ZRrE s’e përfill as sivjet rekomandimin e ZKA-së për “borxhin e keq” të KESCO-s

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk e ka zbatuar as sivjet një rekomandim të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për korrigjim të një kosto që për vite me radhë dyshohet se u ngarkua në tarifat e energjisë elektrike në mënyrë të gabuar dhe në dëm të konsumatorëve të rrymës.
Bëhet fjalë për borxhin e keq të KESCO-s, një kosto që sipas ZKA është ngarkuar në tarifat e energjisë elektrike përmes një metode të gabuar dhe paushall.
“Borxh i keq” quhen faturat që KESCO nuk ka arritur t’i arkëtojë nga konsumatorët që nuk kanë paguar. Në vend që ta mbulojë vetë këtë humbje, kompania e përfshin në çmimin e energjisë, që paguhet nga të gjithë.
Gjetje dalin nga raporti i ZKA “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”, i hartuar në vitin 2019.
Në këtë raport thuhet se ZRrE zbatoi një metodë paushall për kualifikimin e kësaj kostoje, duke aplikuar një nivel të borxhit të keq prej 4 për qind, ndërsa auditorët e shtetit gjetën se është dashur të zbatohet niveli prej 1 për qind.
Auditorët po ashtu gjetën se borxhi i keq u kualifikua pa një analizë mbi vjetërsinë e borxhit, një parakusht ky sipas standardeve të kontabilitetit.
Nga viti 2013 deri me 2025, në emër të borxhit të keq janë ngarkuar në tarifa rreth 130 milionë euro, që sipas ZKA dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve të rrymës.
Buletini Ekonomik në fillim të këtij viti ka publikuar një hulumtim të gjerë për këtë problematik. As atëherë e as tash, ZRrE nuk u është përgjigjur pyetjeve të mediumit se pse nuk është zbatuar ky rekomandim i ZKA që nga viti 2019.

‘Borxhi i keq’ i KESCO-s u ngarkua në tarifa ‘paushall’, dyshohet për dëm dhjetëra milionësh ndaj konsumatorëve

Këtë çështje tashmë është duke e hetuar Zyra e Avokatit të Popullit, sipas një përgjigje të mëhershme dhënë Buletinin Ekonomik.
Ndërsa nga ZKA nuk kanë treguar se cilat veprime i kanë ndërmarrë ndaj ZRrE-së, për moszbatim të këtij rekomandimi.
Sipas raportit konsultativ për KESCO, për sivjet ZRrE ka propozuar që në emër të borxhit të keq të KESCO-s në tarifa të ngarkohen 7.32 milionë euro, gati njëjtë si vitin e kaluar që ishte mbi 8 milionë euro.

Pas hulumtimit për ‘borxhin e keq’ të KESCO-s, aktivizohet Avokati i Popullit, pritet të hapë rast për shkelje të të drejtave të konsumatorëve