Angazhimi i shtetit në gjithë këto vite për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre dhe mbrojtjen e tyre nga tentativat dhe përpjekjet abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte thuaja inekzistent. Shkurt, konsumatorët në Kosovë, janë jashtë vëmendjes institucionale. Çka tregon shembulli i Australisë?
Mehmet GJATA
Në Kosovë, në vazhdimësi, në të gjitha ditët, në vitet e fundit, konsumatorët janë jashtë vëmendjes institucionale. Ndërkohë, qytetarët ankohen vazhdimisht për keqpërdorime dhe abuzime të shumta dhe të lloj-llojshme brenda për brenda ambienteve tregtare. Ankohen për manipulime dhe shitje të produkteve me afate të skaduara, me mospërputhje të çmimeve në rafte me çmimet në arkë, me reklamim të rrejshëm të tregtimit me zbritje të shumë produkteve ushqimore, me cilësinë diskutabile të mallrave, sidomos të atyre ushqimore. Dhe, në gjithë këto vite, veçanërisht në kohën kur edhe vendi ynë u përfshi nga pandemia COVID19 dhe qëkur nisi lufta ruso-ukrainase, si periudhë e njohur dhe e identifikuar me ngritje të vrullshme dhe enorme të çmimeve të të gjitha mallrave, veçmas të produkteve elementare ushqimore, thuaja asnjë herë, në asnjë momentum të vetëm institucionet e këtij shteti, ato kompetente, pra, që e kanë detyrë dhe obligim nuk shpërfaqën interesim me veprime konkrete institucionale për ta pasur vëmendjen te konsumatorët dhe te mbrojtja e tyre.
Me fjalë të tjera, angazhimi i shtetit për mbrojtjen e konsumatorëve, e që nënkupton ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së tyre, si dhe mbrojtjen nga çdo tentativë dhe përpjekje abuzive të tregtarëve të prirur për manipulime dhe keqpërdorime tregtimi, qoftë me çmime, sasi apo cilësi të produkteve të ekspozuara në treg, ishte thuaja inekzistent. Shkurt, konsumatorët në Kosovë janë jashtë vëmendjes institucionale.
Gjatë hulumtimit të këtij problemi, reporteri i Buletinit Ekonomik regjistroi raste dhe skena goxha të pakëndshme në disa supermarkete dhe megamarkete, që tani shtrihen gjithandej në kryeqytet. Të shtunën e javës së kaluar, një burrë në moshë të mesme, gjatë pagesës në arkën e një supermarketi të një kompanie që tashmë ka emër edhe për nga numri i pikave të tregtimit, reagoi te çmimi i djathit, paketim 800 gramësh, i prodhuesit të njohur të prodhmeve të qumështit te ne “Vita”, të cilin arkatarja ia kishte llogaritur 6,60 euro, ndërsa ai çmimin e këtij djathi në stendën e supermarketit e kishte hasur, madje edhe e kishte fotografuar, me 5,59 euro. Arkatarja, fillimisht nuk lëshonte pe, duke këmbëngulur se arka po e regjistron çmimin më të lartë, ndërsa klienti gjakftohtë kërkonte të shkojnë bashkarisht për ta parë çmimin e djathit për të cilin bëhej fjalë, në shtandin e këtij supermarketi. Këshu, pas insistimit të blerësit, arkatarja dhe klienti bashkarisht mësynë shtandin, dhe u bindën se ishte çmimi që e pohonte klienti. Pas këtij akti, arkatarja e “përmirësoi’ gabimin, duke e paguar sipas çmimit të vendosur në shtand.
Por, nuk është vetëm ky rast i keqpërdorimit dhe abuzimit me çmime nga tregtarët. Rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të tregtarëve evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.
Zyrtarët edhe autoritetet e vendit nuk u shquan deri më sot për parandalimin e keqpërdorimeve të çmimeve, sidomos të atyre të produkteve ushqimore brenda për brenda ambienteve të marketeve dhe supermarketeve të shumta anëkënd vendit. Në anën tjetër, asociacionet e ndryshme, OJQ që merren me të drejtat e konsumatorëve, më shumë shquhen me evidentimin e këtyre parregullsive, se sa me ndonjë efekt në parandalimin e abuzimeve të tejdukshme. Këto asociacione vazhdojnë të konstatojnë se një nga shkaqet e forta të manipulimeve dhe abuzimeve të tregtarëve, ende sot e kësaj dite, është mungesa e inspektorëve dhe kapacitetet e limituara njerëzore.
