INDEP kritikon ZRRE-në për mungesë transparence dhe ndryshime tarifore gjatë sezonit të ngrohjes

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar duke shprehur shqetësim serioz lidhur me mënyrën se si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara dhe tarifat e energjisë termike për sezonin 2025/2026, pa një proces të plotë konsultimi publik dhe pa publikimin e dokumenteve shoqëruese.

Sipas INDEP-it, vendimet janë marrë më 30 dhjetor 2025, në prag të festave të fundvitit, ndërkohë që deri më tani nuk janë publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së. Kjo situatë, sipas institutit, ua pamundëson konsumatorëve, shoqërisë civile dhe palëve të interesit që të bëjnë një shqyrtim të pavarur të vendimeve rregullatore.

INDEP thekson se në vitet e kaluara ZRRE ka ndjekur një praktikë të konsoliduar të transparencës, duke publikuar vendimet tarifore, raportet rregullative për përcaktimin e tyre, vendimet për të hyrat maksimale të lejuara si dhe aplikacionet tarifore të ndërmarrjeve të ngrohjes. Për sezonin 2024/2025, këto dokumente kanë qenë publikisht të qasshme për ndërmarrjet NQ Termokos dhe NQ Gjakova, përfshirë edhe draft-raportet përkatëse. Mungesa e dokumentacionit për sezonin aktual, sipas INDEP-it, paraqet një regres të dukshëm në aspektin e transparencës.

Reklama e sponzorizuar

Instituti rikujton se Rregulla ZRRE Nr. 01/2022 obligon që çdo ndryshim tarifor në prodhim, shpërndarje dhe furnizim të energjisë termike t’i nënshtrohet konsultimit publik, si dhe kërkon publikimin e dokumenteve relevante dhe zhvillimin e konsultimeve me palët e interesit. Mospërmbushja e këtyre detyrimeve, sipas INDEP-it, bie ndesh edhe me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe rrezikon legjitimitetin e vendimmarrjes në një sektor që funksionon si monopol natyror.

Po ashtu, ndryshimi i tarifave në mes të sezonit të ngrohjes, pa njoftim dhe pa arsyetim publik, krijon pasiguri për familjet dhe bizneset dhe vështirëson planifikimin financiar të tyre. Edhe në rastet kur disa komponentë tariforë mund të pësojnë ulje, mungesa e transparencës rrit rrezikun për keqkuptime në faturim.

Në fund, INDEP i bën thirrje ZRRE-së që të publikojë pa vonesë të gjithë dokumentacionin përkatës, të zhvillojë konsultim publik substancial dhe të rishikojë praktikën e ndryshimeve tarifore gjatë sezonit të ngrohjes, me qëllim të mbrojtjes së interesit të konsumatorëve dhe forcimit të besimit në procesin rregullator.