Miratohet në lexim të parë projektligji për banim të përballueshëm dhe social në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Projektligji për banim të përballueshëm dhe social synon të adresojë një nga sfidat më të mëdha të qytetarëve – sigurimin e banimit të dinjitetshëm për të gjitha kategoritë shoqërore. Përmes tij krijohet baza ligjore për zhvillimin e politikave që mbështesin familjet në nevojë dhe grupet e cenueshme, duke rritur qasjen në banesa të përballueshme në të gjithë vendin.

Sipas autoriteteve, ky ligj pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në rritjen e mirëqenies sociale, duke ofruar mundësi më të mëdha për strehim për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, deputetët miratuan edhe Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore, i cili synon të sigurojë investime të qëndrueshme në mbrojtjen dhe zhvillimin e ujërave në vend. /Buletini Ekonomik/