Ujdia me MCC-në: Kosova ia kalon botës për kapacitete të baterive për kokë banori

Nga data 30 prill 2024, ka hyrë në fuqi programi Kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), i cili do të vendosë Kosovën në rend të parë të zhvillimeve botërore të energjisë.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi se me këtë ujdi të arritur Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

Reklama e sponzorizuar

“Me rezerva prej se paku 340 MWh, Kosova do të bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë!”, shkroi Rizvanolli.

“Sapo nënshkruam marrëveshjen e hyrjes në fuqi të programit me Cameron Alford, Zëvendëspresident në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)”.

“Programin e kemi dizajnuar dhe përgatitjet intensive i kemi përfunduar me sukses së bashku ekipet e Kosovës e të MCC-së, në një partneriteti të shkëlqyeshëm”.

Ajo potencoi se ky partneritet do të vazhdojë me po të njëjtin përkushtim në mënyrë që të ndërtojnë infrastrukturë kyçe për një sektor modern e të pastër të energjisë, e njëkohësisht të sigurohen “që – të parët në rajon – të rinjtë e të rejat tona i aftësojmë e i përfshijmë në këtë sektor dinamik që do të krijojë vende të punës”.