BE-ja ndryshon mënyrën e shpërndarjes së fondeve për Ballkanin Perëndimor, Kosova ndër vendet e prekura

Bashkimi Evropian (ilustrim)

Bashkimi Evropian do të ridrejtojë fondet për reformat në Ballkanin Perëndimor drejt vendeve që po ecin më shpejt në procesin e integrimit, si Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa vendet e tjera po hasin vështirësi në përmbushjen e afateve për reformat.

Komisioni Evropian pritet të rishpërndajë fondet në kuadër të instrumentit të krijuar për të nxitur financiarisht vendet e Ballkanit Perëndimor që të zbatojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, duke favorizuar vendet që konsiderohen “kryesuese”, thanë për Euronews dy zyrtarë të BE-së.

Instrumenti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor u krijua në vitin 2024 për t’u ofruar vendeve kandidate mbështetje financiare, e cila kushtëzohet me përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësim në bllok.

Ky instrument mbulon periudhën 2024-2027, me synimin për të dyfishuar madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, sipas të dhënave të vetë Komisionit, deri më tani janë disbursuar vetëm rreth 673 milionë euro nga gjithsej 6 miliardë euro të parashikuara. Pothuajse e gjithë kjo shumë ka shkuar vetëm për tre nga gjashtë vendet kandidate.

Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit falë agjendave të tyre të reformave. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia konsiderohen se kanë mbetur prapa.

Instrumenti kërkon që reformat të përmbushen brenda afateve të dakorduara. Nëse një afat nuk respektohet, Komisioni mund të pezullojë një pjesë ose të gjitha fondet që lidhen me atë kusht.

Përfituesit kanë një vit kohë për të përmbushur kushtet para se fondet të rishpërndahen, me përjashtim të vitit të parë, kur afati zgjatet në dy vjet. Kjo do të thotë se fundi i muajit qershor shënoi afatin e parë të tillë.

“Siç parashikon rregullorja, nëse hapat e reformës nuk përmbushen dhe skadon periudha shtesë, fondet përkatëse mund të rishpërndahen te përfituesit e tjerë,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Euronews.

“Lidhur me hapat që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv për të gjithë përfituesit,” shtoi ai.

Me fjalë të tjera, Komisioni do t’i ridrejtojë fondet e papërdorura drejt vendeve që konsiderohen se kanë bërë përparimin më të madh në reforma.

Humbësja më e madhe pritet të jetë Bosnja dhe Hercegovina, e cila deri tani nuk ka marrë asnjë fond nga ky instrument, pasi nuk ka përmbushur asnjë nga reformat e kërkuara, kryesisht për shkak të strukturës së saj të ndërlikuar institucionale. Edhe Kosova dhe Serbia pritet të jenë në disavantazh pasi rrezikojnë të humbin një pjesë të financimeve.

Kjo situatë ishte sinjalizuar që në prill, kur komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u dërgoi letër të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje të përshpejtojnë reformat ose të rrezikojnë humbjen e fondeve të ofruara nga ky instrument.

Zyrtarët e BE-së theksojnë se ky instrument ofron fonde nxitëse: Komisioni nuk po u heq para vendeve, pasi ato nuk kishin të drejtë t’i merrnin nëse nuk zbatonin reformat përkatëse.

“Është si të punosh me pagesë për orë. Paguhesh vetëm për punën që bën,” tha një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Komisioni pritet t’u japë shteteve anëtare më shumë detaje mbi këtë çështje më vonë gjatë këtij muaji, përfshirë shumën e fondeve që do të rishpërndahen.

“Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që ata të përfitojnë sa më shumë nga ajo që ofron Plani i Rritjes,” tha zëdhënësi i Komisionit.

Ditën e djeshme u konfirmua se Kosova pritet të humbasë mbi 40 milionë euro nga 882 mln euro që i takojnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë brenda afatit reformat e parapara në Agjendën e Reformave të cilat kishin afat shtesë deri më 30 qershor 2026.

Kështu bëri të ditur koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, i cili ka thënë se fondet për hapat që nuk janë zbatuar brenda periudhës shtesë nuk mund të rikuperohen.

“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, paratë humbin. Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërsa gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t’i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar”, ka thënë Zulfaj në një konferencë për media. /Reporteri.net/

Më shumë:

GLPS: Kosova rrezikon të humbasë 90.6 milionë euro nga Plani i Rritjes

Reklama e sponzorizuar