Sot, një komplet prej 30 copë vezësh në shumë tregje të vendit saktësisht kushton 3,50 euro, që i bie ngritje çmimi përafërsisht 50 për qind, në krahasim me çmimet e këtij produkti në muajin maj dhe qershor të këtij viti.
Buletini Ekonomik
Ka disa ditë, më saktësisht që nga fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit, që në tregjet e Kosovës (në shitore të specializuara, në minimarkete, markete dhe megamarkete, në tregje të gjelbra) bie në sy ngritja e hovshme e çmimit të vezëve. Më saktësisht, që nga shtatori dhe fillimi i tetorit, në zingjirin e shitoreve të specializuara të prodhuesit më eminent të produkteve të shpezëve në vend, që tashmë, në njëfarë mënyre vlerësohet ndër konsumatorë dhe shërben si referencë për të parë ecurinë e çmimeve të produkteve të shpezëve, çmimi i vezëve ka nis të ngritet, madje jo pak.
Çmimet e ulura gjatë majit dhe qershorit, që për ca ditë prekën minimumin prej 2 eurosh, madje edhe 1,8 eurosh, për një amballazhim prej 30 copë të këtij produkti, tani praktikisht janë dyfishuar. Sot, një komplet vezësh (30 copë, pra) saktësisht kushtojnë 3,50 euro, që i bie ngritje përafërsisht çmimi 50 për qind. Duhet konstatuar se kjo rritje është bërë gradualisht.
Fillimisht, diku kah gjysma e gushtit, çmimi prej 2 eurosh për 30 copë vezë, u ngrit në 2,50, e në 2,70, për të arritur në nivelin 2,90 euro për 30 copë vezë, dhe ky çmim mbajti disa javë. Në fund të shtatorit, kompleti prej 30 copë vezësh shkoi në 3,30 euro, ndërsa në javën që shkoi i njëjti komplet pati çmim të ri të ngritur prej 3,40 eurosh, për të kulmuar sot në 3,50 euro.
Vrojtuesit e ecurive të çmimeve të vezëve, produktit që konsumohet kushtimisht më shumë nga shtresat e varfëra në Kosovë, për shkak të çmimit të kapshëm deri këtyre ditëve, kanë saktësuar se vetëm brenda një jave (nga e shtuna e kaluar kur një komplet vezësh kushtonte 3,40 euro deri më sot (e enjte), kur çmimi i ri i ngritur ka shkuar në 3,50 euro, çmimi i vezëve në tregjet kosovare është ngritur 2 herë. Përafërsisht me të njëjtin çmim, rreth 3,5 euro, sot, 30 copë vezë tregtoheshin edhe në shtandet e tregjeve të gjelbra, por edhe në minimarkete, markete dhe supermarkete të shumta të Prishtinës. Ndërkaq, supermarketët dhe qendrat e mëdha tregtare ku dominojnë produktet ushqimore, çmimin e vezëve edhe tani në raste po e përdorin dhe po e shfrytëzojnë për të promovuar ulje çmimesh (të ashtuquajturat aksione), ku 30 copë vezë mund të gjenden mbase edhe me rreth 3 euro dhe nën këtë çmim.
Nuk ka shpjegime bindëse nga tregtarët për fluksin e rinisjes së ngritjes së çmimit të vezëve në Kosovë. Për shkaqet e rikthimit të çmimeve të ngritura të vezëve, pas uljes që u shënua për disa javë në pranverë dhe fillimin e stinës së verës, askush nga tregtarët, pos hamendësimeve, nuk ka ndonjë shpjegim të saktë. Shumë tregtarë, theksojnë se rëndom, në këtë sezon, ngritet çmimi i vezëve. Sidoqoftë, siç dihet, në Kosovë ka prodhues të shumtë dhe me kapacitete të mëdha të pularive, dhe vërehet gjithandej se tregu i vendit është i mbushur me këtë produkt, ku domonojnë vezët e prodhuara në vend. Por, nëse vazhdon edhe më tej rritja e çmimit të vezëve, edhe suksesivisht, siç ndodhi këtyre ditëve, sipas njohësve të tregut dhe vrojtuesve më të vëmendshëm të lëvizjeve të çmimeve në tregjet e Kosovës, domosdo do të paraqitet nevoja për të importuar edhe vezë.
Gjithmonë, konkurrenca e krijuar qoftë edhe me import, ka qenë njëfarë stabilizatori i ecurive të çmimeve te shumë produkteve. Kështu ndodhi edhe në muajt e pranverës kur çmimi i 30 copë vezëve ishte 2 euro, dhe kur shkaku që ndikoi në uljen e ndjeshme të çmimit të këtij prodhimi ishte kryekëput importi i një sasie të madhe vezësh dhe stërmbushja e tregut kosovar me këtë produkt. /Buletini Ekonomik/