Edhe Kosova duhet t’i ketë publike çmimet dhe ofertat e energjisë gjatë përzgjedhjes së furnizuesit

Po të ekzistonte obligimi edhe në Kosovë për furnizuesin me energji elektrike (publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar), që do të thotë një proces më transparent i tregtimit të rrymës, do të reduktoheshin shumë mundësitë për keqpërdorime eventuale të shitëblerjes së rrymës. Duhet të mendohet dhe të vendoset shpejtë që bizneset, shpenzuese potenciale të rrymës (ato, që rëndom janë të lidhura në tensionin 10kV), edhe në Kosovë të dalin në tregun e lirë të energjisë.

Buletini Ekonomik

Një vendim i miratuar këto ditë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri, obligon të gjithë furnizuesit e energjisë elektrike “për të publikuar ofertat e tyre në Platformën e Krahasimit të Çmimeve, të ngritur nga Enti Rregullator i Energjisë. Po kështu, me këtë vendim kërkohet jo vetëm publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar, duke filluar nga data 02.12.2024.

Reklama e sponzorizuar

Detyrimi për publikimin e ofertave vjen në një kohë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se nga 1 janari i vitit që vjen, rreth 2600 biznese që janë të lidhur në tensionin 10 kV do të dalin në tregun e lirë të energjisë, duke zgjedhur vetë furnizuesin e tyre. Ky njoftim, siç njoftojnë mediet shqiptare, pasoi atë të vitit të kaluar me liberalizimin e rreth 2100 bizneseve të lidhur në tensionin 20 kV, ndërsa më herët u shkëputën edhe bizneset e lidhur në tensionin 35 kV.

Edhe platforma e ERE është ngritur në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, për të mundësuar marrjen e një informacioni nga ana e klientëve lidhur me çmimet e energjisë elektrike të ofruar nga ana e furnizuesve të ndryshëm. Qëllimi kryesor i miratimit të një vendimi të këtillë ishte siç thuhet, pikërisht të ndihmojë klientët në zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike në mënyrë transparente, duke iu mundësuar bizneseve të krahasojnë ofertat e mundshme nga furnizuesit me pakicë të energjisë elektrike.

Edhe pse Kosova ka specifika dhe ndryshime rreth organizimit të furnizimit me energji elektrike (struktura dhe hierrarhi që dallojnë pak a shumë nga ato të Shqipërisë dhe mungesës së më shumë furnizuesve me energji elektrike), përkatësisht blerjes dhe sigurimit të energjisë elektrike në tregjet dhe bursat ndërkombëtare, është më se e udhës të përqafojë një përvojë të këtillë për të ndihmuar në zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike në mënyrë transparente, dhe duke iu mundësuar të krahasojnë ofertat e mundshme nga furnizuesit me pakicë të energjisë elektrike.

Edhe në Kosovë, doemos duhet të mendohet dhe të vendoset shpejtë që bizneset, shpenzuese potenciale të rrymës (ato, që rëndom janë të lidhura në tensionin 10kV), të dalin në tregun e lirë të energjisë.

Ndërkohë, po të ekzistonte obligimi edhe në Kosovë për furnizuesin me energji elektrike (publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar), që do të thotë një proces më transparent i tregtimit të rrymës, do të reduktoheshin shumë mundësitë për keqpërdorime eventuale të shitblerjes së rrymës.

Krahasimi i ofertave të mundshme, dhe në këtë mënyrë, gjithmonë përzgjedhja e ofertave më të favorshme, është procesi më i ligjshëm dhe më demokratik në të gjitha vendet normale, prandaj pse mos të bëhet edhe në vendin tonë.

Në Kosovë, siç dihet, praktikisht që nga viti 2013 ekziston vetëm një furnizues me energji elektrike dhe ky është KEDS-KESCO, kompani turke e cila ka privatizuar ish – Elektrokosovën, që ishte ndërmarrja, po kështu e vetme e distribuimit të energjisë elektrike deri më 2013. KEDS-KESCO, ende praktikisht, si kompani e vetme për furnizim të konsumit të Kosovës ka edhe monopol të furnizimit. Ndërsa, transparenca rreth tregtimit të energjisë elektrike nga kompania turke nuk ka qenë gjithmonë karaketeristikë e aplikueshme. Prandaj, publikimi i çmimeve, por edhe përcaktimi i afateve të vlefshmërisë për çdo ofertë të publikuar me rastin e importit të rrymës në mungesë të energjisë së bollshme nga kapacitetet vetanake edhe nga kompania private KEDS-KESCO, do të krijonte favore edhe për vet kompaninë, por nëpërmjet bërjes transperente do të bëhej më e pranueshme nga opinioni. /Buletini Ekonomik/