Ringritja e çmimeve të energjisë elektrike sivjet, pas ngritjes së ndodhur në prill (mbi 16 për qind) është e jashtëligjshme, e jologjikshme ekonomikisht dhe kërcënim i njëmendtë i rrënimit total të paqes sociale në këtë vend.
Buletini Ekonomik
Zyrtarë të KESCO-s kanë thënë për medien e vendit se konsumi i energjisë elektrike për këtë vit, është rritur për 8%. Edhe nga ZRrE kanë bërë të ditur se tek një kategori e madhe e konsumatorëve ka rritje të konsumit si dhe janë tejkaluar parashikimet e kostos së importit.
“Për rreth 8% më shumë, qytetarët kanë shpenzuar energji elektrike këtë vit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Me rënien e temperaturave, pritet që të rritet edhe më shumë konsumi, e bashkë me të edhe faturat t’u vinë qytetarëve më të larta”, kanë thënë zyrtarët e KESCO-s, pa saktësuar se sa ka qenë deri më tani konsumi i rrymës në vend, sa kilovatë-orë, ose mregavatë-orë janë shpenzuar më shumë se në vitin e kaluar.
Ndërsa, zyrtarët e KESCO-s kanë alarmuar se “vetëm për 11 ditët e para të shtatorit, kanë importuar mbi 1 mijë e 100 Mw energji elektrike”, sado që kjo sasi e rrymës, në mungesë të prodhimit të bollshëm në termocentralet e KEK-ut, nuk është edhe aq e madhe dhe nuk ka ndonjë kosto të papërballushme.
Ndërkohë, kryetari i bordit të ZRRE-së, në sinkron me alarmimet e KESCO-s dhe i njoftuar detajisht që në dimrin e pritshëm nuk do të ketë energji elektrike të mjaftueshme nga prodhimi vendor, nuk e ka përjashtuar mundësinë e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike edhe para afatit të procesit të përshtatjes së të hyrave maksimale për vitin 2026, që do të duhej të fillonte në dhjetor 2025 dhe të përfundonte në mars 2026, gjatë të cilës periudhë përcaktohen tarifat e energjisë elektrike për periudhën 1 prill 2026 – 31 mars 2027.
Edhe nga ZRrE, njësoj sikundër edhe nga KESCO, kanë bërë të ditur se “tek një kategori e madhe e konsumatorëve ka rritje të konsumit si dhe janë tejkaluar parashikimet e kostos së importit. Ky proces ende nuk ka filluar në KOSTT, dhe KOSTT nuk ka informata se cili do të jetë vendimi i ZRrE-së sa i përket tarifave finale. Tarifat e KOSTT-it përbëjnë vetëm një pjesë të tarifave të konsumatorit përfundimtar, andaj nuk posedojnë informatat e nevojshme për këto pyetje”, kanë thënë për medie nga KOSTT.
Ritjen e konsumit të Kosovës, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe shumë ekspertë të kësaj fushe, e shohin te rritja enorme e përdorimit të pajisjeve eficiente të ngrohjes dhe të freskimit të ambienteve të banimit në Kosovë. Ndërsa dihet se Qeveria e Kosovës disa herë ka subvencionuar qytetarët në blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje dhe ftohje, në mënyrë që të kursehet energjia elektrike. Pra ndodhi e kundërta e parashikimeve të subvencionimit të qindra konsumatorëve nga Qeveria për t’u pajisur me pajisje efiçiente.
Ndërkohë, një raport i auditimit i bërë publik sot i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” për periudhën 2017-2024”, ka identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhueseve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit, po ashtu Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të vendosur para vitit 2020”, thuhet në njoftim.
