Mandarinat nga Shqipëria me mbetje të pesticideve të rrezikshme, AUV ngrit masat e kontrollit

Mandarinat me origjinë nga Shqipëria, kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet.

Kështu ka bërë të ditur Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF). Këto substanca, të ndaluara për përdorim në Bashkimin Evropian, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin e njeriut.

Lidhur me këtë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë bërë të ditur për Telegrafin se janë duke e monitoruar situatën e njoftimeve të dërguara nga RASFF për vendet e tjera për gjetje të prezencës se pesticideve mbi nivelet e lejuara në produktin mandarina (  mandarina/ clemantina te fërkata),  me orgjinë nga Shqipëria.

Reklama e sponzorizuar

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi theksoi se AUV ka ngritur masat e nivelit të kontrollit.

“AUV nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë. Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me këtë produkt, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik me qëllim testimi/përcaktimi të nivelit të mbetjeve në pesticide përfshihet ( lloji parametri i dyshuar për testim ( MRL) në  Chlorpyrifos dhe  phosmet). Ngarkesat qëndrojnë në Pikë Kontrollet Kufitare deri në rezultat te analizave laboratorike”, tha Thaçi.

Ai shtoi se përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjnë me qëllim të eliminimit të dyshimeve të ngritura.

“Synim kryesorë të punës tonë, që buron edhe nga mandati ligjorë kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve konsumator. Deri më tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi këtë produkt. Jemi në kontakt me autoritete shqiptare në shkëmbim të informacioneve mbi secilën risi që ndodh në gjetjet eventuale në produkte. Mbrojtja e konsumatorëve  bëhet pa dallim”, ka thënë Thaçi.

Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë ka bërë të ditur se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina ‘Clementine’, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. /Telegrafi/