Hulumtimi i Buletinit Ekonomik, reagon deputetja Bajrami: “Qytetarët e Kosovës po vidhen çdo ditë përmes tarifave të energjisë”

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj sistemit të faturimit të energjisë elektrike në vend, duke e cilësuar atë si “hajninë më të madhe që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka akuzuar institucionet përgjegjëse se po lejojnë vjedhjen e qytetarëve në baza të përditshme.

Sipas saj, çdo konsumator në Kosovë po përballet me tarifa të padrejta të energjisë, të cilat po rëndojnë buxhetin familjar pa asnjë transparencë.

Reklama e sponzorizuar

“Po vidhen 24 orë në ditë, 7 ditë në javë secili qytetar i vendit,” ka shkruar Bajrami, duke paralajmëruar se çështja do të trajtohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e saj, Bajrami është mbështetur edhe në shkrimin e Buletinit Ekonomik, i bazuar në të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Raporti tregon se tarifa për Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) është rritur ndjeshëm – nga 0.73 euro në 3.14 euro për megavat/orë që nga viti 2023, një rritje gati katërfish.

Hulumtimi i plotë i Buletinit Ekonomik që i referohet Bajrami:

Dështimi i ZRrE-së e KOSTT-it në mbikëqyrje katërfishoi tarifën e BRE-ve për konsumatorët e rrymës

Bajrami ka theksuar se kjo rritje është rezultat i “dështimeve të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e fondit”, si dhe favoreve të mundshme ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme, duke e vendosur barrën financiare te qytetarët.

Ajo ka akuzuar gjithashtu ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeministrin Albin Kurti, për, siç tha, “bekimin e kësaj vjedhjeje”. “Militanta, a po e cilësojmë patriotizëm edhe këtë?”, është shprehur Bajrami.

Deputetja ka kërkuar nga opozita, mediat dhe shoqëria civile që të angazhohen për të zbardhur keqpërdorimet në sektorin e energjisë, duke theksuar se përballja me këtë “skandal” është e domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik. /Buletini Ekonomik/