Më tej, thuhet se auditimi ka evidentuar mangësi gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhuesve të energjisë së ripërtërishme nga KOSTT. Sipas këtij njoftimi, nuk ishin siguruar garancitë financiare për furnizuesit dhe as për prodhuesit e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në procesin e shitblerjes së kësaj energjie është identifikuar nivel i lartë i jo balancave, gjithashtu nuk kishte mekanizma efektiv për minimizimin e këtyre jo balancave, të cilat shkaktojnë kosto shtesë për Fondin; KOSTT nuk ishte efikas në inkasimin e të hyrave në Fond; si dhe Inkasimet nga furnizuesit kishin vonesa deri në 7 muaj dhe vlera totale e obligimeve ishte 20 milionë euro.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se institucionet përgjegjëse nuk ishin efikase në arritjen e caqeve të vendosura për vitin 2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë (era, dielli dhe uji). Po ashtu skemat mbështetëse të hartuara për këtë qëllim, nuk kanë arritur të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre caqeve. Sidoqoftë, po del të jetë goxha i dështuar përdorimi i pajisjeve efiçiente-të kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera për ngrohje dhe ftohje, i aplikuar për të ulur shpenzimin e rrymës, por që ka shtuar konsumin ndjeshëm në vend të uljes së tij.
Kompetentët, ata që kanë ndërmarrë iniciativën dhe vendimin për financuar përdoruesit e pajisjeve gjoja efiçiente, me gjasë nuk kanë qenë të njoftuar për studimet e shumta nga institute të njohura ndërkombëtare ku deri në detaje njoftohet se të pasurit e një kondicioneri rrit mesatarisht konsumin e energjisë elektrike të një familjeje me 36–37%, me kulme deri në 57% në rajonet më të nxehta.
Instalimi i një kondicioneri në banesa sjell një rritje mesatare të konsumit të energjisë elektrike prej 36%, sipas modeleve më të sakta. Një studim i fundit ndërkombëtar – Universiteti Ca’ Foscari i Venecias, së bashku me studiues të tjerë të Qendrës Euro-Mesdhetare për Ndryshimet Klimatike (CMÇ), IIASA, ifo Institute dhe Universitetit të Bostonit, analizon se si përdorimi dhe përhapja e kondicionerëve po ndikon në konsumin e energjisë elektrike nëpër banesa në mbarë botën. Në ditë veçanërisht të nxehta, kur temperaturat tejkalojnë mesataret sezonale dhe treguesi i “Cooling Degree Days” (një indikator klimatik që vlerëson nevojën për energji për ftohjen e ndërtesave gjatë stinës së nxehtë) është i lartë, kjo rritje mund të arrijë deri në 57%.
Me fjalë të tjera, kondicionerët janë të nevojshëm dhe të domosdoshëm në vendet që kanë energji elektrike të bollshme, ndërsa në vendet si Kosova, pavarësisht nevojave për këto pajisje, është deshtë të mendohet shumë për instalimin e tyre për shkak të mungesës së madhe të rrymës nga burimet prodhuese vendore. Dhe kjo po dëshmohet saktësisht tani me ngritjen e konsumit të rrymës shi nga pajisjet efiçiente- kondicionerët e përdorur suksevishst në rritje nga konsumatorët e shumtë kosovarë.
Sa i përket mundësisë së paralajmëruar nga ZRRE-ja të shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike edhe para afatit të procesit të përshtatjes së të hyrave maksimale për vitin 2026, që do të duhej të fillonte në dhjetor 2025 dhe të përfundonte në mars 2026, gjatë të cilës periudhë përcaktohen tarifat e energjisë elektrike për periudhën 1 prill 2026 – 31 mars 2027, duhet ngritur zërin të gjithë kundër këtyre paralajmërimeve. Ritja e çmimet të energjisë elektrike sivjet, pas ngritjes së ndodhur në prill (mbi 16 për qind) është e jashtëligjshme, e jologjikshme dhe kërcënim i njëmendtë i rrënimit total të paqes sociale në këtë vend. Këto fakte duhet t’i ketë domosdo parasysh edhe KESCO, edhe ZRRE-ja, edhe KOSTT-i dhe mos të manipulojnë me kërkesa të kamufluara për rritje të reja çmimesh të rrymës, gjoja për rrjedhojë të rritjes së shpenzimit të rrymës. Edhe ashtu, çmimi aktual i rrymës në Kosovë është shumë i lartë dhe ka cënuar në masë të ndjeshme mirëqenien e kosovarëve. Ngritjet eventuale të reja të çmimit të rrymës do të rrënojnë për tokë padyshim mbijetesën e qytetarëve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/











