Rritja e numrit të inspektorëve në vend, nevojë e kahershme

Është mëse e domosdoshme ç’bllokimi dhe rikthimi i aktivitetit të institucioneve që trajtojnë ecurinë e çmimeve, ndërsa rritja e numrit të inspektorëve të tregut përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbikëqyrjes së tregut.

Buletini Ekonomik

Paralajmërimi i ditë më parë i ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, se nga muaji gusht numri i inspektorëve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të rritet nga 25 në 43 dhe synimi që deri në fund të vitit ky numër të arrijë në 100 inspektorë, shpërfaq gjithsesi një fije shprese se mbrojtja e konsumatorëve dhe forcimi i mbikëqyrjes së tregut në Kosovë, më në fund, do të nisë të bëhet çështje e trajtimit më serioz nga institucionet e vendit.

Ministrja Kusari-Lila tha, me rastin e paralajmërimit për rritje të numrit të inspektorëve, se rritja e kapaciteteve të inspektoratit synon të sigurojë mbrojtje më efektive për qytetarët nga manipulimet, mashtrimet dhe shkeljet në treg dhe se forcimi i inspektoratit do të ndikojë në rritjen e sigurisë së konsumatorëve dhe në garantimin e një tregu më të drejtë dhe më të rregulluar.

Gjithsesi, rritja e kapaciteteve të inspektoratit, gjegjësisht e numrit të inspektorëve të tregut në vend, ka qenë nevojë e kahershme.

Në mungesë të inspektorëve dhe kontrollit të domosdoshëm të tyre në rrjetet tregtare të vendit, në Kosovë çmimet e të gjitha produkteve, por veçanërisht të produkteve ushqimore elementare, në të shumtën e rasteve, në këto vite, kanë qenë në rënie të lirë.

LEXO MË SHUMË:

MINTI synon 100 inspektorë të tregut deri në fund të vitit, aktualisht janë vetëm 25

Reklama e sponzorizuar

Në këtë mënyrë, sektori i çmimeve në vend është bërë thuajse me përmasa të një gjendjeje kaotike dhe goxha destabilizues i mirëqenies dhe gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër. Sepse çmimet e larta të të gjitha produkteve, veçmas të atyre ushqimore elementare, në Kosovë reflektohen tejdukshëm, sidomos në ç’ekuilibrimin e gjendjes sociale të një numri të madh qytetarësh, në mirëqenien e tyre, në futjen në borxh të shumë familjeve te bankat komerciale me kredi të mbijetesës dhe në varfërimin gjithnjë e më evident të kosovarëve. Ndërsa, çmimet e larta të barnave, të shërbimeve dhe produkteve të tjera medicinale reflektojnë drejtpërdrejt në mbijetesën e mijëra të moshuarve kosovarë.

Ndërkohë, ndër vite në vend, pak kush është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët abuzivë në vitet e fundit.

Kanë munguar, në të shumtën e rasteve, edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme, edhe të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve, për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë edhe më tutje vazhdojnë të rriten thuajse shumica e produkteve, edhe ato të shportës, edhe produktet e higjienës, edhe shumë produkte të tjera. Dhe pse tregtarët e Kosovës nuk ndjekin tendencat dhe trendet e uljes së çmimeve në botë, por gjithnjë gjejnë ndonjë pretekst, qoftë edhe inekzistent, për të vendosur çmime të reja më të larta.

Siç dihet, fillimisht pretekst për ngritjen e vrullshme të çmimeve për tregtarët e këtushëm ishte pandemia, pastaj një pretekst tjetër dhe një valë e re ngritjesh të egra çmimesh ndodhi me nisjen e luftës ruso-ukrainase. Dhe nuk u ndalën pretekstet për ngritje çmimesh.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike shërbeu si shkas për të vazhduar ngritja zinxhirore e çmimeve të shumë produkteve. Dhe ç’është më keq, si pasojë e ngërçit politik që po vazhdon që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kaosit në sektorin e çmimeve në Kosovë, praktikisht, nuk pati kush t’i dalë përpara.

Ngërçi politik, praktikisht, i ka bërë inekzistente edhe institucionet e vetme që, në njëfarë mënyre, kanë pasur mundësi dhe kompetencë t’i bëjnë njëfarë kontrolli tendencës së ngritjes së egër dhe jashtë çdo logjike ekonomike të çmimeve.

Në gusht të vitit të kaluar raportohej se, ndër 17 institucionet e vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave u është vështirësuar në masë të ndjeshme puna ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës, është edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet e jashtëligjshme të çmimeve.

Ky institucion tash e sa muaj ishte jofunksional për shkak të moskompletimit të bordit me numrin e nevojshëm të anëtarëve.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës për shumë kohë kishte vetëm 3 anëtarë të Bordit, ndërkohë që, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ketë 5 anëtarë. Është institucion që i jep llogari Kuvendit, prandaj edhe organi më i lartë legjislativ është ai që bën përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të këtij institucioni.

Nuk është bërë publik ndonjë informacion nëse, në mungesë të Kuvendit, Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të mbetet jofunksional dhe si i tillë ende nuk mund të marrë vendime, as të shqiptojë sanksione kundër shkelësve të ligjit në sektorin e çmimeve, e as ndaj atyre për të cilët është konstatuar se kanë ngritur në mënyrë të jashtëligjshme dhe në koordinim me njëri-tjetrin çmimet e produkteve të tyre.

Sidoqoftë, një orë e më parë duhet të funksionalizohen dikasteret qeveritare, qoftë edhe në detyrë. Duhet të “shkunden” pak edhe në këto rrethana të ngërçit politik për të ç’bllokuar, apo për ta rikthyer aktivitetin edhe në mesin e 17 institucioneve të vendit, të identifikuara në gusht të vitit 2025 nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave u ishte vështirësuar në masë të ndjeshme puna.

Ndoshta ndonjëra nga këto institucione do të kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet e jashtëligjshme të çmimeve dhe, bashkë me numrin e rritur të inspektorëve të tregut, do të shtonin kontrollet e domosdoshme për të parandaluar sado pak ngritjen e egër të çmimeve, por edhe shumë veprime të kundërligjshme në tregjet tona. /Buletini Ekonomik