Një muaj nga bllokimi i llogarive, Sindikata e Telekomit: Ftojmë Prokurorinë të hetojë kontratën me Z Mobile

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Sindikata e punëtorëve të ndërmarrjes publike “Telekomi i Kosovës”, me anë të një komunikate, ka reaguar lidhur me bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës tash e një muaj, veprim ky i ndërmarrë nga përmbaruesi privat me kërkesë të ish-pronarëve të Z Mobile.

Nga kjo Sindikatë thonë se tash e një muaj, mijëra punëtorë të Telekomit janë lënë pa paga dhe se është bllokuar funksionimi i përditshëm i ndërmarrjes. Siç thonë ata, kjo ka bërë të krijohet një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj.

“Ndërsa ne përballemi me pasojat e kësaj afere të gjatë kriminale që ka gërryer Telekomin e Kosovës ndër vite, institucionet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë, vazhdojnë të heshtin”, shtojnë nga kjo Sindikatë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, mungesa e veprimit nga ana e Prokurorisë jo vetëm që inkurajon padrejtësinë, por gjithashtu sinjalizon mosinteresim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe të pronës publike.

Kjo Sindikatë ka kërkuar urgjentisht zgjidhje për këtë problem dhe kanë apeluar disa veprime që duhet të ndërmrren nga përgjegjësit:

  1. Veprim nga Prokuroria – që të nisë hetimet për këtë çështje dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.
  2. Marrje masash nga institucionet relevante, për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij.
  3. Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë.

Tutje, nga Sindikata thonë se në rolin e përfaqësuesve të punëtorëve, ata janë të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në kërkimin e drejtësisë për një kompani që ka mbetur peng i lidhjeve kriminale dhe korruptive.

“Në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovës, kërkojmë që ky abuzim i hapur të marrë fund dhe që drejtësia të vihet në vend”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/