Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 578.3 milionë euro, eksportet shënojnë rritje prej 26.9%

Deficiti tregtar i Kosovës ka arritur në 578.3 milionë euro në muajin qershor 2026, duke shënuar një rritje prej 16.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishte 498.3 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti i mallrave gjatë qershorit arriti në 102.0 milionë euro, ndërsa importi në 680.3 milionë euro.

Krahasuar me qershorin e vitit 2025, eksportet u rritën për 26.9%, ndërsa importet shënuan rritje prej 17.6%.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së eksporteve, ato mbuluan vetëm 15.0% të importeve.

Në strukturën e eksporteve dominojnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, që përbëjnë 27.4% të totalit, pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7%, plastika dhe goma me 10.6%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.7% dhe produktet minerale me 7.1%.

Ndërsa, sa u përket importeve, pjesën më të madhe e zënë produktet minerale me 15.2%, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 13.0%, mjetet e transportit me 12.0%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.9%, si dhe metalet bazë me 9.8%.

Eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 32.5 milionë euro, ose 31.9% të eksporteve totale, duke shënuar rritje prej 17.7%. Gjermania mbeti partneri kryesor eksportues në BE, e ndjekur nga Holanda dhe Italia.

Nga ana tjetër, importet nga BE-ja arritën në 304.9 milionë euro, ose 44.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje vjetore prej 22.2%. Këtu, Gjermania, Italia dhe Polonia ishin furnizuesit kryesorë.

Ndërkohë, tregtia me vendet e CEFTA-s vazhdoi të ketë peshë të konsiderueshme. Eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 44.0 milionë euro, ose 43.1% të eksporteve totale, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si destinacionet kryesore. Importet nga CEFTA arritën në 98.7 milionë euro, ku pjesën më të madhe e zënë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia.

Sa i përket tregtisë me vendet e tjera, eksportet e Kosovës arritën në 25.5 milionë euro, ku Zvicra dhe Turqia ishin destinacionet kryesore. Në anën tjetër, importet nga këto vende arritën në 276.7 milionë euro, me Kinën dhe Turqinë si burimet më të mëdha të importeve të Kosovës.