Kosova pritet t’i humbë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes

Foto: KOHA

Kosova pritet të humbasë mbi 40 milionë euro nga 882 mln euro që i takojnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë brenda afatit reformat e parapara në Agjendën e Reformave të cilat kishin afat shtesë deri më 30 qershor 2026.

Kështu bëri të ditur të mërkurën (1 korrik) koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, i cili ka thënë se fondet për hapat që nuk janë zbatuar brenda periudhës shtesë nuk mund të rikuperohen.

“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, paratë humbin. Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërsa gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t’i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar”, ka thënë Zulfaj në një konferencë për media.

Reformat që nuk u përfunduan në kohë përfshijnë Ligjin për Energjinë dhe Energjinë Elektrike, sistemin e kontrollit të ndihmës shtetërore, Ligjin për Inovacionin, Ligjin për Kamatëvonesat, pakon e ligjeve për reformën në drejtësi, përfshirë ato për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), si dhe Strategjinë për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Sipas Zulfajt, rreth 83 për qind e reformave që mbetën pa u përmbushur u varen nga miratimi i tyre në Kuvend. Ai theksoi se, megjithëse këto ligje nuk do të ndikojnë më në lirimin e këtyre fondeve, ato do të vazhdojnë të procedohen dhe zbatohen.

Ai bëri të ditur se Kosova më 16 korrik do ta dorëzojë kërkesën e parë për lirimin e fondeve për të gjitha reformat e përmbushura deri në fund të qershorit, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komisioni Evropian brenda 90 ditësh nga paraqitja e kërkesës.

Sipas Zulfajt, Agjenda e Reformave përmban gjithsej 111 hapa. Deri më tani janë në zbatim ose janë trajtuar 62 hapa, prej të cilëve 15 janë përfunduar dhe për ta do të kërkohet lirimi i fondeve.

Ai shtoi se 49 hapa të tjerë janë ende në proces zbatimi, ndërsa 27 prej tyre kanë afat deri në fund të këtij viti./Koha.net/

Më shumë: 

GLPS: Kosova rrezikon të humbasë 90.6 milionë euro nga Plani i Rritjes