Qytetarët marrin paratë për pajisje për efiçiencë, por i shpenzojnë diku tjetër

Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente, shumë të cilën e vlerëson si më të lartën deri tani. Por disa nga këto mjete që janë marrë nga qytetarët dhe nuk janë përdorur për qëllimin e dhënë nga ministria.

Qeveria e Kosovës  në shtator të vitit 2023 ka ndarë 30 milionë euro, për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo është shuma më e lartë financiare që Qeveria, në bashkëpunim më Bashkimin Evropian, ka ndarë për subvencionimin e këtyre pajisjeve.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, sipas burimeve të televizionit, ka dyshime se disa nga këto mjete janë keqpërdorur nga qytetarët.

Ata kanë marrë paratë, por që nuk i kanë shfrytëzuar për qëllimin e dhënë.

Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë veprime dhe ka hartuar një grup për këtë lëshim.

Por, i pyetur nga Dukagjini, ky institucion që nga e mërkura ka premtuar se do të japë sqarime, por që nuk e ka bërë ende një gjë të tillë.

Dyshimet për keqpërdorim i konfirmon edhe anëtarja e komisionit për ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Valentina Bunjaku.

Ajo thotë se me datë 25 të këtij muaji do t’i kërkojë llogari Rizvanollit në raportimin e saj në komision.

“Ajo është dashtë me formu grupin hetimor qysh në fillim, edhe subvencionimi duhet të dihet qysh të realizohet. Jo vetëm për këtë, do ta pyes edhe për çështje tjera , megjithatë në këtë pikë është munduar të fshihet ky dështim”, ka deklaruar Valentina Bunjaku, anëtare e Komisionit për Ekonomi në Kuvend.

Bunjaku thotë se gjithë ky lëshim ka ardhur nga mosdija dhe tendenca që të mos konsultohen me njerëz të fushës.

E një njohëse e kësaj fushe thotë që investimi në efiçiencë është më i nevojshëm se kurrë, veç që kur ndodh një subvencionim i tillë duhet të informohen qytetarët për  rëndësinë e tij.

“Një prej problemeve është edhe informimi i qytetarëve, bizneseve, etj në lidhje me rëndësinë, e informimit se sa është e nevojshme një investim i tillë, dhe jo të lejohen lëshime sikurse kjo e fundit”, është shprehur ekonomistja Zana Beqiri.

Ne investimet për efiçiencë, Kosova këtë vit ka marrë miliona euro edhe nga BE-ja./Tv Dukagjini/