Kosova pranohet si anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Evropiane të Certifikatave të Origjinës (AIB)

Kosova është zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e Shoqatës së Entiteteve Lëshuese të Certifikatave të Origjinës (AIB), pas miratimit të kërkesës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur më 26 nëntor 2025 në Lisbonë, Portugali.

Me anëtarësimin në AIB, Kosova adopton Sistemin Evropian të Certifikatave të Energjisë (EECS), duke mundësuar që Garancitë e Origjinës të lëshuara në vend të njihen në të gjithë Evropën. Ky hap rrit transparencën, besueshmërinë dhe efikasitetin e tregtisë ndërkufitare të energjisë së ripërtëritshme, njëkohësisht duke hapur mundësi të reja për investime në sektorin energjetik të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Delegacioni i ZRrE-së, i përbërë nga kryesuesi i Bordit, z. Ymer Fejzullahu, dhe znj. Lindita Daija nga LuxDev Kosova, mori pjesë në Asamble, duke finalizuar një proces të gjatë punë, që përfshinte funksionalizimin e platformës për lëshimin e Certifikatave të Origjinës dhe bashkëpunimin me institucionet suedeze në fillim të muajit nëntor.

Fejzullahu e cilësoi anëtarësimin si “arritje historike” që forcon kapacitetet institucionale të vendit dhe e pozicionon Kosovën si partner të besueshëm në tregun evropian të energjisë. Ky zhvillim është mbështetur nga projekti “Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike” i LuxDev, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut.