Ministria e Ekonomisë ka ftuar sërish qytetarët dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të aplikojnë për subvencionim në sistema diellore për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum, të financuar nga Komisioni Evropian.
Sistemet për familje subvencionohen me 250 €/kWp dhe deri në 1,750.00 €
Sistemet për biznese subvencionohen: Për kapacitetet instaluese 3-9 kWp, 250 €/kWp dhe deri në 2,000.00 €. Për kapacitetet instaluese 10 kWp ose më shumë, 200 €/kWp dhe deri në 6,000.00 €.
Ndërsa ndërmarrjet në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, subvencionohen me 200€ më shumë.
Në fillim të muajit shkurt, Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe Ndërmarrjeve të Mesme dhe të Vogla për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme.
Në ceremoninë inauguruese, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se përmes subvencioneve do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.
Aplikimi është i hapur deri më 31 maj 2024. Përmes kësaj mundësie, përfituesit do të kontribuojnë edhe në energjinë e ripërtëritshme.