Një nga insistuesit e kahershëm të domosdosë së mbrojtjes institucionale të konsumatorëve, Selatin Kaçaniku, ka potencuar disa herë pasojat e mungesës së inspektorëve për t’i mbikëqyrur parregullsitë në rrjetet tregtare kosovare. Por, ende, nuk ka numër inspektorësh të mjaftueshëm as në nivelin qendror, as në atë komunal.
Dihet, Kosova ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve në qershor të vitit 2004 dhe i njëjti përfshin të drejtën e informimit, sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Por, edhe legjislacioni në fuqi në Kosovë, akoma sot e kësaj dite, është shumë larg së bashkëjetuari me konsumatorin kosovar. Ata akoma, as që i pyet ndokush për ndonjë gjë, për ndonjë proces të ecurive të konsumit, të ecurive të çmimeve, të tregtimit të produkteve me afate të skaduara dhe të atyre me cilësi të diskutueshme. Edhe në shtetet e shumta të botës, madje edhe ndër ato të fuqishme dhe të imponuara me rregulla strikte, ka keqpërdorime dhe do të kishte edhe më shumë, po të mos ishte vëmendja e shtuar e shtetit për të vëzhguar sektorin e tregtisë gjithanshëm, ndërsa për keqpërdoruesit eventual, pa një pa dy, vazhdojnë të pasojnë sanksionet e merituara.
Një veprim i institucioneve të shtetit të Australisë, i ndërmarrë ditë më parë ndaj keqpërdoruesve dhe abuzuesve me çmime, është mbresëlënës. Mbikëqyrja e konsumatorit në Australi kishin paditur dy zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve në vend, duke theksuar se ata pretenduan në mënyrë të rreme se kishin ulur përgjithmonë çmimet e qindra artikujve. Komisioni australian i Konkurrencës dhe Konsumatorit (AÇC) pretendon se “Coles” dhe “Woolworths” thyen Ligjin e konsumatorit, duke rritur përkohësisht çmimet përpara se t’i ulnin në një vlerë ose të njëjtë ose më të lartë se kostoja origjinale. Gjigantët e ushqimeve, të cilët përbëjnë dy të tretat e tregut australian, janë vënë nën kontroll në rritje vitin e kaluar mbi pretendimet për rritje të çmimeve dhe praktikat anti-konkurruese. Kryeministri Anthony Albanese tha se sjellja e supozuar, nëse vërtetohet se është e vërtetë, është “plotësisht e papranueshme”.
“Kjo nuk është në frymën australiane. Konsumatorët nuk meritojnë të trajtohen si budallenj”, tha ai në një konferencë shtypi, në të cilën zbuloi gjithashtu projektligjin për një “kod sjelljeje” të premtuar më parë për supermarketet.
Kryetarja e AÇC, Gina Cass-Gottlieb, tha se “Coles” dhe “Woolworths” kanë shpenzuar vite të tëra duke reklamuar promovimet e tyre ‘Çmimet e ulura’, të cilat blerësit australianë tani e kuptojnë se përfaqësojnë një ulje të qëndrueshme në çmimet e rregullta të produkteve. Por në shumë raste, “uljet ishin në fakt iluzore”, shtoi ajo. Hetimi i mbikëqyrësit – i nxitur nga ankesat dhe monitorimi i vetë AÇC – zbuloi se “Ëoolëorths” kishte mashtruar klientët për rreth 266 produkte gjatë 20 muajve, dhe “Coles” për 245 produkte gjatë 15 muajve.
Është e qartë se në aspektin e mbrojtjes së konsumatorit, nuk mund të krahasohet në asnjë mënyrë Australia dhe Kosova, por shembulli duhet të jetë, doemos, frymëzues edhe për kompetentët këtu ndër ne, që duhet të ndërmerren masat e domosdoshme institucionale për mbrojtje të konsumatorëve. Ndryshe, abuzuesit dhe keqbërësit do të vazhdojnë të abuzojnë vrazhdë dhe me agresivitet me çmime, sikundër kanë bërë vazhdimisht në këto vite.
