Prokurimit Publik, përkatësisht, është konstatuar se KEDS nuk ka publikuar shprehjen e interesit në ëeb-faqen elektronike dhe në ndonjë nga gazetat zyrtare, nuk është bërë evidentimi i pjesëmarrësve në kuadër të procesit dhe më pastaj përzgjedhja e fituesit në kriteret teknike dhe ekonomike të definuar paraprakisht”. 

“Skema” e tenderëve me dy kompanitë që dyshohen për ‘afërsi’ me shefat e KEDS-it

Në bazën e aseteve dyshohet se përfunduan edhe investimet e konsumatorëve

Edhe kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, gjatë një raportimi në Kuvend, pati pranuar se investimet e KEDS-it ngarkohen në tarifa bazuar vetëm në raportet dhe dokumentacionin e kompanisë.

Sipas tij, raportet e dorëzuara nga KEDS, ZRrE i merr si “të mirëqena”.

“Zakonisht ata raportojnë përmes auditimit të jashtëm që ZRrE-ja i merr si të mirëqena. Konform atyre investimeve që tregon auditori, janë marrë parasysh edhe vlera e investimeve. Përafërsisht investimet në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në periudhën e parë rregullative kanë qenë diku rreth 103 milionë euro, ndërsa në periudhën e dytë mbi 100 milionë euro”, kishte thënë Fejzullahu.

Por, një përgjigje tjetër nga kjo e Fejzullahut, kanë dhënë nga ZRrE gjatë periudhës së këtij hulumtimi, kur janë pyetur për dyshimet e ngritura se KEDS është duke i raportuar si investime të vetat, edhe ato investime që detyrohen t’i paguajnë konsumatorët. Këto dyshime ngriten në një raport të Kuvendit, në kuadër të një hetimi parlamentar për sektorin e energjisë, i cili është hartuar në vitin 2022.

Sipas Rregullës për të Hyrat e OSSH (KEDS), grantet, donacionet dhe investimet e financuara nga konsumatorët, nuk lejohen të përfshihen në Bazën e Aseteve dhe nuk mund të kompensohen përmes tarifave.

Në raportin hetimor parlamentar, thuhet se menaxhmenti i KEDS-it kishte pranuar se investimet e konsumatorëve kalojnë në pronësi të KEDS, përmes kontratave me këta konsumatorë. Raporti ngre dyshime nëse këto investime të konsumatorëve, KEDS është duke i raportuar si investime.

“Në pyetjen e Komisionit hetimor të datës 02.12.2022 drejtuar menaxhmentit të KEDS-it, në lidhje me investimet e subjekteve private/biznesore sa i përket trafove të energjisë elektrike dhe kalimit të tyre në pronësi të KEDS-it dhe nëse numërohen si investime të KEDS, është marrë përgjigje nga menaxhmenti i KEDS-it se, KEDS-i në kuadër të autorizimeve të saj ligjore ka kërkuar pëlqimin, servitutin apo të drejtën e shfrytëzimit për qasje në pronat ku janë të vendosura trafostacionet me qëllim të ofrimit të një rrjeti të sigurt të shpërndarjes. KEDS-i posedon vetëm kontratat me persona fizikë të cilët kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuese me vullnet të lirë për bartjen e pronave në emër tëKEDS-it në pajtim me ligjet e zbatueshme”, thuhet në këtë raport.

Përkundër kësaj, nga ZRrE kanë mohuar se investimet e konsumatorëve pranohen si investime të KEDS-it, ani pse pranojnë se ata verifikojnë vetëm në nivelin e dokumenteve. Sa i përket monitorimit në terren, ata kanë thënë se “ZRrE mund të kryejë monitorime’, por nuk kanë treguar se kur dhe nëse ka ndodhur ndonjëherë kjo.

“ZRrE, në çdo shqyrtim tarifor, verifikon dokumentacionin financiar, burimin e financimit dhe përputhshmërinë e faturave, si dhe mund te kryen në terren monitorime kur është e nevojshme”, është përgjigja nga ZRrE. Sipas ZRrE, konsumatorët mund të kryejnë investime vetëm në raste specifike – si zgjerim rrjeti, mungesë kapaciteti ose lidhje të reja. /Buletini Ekonomik/