Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim, në bashkëpunim me Pikat Kombëtare të Kontaktit, ka publikuar Raportin mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programet e Bashkimit Evropian për vitin 2024, i cili paraqet progresin, rezultatet dhe sfidat kryesore të përfshirjes së Kosovës në programet evropiane.
Sipas raportit, pjesëmarrja e Kosovës në programet e BE-së ka shënuar rritje të qëndrueshme ndër vite, si në numrin e aplikimeve ashtu edhe në projektet e financuara. Vetëm në periudhën 2021–2024, Kosova ka siguruar rreth 13.3 milionë euro fonde nga programet e Bashkimit Evropian, shumë kjo që tejkalon ndjeshëm kontributin financiar të paguar nga vendi për pjesëmarrje në këto programe.
Raporti përfshin të dhëna nga programe të rëndësishme evropiane, përfshirë Erasmus+, Creative Europe, Horizon Europe, CERV – Fuqizimi i Pjesëmarrjes Qytetare dhe Barazisë, Digital Europe, Single Market Programme, si dhe programe të tjera sektoriale. Këto fonde kanë përfituar drejtpërdrejt institucione arsimore, organizata të shoqërisë civile, biznese, institucione publike dhe individë, duke kontribuar në zhvillimin institucional, inovacion, kulturë dhe shkëmbime ndërkombëtare.
Sipas të dhënave financiare të paraqitura në raport, përfitimet kanë shënuar rritje të vazhdueshme nga viti në vit: nga rreth 919 mijë euro në vitin 2021, në mbi 4 milionë euro në vitin 2022, rreth 4.36 milionë euro në vitin 2023, dhe afro 3.96 milionë euro në vitin 2024.

Megjithatë, raporti identifikon edhe disa sfida kryesore, përfshirë nevojën për forcim të kapaciteteve për aplikim, rritje të përfshirjes së sektorëve të ndryshëm, si dhe koordinim më të hershëm dhe më të strukturuar ndërinstitucional.
Në raport theksohet gjithashtu roli kyç i Pikave Kombëtare të Kontaktit, të cilat, përmes mbështetjes profesionale dhe këshillimit të vazhdueshëm për aplikuesit, kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e suksesit të Kosovës në programet e BE-së.
Sipas Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim, raporti dëshmon se investimi në koordinim, ekspertizë dhe bashkëpunim institucional sjell rezultate konkrete dhe rrit përfitimet e Kosovës nga programet e Bashkimit Evropian. /Buletini Ekonomik/









