“Paga mujore mjafton deri në gjysmë të muajit; nëse del ndonjë shpenzim i paplanifikuar, duhet të marr hua”, thotë Isuf Lajçi, mësimdhënës i matematikës në Shkollën Fillore “Dardania” në Pejë.
Paga bruto e një mësimdhënësi në shkollat fillore të Kosovës është bërë 588 euro qysh në shkurt të këtij viti, nga 421 euro sa ka qenë deri atëherë.
Rritja është realizuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për paga, sipas të cilit, vlera e koeficientit të pagave për punonjësit e sektorit publik është bërë 105 euro.
Koeficientet janë nga niveli 2 deri në 18. Niveli shumëzohet me vlerën dhe përcakton pagën.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Lajçi thotë se këtë vlerë të koeficientit e ka zhvlerësuar tashmë inflacioni.
Sipas tij, rritja e çmimeve të të gjitha produkteve ushqimore dhe shërbimeve e ka bërë të vështirë sigurimin e artikujve të nevojshëm për jetesë.
“Më herët, me 100 euro i kam marrë produktet e nevojshme, kurse tani për të njëjtat produkte më nevojiten 300 euro”, shprehet Lajçi, i cili ka familje 7-anëtarëshe.
Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind, kurse në muajin shtator të këtij viti norma e inflacionit ka qenë 4.2 për qind.
Për rrjedhojë, thotë mësimdhënësi 62-vjeçar, vlera e koeficientit duhet të jetë mbi 150 euro.
“Tash është fundi i muajit. Lutem të mos kem nevojë për ndonjë kontroll te mjekët, sepse nuk ia dal dot. Deri në gjysmën e muajit – nëse nuk kam probleme shëndetësore – e kaloj, e kaloj me pagë. Gjysmën tjetër, nuk e di…”, thotë ai, pa vazhduar më gjatë.
Mundësinë e rritjes së koeficientit të pagave, Kuvendi i Kosovës e nxori të enjten në një seancë të jashtëzakonshme, por votimi për projektrezolutën u shty në mungesë të kuorumit.
Seanca u iniciua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kërkoi që koeficienti i pagave të rritet në 129 euro, dhe u mbështet nga partitë tjera opozitare.
Por, para fillimit të debatit parlamentar, Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi që të përmbyllen fillimisht pikat e mbetura të seancave të kaluara dhe pastaj të vazhdohet me punimet e seancës së jashtëzakonshme.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk pranoi kështu dhe Vetëvendosja e braktisi seancën.
Në debatin që vazhdoi, Besnik Tahiri i AAK-së tha se rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve ka shkaktuar “situatë alarmante”.
Ai tha se vlera e koeficientit të pagave duhet të rritet në kuadër të buxhetit të shtetit për vitin 2024.
“Kjo do të thotë rritje e fondit vjetor të pagave për 23 për qind, ose në shifra absolute nga 745 milionë euro – aq sa është fondi i pagave për këtë vit – të shkojë në 916 milionë euro”, tha Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se qytetarët, për shkak të pagave të ulëta, po e braktisin Kosovën.
“Njerëzit janë duke parë çdo mundësi për të ikur nga Kosova, për një jetë më të mirë, për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha Tahiri.
Besian Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se është “fatkeqësi” refuzimi i partisë në pushtet për të debatuar për çështje në interes të qytetarëve.
“Në tre vjetët e këtij pushteti 2021, 2022 dhe tashmë më 2023… inflacioni i përgjithshëm ka kaluar shifrën mbi 20 për qind, ndërsa nëse e analizojmë inflacionin te produktet esenciale, në shumicën e kalon normën prej 100 për qind”, u shpreh Mustafa.
Ekspertët: Duhet të rritet vlera e koeficientit
Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Qeveria duhet ta rrisë vlerën e koeficienti të pagave, për shkak të inflacionit.
Sipas tij, vlera aktuale është e pamjaftueshme për mirëqenie sociale dhe, njëherësh, nuk siguron punë efektive.
“… sepse, nuk ka rritje të madhe të të punësuarve në sektorin publik. Prandaj, rritja e koeficientit nga 105 në 129 euro do të ndikonte në uljen e tensioneve sociale në Kosovë. Me këtë koeficient, aktualisht, është shumë vështirë të përballohet inflacioni”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.
Për më tepër, shton ai, Qeveria ka mundësi ta rrisë buxhetin e përgjithshëm për pagat.
“Qeveria nuk është në gjendje ta shpenzojë buxhetin… Edhe fondi për pagat, prej rreth 750 milionë eurosh, do të ketë teprica të theksuara – deri në 20 për qind – për shkak të pensionimit të punëtorëve, mospunësimit të punëtorëve të rinj…”, thotë Bektashi.
Buxheti i shtetit të Kosovës për këtë vit është 3.2 miliardë euro.
Mjetet buxhetore që nuk shpenzohen gjatë vitit fiskal, kthehen në suficit, apo në projekte të tjera. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, suficiti ka arritur në 52.9 milionë euro.
Në sektorin publik të Kosovës janë mbi 83 mijë punonjës.
Sipas Agjencisë së Statistikave në vend, paga mesatare është 521 euro. /REL/