Auditorët e shtetit do të ‘zbarkojnë’ edhe njëherë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për një çështje që e kishin audituar në vitin 2019-të.
Fjala është për disa kosto që u ngarkohen konsumatorëve në tarifat e energjisë elektrike, që ishin subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Audimit (ZKA), me theks të veçantë, kostot për “borxhin e keq” të KESCO-s.
Kjo kosto, sipas një raporti të ZKA të vitit 2019, për vite me radhë është ngarkuar në tarifat e energjisë elektrike nga ZRrE përmes një metode të gabuar dhe paushall.
“Borxh i keq” quhen faturat që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga konsumatorët që nuk kanë paguar. Në vend që ta mbulojë vetë këtë humbje, kompania e përfshin në çmimin e energjisë, që paguhet nga të gjithë.
Mirëpo deri më tani asnjë rekomandim i ZKA për ta adresuar këtë çështje, nuk është zbatuar nga ZRrE.
Për këtë kosto, Buletini Ekonomik këtë vit ka zhvilluar një hulumtim të zgjeruar, bazuar edhe në gjetjet që dalin nga raporti i ZKA me titull “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”.
Nga ZKA, përmes një përgjigje për Buletinin Ekonomik, kanë paralajmëruar për një auditim të dytë në ZRrE, për të matur zbatueshmërinë e rekomandimeve të 2019-s.
“Në periudhën në vijim pritet të fillojë një auditim i veçantë përcjellës, i fokusuar në vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në auditimin “Sistemi i përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike, termike dhe atyre të ujësjellësit”, thuhet në përgjigjen e ZKA. Një përpjekje e ngjashme është realizuar gjatë vitit 2025, mirëpo nga ZKA thonë se ka pasur probleme me zhvillimin e takimeve dhe mungesë të informatave të nevojshme.
“Me qëllim të vlerësimit të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna në këtë raport, gjatë vitit 2025, ZKA ka kryer auditimin “Vlerësimi i rekomandimeve të auditimit të performancës (2019)”, brenda të cilit është përfshirë edhe ky raport auditimi. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ZKA-së, nuk ka qenë e mundur të kryhet vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të dhëna në këtë raport për shkak të kufizimeve në realizimin e takimeve të nevojshme me përfaqësuesit përkatës të autoriteteve të energjisë dhe të ujit si dhe mungesës se informatave të nevojshme”.
Në raportin e 2019-s të ZKA thuhet se ZRrE kishte zbatuar për vite me radhë një metodë paushall për kualifikimin e “borxhit të keq” të KESCO-s, duke aplikuar një nivel prej 4 për qind, në raport me të hyrat maksimale të lejuara për kompaninë.
Një raport tjetër hetimor nga Kuvendi i Kosovës, ku të përfshirë ishin edhe auditorë, gjetën se niveli i lejuar i borxhit të keq është dashur të jetë 1 për qind, jo 4 për qind. Deri të ky konstatim auditorët erdhën pasi analizuan borxhet e kompanisë (llogaritë e arkëtueshme).
“Duke konsideruar nivelin e ulët të llogarive të arkëtueshme të KEDS-it, ndryshimi i të cilit prej vitit në vit është prej rreth 1% apo edhe më ulët, konkludojmë se niveli i Lejimit të borxheve të këqija prej 4% është shumë i lartë i cili është ngarkesë shtesë për tarifat e konsumatorëve. Nga analizat e mësipërme konsiderojmë se niveli i arsyeshëm i borxhit të keq do duhej të ishte rreth 1% pas analizave të strukturës dhe natyrës së llogarive të arkëtueshme”, thuhet në raportin hetimor të Kuvendit, i cili për bazë kishte marrë raportin e ZKA të vitit 2019.
Nga raporti del se niveli prej 4 për qind është i lartë edhe për faktin se inkasimi i kompanisë nga faturimi doli të jetë mbi 99 për e qind për disa vite rreshtë.
“Bazuar në të dhënat nga PFV të audituara mundë të konkludojmë se niveli i arkëtimit të faturave aktuale nga KEDS është rreth 99%, ndërsa lejimet e borxheve të këqija në nivelin prej 4% mund të konsiderohet i lartë”, thuhet në këtë raport.
Ndërsa, raporti i ZKA gjeti se borxhi i keq u kualifikua pa një analizë mbi vjetërsinë e borxhit, një parakusht ky sipas standardeve të kontabilitetit. Për me tepër, që ZRrE nuk u kishte ofruar auditorëve as dokumentet për “borxhin e keq” të KESCO-s. Kështu e përshkruan këtë situatë të vitit 2019, auditori i ZKA:
“Deri në momentin e auditimit, respektivisht takimi me ZRRE i datës 15/11/2019, rregullatori nuk e ka pasur të njohur vjetërsinë e borxheve të përdorura si bazë për përcaktimin e vlerës së borxhit të keq. Poashtu ZRRE deri me këtë datë nuk ka prezantuar kushte të vendosura që duhet plotësuar një borxh për t’u klasifikuar si borxh i keq (për qëllime tarifore)”.
Ndryshe, nga viti 2013 deri me 2025, në emër të borxhit të keq janë ngarkuar në tarifa rreth 130 milionë euro, që sipas këtyre dy raporteve dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve të rrymës.
Buletini Ekonomik në fillim të këtij viti ka publikuar një hulumtim të gjerë për këtë problematik. As atëherë e as tash, ZRrE nuk u është përgjigjur pyetjeve të mediumit se pse nuk është zbatuar ky rekomandim i ZKA që nga viti 2019 për rishikim retroaktiv të kësaj kostoje.
Nga ZRrE vetëm kanë thënë se niveli i lejuar ka ndryshuar për periudhën 3-vjecare aktuale, por nuk kanë sqaruar nëse do të ketë rishikim retroaktiv të kësaj kostoje, sipas rekomandimit të ZKA. “Niveli aktual 1.6 % i borxhit të keq të lejuar është vendosur pikërisht në përputhje me parametrat e miratuar për periudhën tre-vjecare”, thuhet në përgjigjen e ZRrE.
Këtë çështje tashmë është duke e hetuar Zyra e Avokatit të Popullit, sipas një përgjigje të mëhershme dhënë Buletinit Ekonomik.
Sipas raportit konsultativ për KESCO, për sivjet ZRrE ka propozuar që në emër të “borxhit të keq” të KESCO-s në tarifa të ngarkohen 7.32 milionë euro, gati njëjtë si vitin e kaluar që ishte mbi 8 milionë euro.
LEXO HULUMTIMIN E PLOTE:









