Alarmi i KOSTT-it për devijimet: Lajmërohet KESCO, thotë së po përballet me kufizim të ‘kapaciteteve ndërkufitare’

KESCO
KESCO

Pas një njoftimi për media nga KOSTT, ku alarmoi se Kosova po rrezikon marrëveshjen me ENTSO, për shkak të devijimeve në rrjetin interkonektiv evropian të shkaktuara nga KESCO, kjo e fundit ka reaguar përmes një komunikate për media.

Në njoftimin e mbrëmshëm, KOSTT alarmoi se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, sot (13 janar 2026) dhe nesër (14 janar 2026), Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MË.

Sipas KOSTT, “këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”.

Në anën tjetër, përmes një reagimi për media, KESCO është arsyetuar se gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.

“Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas KESCO-s, Furnizuesi ka vepruar dhe vazhdon të veprojë me përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për mbulimin e nominimeve të energjisë elektrike, si përmes kontratave bilaterale, ashtu edhe përmes tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. “Megjithatë, për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë”.

Gjithashtu, sipas KESCO-s, duhet theksuar se tregu ALPEX, për shkak të likuiditetit të kufizuar në këto ditë me kërkesë të lartë, nuk ka ofruar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e plotë të nevojave vetëm përmes këtij mekanizmi tregtar.

“Në këtë kontekst, KESCO ndien obligim të informojë me transparencë konsumatorët për situatën reale dhe arsyet objektive që kanë çuar në aplikimin e kufizimeve me energji elektrike sipas nevojës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit elektroenergjetik.

KESCO mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, të bëjë çdo përpjekje për sigurimin e energjisë elektrike dhe për minimizimin e ndikimit te konsumatorët, duke i falënderuar ata për mirëkuptimin në këto rrethana të jashtëzakonshme”.

Ndryshe, mbrëmë në orët e vona, KOSTT, në një njoftim për media, alarmoi se KESCO është duke e rrezikuar marrëveshjen e Kosovës me ENTSO, që është mekanizmi evropian përgjegjës për balancim të rrjetit elektroenergjetik në nivel evropian.

Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020.

Por kjo marrëveshje me ENTSO po rrezikohet seriozisht nga nominimet gabim të energjisë elektrike nga operatori KESCO, sipas njoftimit të KOSTT. KESCO e nominon (parashikon) një ditë më herët në KOSTT energjinë bazuar në konsum. Nëse parashikimi është më i madh osë më i vogël se konsumi shkaktohen devijime në rrjet.

Për ditët 13 janar dhe 14 janar, nominimet nga KESCO ishin të gabuara deri në atë nivel, sa devijimet në orë të caktuara shkuan edhe mbi 200 MË. Kjo situatë e ekspozon Kosovën si vend problematik në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë. /Buletini Ekonomik/

KOSTT ngre alarmin: Nga devijimet e shkaktuara prej KESCO-s në rrjetin interkonektiv evropian, po rrezikohet marrëveshja e Kosovës me ENTSO