Konsumatori i varfër kosovar, siç dihet edhe nga statistikat zyrtare, gjatë tërë periudhës së viteve 2022 dhe 2023, sidomos, u përballë me çmime rekorde, më të lartat në botë, të cilat i aplikuan tregtarët por edhe prodhuesit shqiptarë të Kosovës, përfitues të situatave të krizës, abuzues ordinerë, pak a shumë me identitet të njohur që më parë (të evidentuar për veprime të njëjta në shumë raste më përpara), qoftë te disa produkte elementare ushqimore, qoftë te karburanet, por edhe te produktet e tjera më pak të konsumueshme. Në këtë mënyrë, me këto çmime rekorde, konsumatori i skamur kosovar u vu para aktit të kryer nga ky soj tregtarësh, të cilët duke shfrytëzuar situatën, jo në pak raste u drejtohen konsumatorëve me shpërfillje totale: ”Lëre, ose merre”, pavarësisht çmimit enorm dhe të ngritur në stratosferë.
Natyrisht, këta tregtarë, me kohë kishin propaganduar pa rreshtur dhe nëpërmjet shpalljeve publike të vendosura në shtandet e produkteve qenësore ushqimore, se gjoja sasia e produktit me çmim rekord botëror “është e limituar”, prandaj edhe ofronin produkte numerikisht të kufizuara për blerësit. Dhe, konsumatori i skamur i Kosovës, i alarmuar jo pak nga kjo propagandë e tregtarëve mashtrues, në jo pak raste, është detyruar të futet në borxhe financiare për të siguruar një litër vaj, disa kilogramë miell dhe ndonjë produkt të shpallur si “i limituar” nga tregatrët abuzivë kosovarë. Ndërsa kontrollet e ushtruara nga institucionet kompetente të vendit pas shfrenimeve të egra çmimesh, dëshmuan për të gjitha këto keqpërdorime, që vazhduan të ndodhin, edhe gjatë tërë 2024-tës, duke e vendosur konsumatorin e këtij vendi në pozita të palakmueshme, në gjendje ankthi, shqetësimi dhe tronditjeje serioze.
Në gjithë këtë kaos dhe trishtim të krijuar nga çmimet enorme të ngritura, shumëkush vazhdon të thotë se çka ka pasur mundësi të bëjë shteti dhe institucionet e tij në këto rrethana, kur Kosova është shtet demokratik kapitalist me rregullim shoqëror ku duhet të vlejë edhe te tregtimi parimi i ofertës dhe kërkesës dhe kur shteti nuk ka të drejtën që të “përzihet” as të diktojë trendet e ecurive të çmimeve. Por, sa për ta përkujtuar: edhe Australia është shtet kapitalist, me demokraci të dëshmuar, por kur është në pyetje abuzimi i tregtarëve me çmimet, nuk të falë, madje reagon edhe kryeministri, siç u pa në tekstin e mësipërm të huazuar. Dhe jo vetëm në Australi, por në asnjë vend demokratik të botës nuk lejohet kaosi dhe anarkia në ecuritë e çmimeve. Nuk lejohet, askund në botë rrezikimi i ekuilibrit social të shtetit. Për këtë janë krijuar edhe te ne, organizma-institucione që do të duhej dhe janë të obliguar ligjërisht për ta ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend.
Kosova, pra, nuk është që nuk i pati këto institucione, por këto organizma, thënë më së buti, kanë dështuar në shumicën e rasteve të përmbushin misionin e tyre. Nuk ka bërë asgjë as Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që sipas Ligjit për BQK-në, objektiva e dytë e këtij institucioni është ruajtja e stabilitetit të çmimeve, por, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, BQK-ja nuk ka bërë asgjë në ruajten e stabilitetit të çmimeve. Nuk ka bërë asgjë thuaja për të ndaluar kaosin dhe anarkinë në ecuritë e çmimeve në Kosovë as Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, as ministrja Rozeta Hajdari, as Artane Rizvanolli, as Qeveria e Kosovës si tërësi institucionale, as OJQ-të – jo të pakta që kinse merren me këtë problem. Dhe, këtë neglizhencë totale dhe mospërfilljen institucionale e shfrytëzuan tregtarët abuzues dhe mashtruesit, të cilët vazhdojnë ta shfrytëzojnë edhe më tej. Në Kosovë, vazhdojnë, pra, të ndodhin edhe abuzimet me tregtim të produkteve me afate të skaduara, me ndryshim të çmimeve në rafte nga ato në arkë, me mosdhënie të faturave, me çmimet e ulura të rrejshme në të ashtuquajturat çmime “aksion”, si dhe me ujet e çmimeve sezonale. Prandaj, nuk mund të krahasohet Kosova me Australinë. Dallimi është mbase edhe përtej largësisë gjeografike të Australisë. /Buletini Ekonomik/