Tash e sa vjet, në periudhat me temperatura të ulëta dhe me ditë të acarta siç janë këto të muajit shkurt të këtij viti, ose në shumicën e stinëve të dimrit, Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme të prodhuar nga termocentralet ekzistuese të “mplakura” për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit të vendit. Kosova pati mungesë të rrymës edhe në fund të dhjetorit 2024, dhe sidomos gjatë janarit dhe në 20 ditët e shkuara të shkurtit (2025), në kushtet e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik
Gjatë, thuaja, të gjitha ditëve të vitit 2025, nga kapacitetet ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë (termocentralet Kosova A dhe Kosova B), kanë funksionuar praktikisht dy njësitë e termocentrakit Kosova B dhe dy të tjera të Kosovës A. Edhe të mërkurën dhe të enjtën në prodhim kanë qenë këto njësi të prodhimit të rrymës, ka thënë për Buletinin Ekonomik, Skender Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke njoftuar se nga stabilimentet prodhuese të KEK-ut gjatë janarit dhe 20 ditëve të shkuara të shkurtit, megjithë vjetërsinë e tyre, janë prodhuar në vazhdimsi diku nga 750 deri 780 megavatë-orë energji elektrike.
Kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe dy blloqe e Kosovës A( A4 dhe A5), janë të ditura. Këto ‘fabrika” të stërvjetruara të rrymës mund të prodhojnë siç u tha më lartë, maksimalisht 780 megavatë. Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavat-orë.
Në anën tjetër, Kosova A, në dy-tre vjetët e fundit ka operuar me dy blloqe (në të shumtën me A3 dhe me A5, së fundi me A4 dhe A5. Njëri bllok i Kosovës A, pra, në të shumtën ka qenë jashtë prodhimit edhe kur ka qenë teknikisht i gatshëm për të prodhuar). Dy blloqet e aktivizuara të termocentraleve Kosova A, kanë kapacitet bashkarisht diku 260 megavatësh, ose secila nga 130. Në KEK, theksojnë se njëri bllok i termocentraleve Kosova A, lihet në vazhdimsi si rezervë e domosdoshme në rast të ndonjë defekti të papritur në stabilimentet e blloqeve të tjera aktive.
Sasisë të energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet tona, duhet shtuar edhe dhjetëra megavat-orë të energjisë së rinovueshme, nëse do të kishte erë dhe ujë të mjaftueshëm në rrjedhat e lumenjve ku tashmë janë disa minihidrocentrale. Sasia e energjisë së gjelbër në vendin tonë edhe në këtë dimër është prodhuar nga parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatësh dhe në atë të Kitkës së Kamenicës (30-40 megavatë) dhe nga disa minihidrocentrale me kapacitete modeste, që janë në operim në vendin tonë.
Dihet, po kështu, tash e sa kohë, se në periudhat me temperatura të ulëta dhe me të ditë të acarta siç janë këto të muajit shkurt të këtij viti, ose në shumicën e stinëve të dimrit, Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme nga termocentralet ekzistuese të “mplakura” për të përmbushur nevojat në rritje të konsumit të vendit. Kosova edhe në fund të dhjetorit 2024, dhe sidomos gjatë janarit dhe në 20 ditët e shkuara të shkurtit (2025), në kushtet e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike (në ditë të caktuara gjatë pikut konsumi në orët e pikut ka arritur deri në 1300 megavatë-orë) pati mungesë të rrymës dhe kjo mungesë, kushtimisht është kompenzuar me import të madh të rrymës për rrethanat financiare të Kosovës dhe me reduktime të ashpra, sidomos në shumë vendbanime rurale.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-së ka thënë për Buletinin Ekonomik se konsumi mesatar ditor gjatë janarit 2025 ka arritur në mbi 24 mijë megavatë-orë, ndësa në orët e pikut, që është kulmi i konsumit të energjisë elektrike, konsumi ka arritur deri në 1300 megavatë. Për ta kompenzuar mungesën e rrymës, zëdhënësja e KESCO-s ka thënë se janë importuar gjatë janarit të sivjetshëm diku rreth 37 milionë euro energji elektrike. Këtë shifër mjetesh të shpenzuara për import të rrymës, sipas zyrtarëve të KESCO-s, e kontestojnë dhe e bëjnë të diskutueshëm ekspertë dhe zyrtarë të tjerë të KEK-ut, të cilët kërkojnë të mbeten anonim. Sipas tyre, shuma e mjeteve të importit të energjisë elektrike në janar është ndjeshëm më e vogël.
Sipas Margarita Rashitit, edhe në ditët e shkuara të shkurtit 2025, konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, pak a shumë, ka qenë si gjatë ditëve të janarit. Sipas zyrtarës së KESKO-s, në javën e parë të shkurtit, konsumi mesatar ditor i rrymës në vend ka qenë saktësisht 22 mijë megavatë-orë, dhe në këto ditë është importuar rrymë në vlerë 6.2 milionë euro./Buletini Ekonomik/