Shfrytëzim i keq i “errësirës” institucionale nga kompanitë shërbyese publike

Që nga 1 janari 2026, kompanitë që furnizojnë qytetarët dhe bizneset e Kosovës me ujë kanë ngritur tejmase çmimet (ngritje deri në 40%), duke e çuar çmimin e ujit në stratosferë. Sot, edhe Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar qytetarët dhe bizneset e Prishtinës se ka filluar zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale.

Buletini Ekonomik


Mungesën e institucioneve dhe veprimeve të tyre, krahas tregtarëve manipulues, të njohur dhe të ditur tashmë për ngritje të egër çmimesh të shumicës së mallrave, e sidomos të atyre elementare ushqimore, po e shfrytëzojnë keq edhe kompanitë publike shërbyese anembanë Kosovës. Gjatë muajit të parë të këtij viti, ose saktësisht nga 1 janari 2026, kompanitë që furnizojnë qytetarët dhe bizneset e Kosovës me ujë kanë ngritur tejmase çmimet e këtij produkti esencial, duke e çuar çmimin e ujit në stratosferë. Më konkretisht, nga 1 janari i këtij viti është rritur çmimi i ujit për 30 dhe 40 për qind, pa asnjë paralajmërim paraprak dhe pa asnjë arsye të qëndrueshme për këtë ngritje enorme të çmimit.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, në javën e parë të janarit, Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit ka dhënë detaje lidhur me tarifat e faturave të ngritura të ujit për qytetarët dhe bizneset. Sipas Autoritetit të Rregullatorit për Shërbimet e Ujit, “për periudhën tarifore 2026-2028, do të ketë rritje të tarifave për konsumatorët shtëpiak dhe jo-shtëpiak”. Saktësisht, tarifat për amvisëri do të rriten për 39 për qind për metër kub (m³), ndërsa për konsumatorët jo-shtëpiak 29 për qind për m³.

Ngritjen e çmimit e arsyetojnë me ndryshimet ekonomike që kanë ndikuar në rritjen e kostos së furnizimit. Por Autoriteti i Rregullatorit për Shërbimet e Ujit, në njoftimin e tarifave me çmime të ngritura, nuk e apostrofon asnjë ndryshim të vetëm ekonomik që paska ndikuar për të dyfishuar thuajse çmimin e ujit.

Më kot kanë reaguar dhe kanë shprehur indinjatë qytetarët konsumatorë të ujit dhe KMDLNJ kundër çmimeve të ngritura të ujit.

“KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe i energjisë elektrike do të prodhojë efekte zinxhirore dhe për pasojë do të paguajmë fatura shumë më të larta për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë, si dhe për shërbime”. Por kjo vërejtje alarmuese e KMDLNJ has në vesh të shurdhër te Autoriteti dhe te institucionet kompetente, jo funksionale për shkak të vakumit institucional të krijuar tash e sa kohë në Kosovë.

KMDLNj ka bërë thirrje për reagim qytetar, duke ftuar protesta masive.
“KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë këto shtrenjtime duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, po del të jetë e paefektshme thirrja e KMDLNJ drejtuar partive politike për të mbrojtur interesin publik. Në fund, KMDLNj ka thirrur qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë këto shtrenjtime duke protestuar masivisht, duke paralajmëruar se mosreagimi do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale.

“Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet, ndërsa kjo gjendje në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut, duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentim bizneset”, ka thënë KMDLNJ në njoftimin për publikun.

Ndërkohë, tashmë kompanitë e furnizimit të qendrave komunale me ujë të pijshëm kanë nisur të shpërndajnë faturat për ujin e shpenzuar me çmime të ngritura, madje deri në 40 për qind.

Por nuk është ngritur çmimi vetëm i ujit. Sapo kosovarët janë sfiduar me çmime të reja të ujit, të ngritura 40 për qind, Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar sot (23 janar 2026) qytetarët dhe bizneset e Prishtinës nëpërmjet mediave se ka filluar zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale, në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor 2023 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës (Akt Nr. 90391).

Sipas dokumentit zyrtar të çmimores, tarifa për amvisëritë rezidente është përcaktuar në 5.56 euro në muaj pa TVSH, respektivisht 6.20 euro në muaj me TVSH 8%, ndërsa për amvisëritë jorezidente tarifa vjetore arrin në 17.8 euro me TVSH.

Çmimorja parasheh tarifa të diferencuara edhe për bizneset, varësisht nga madhësia, zona dhe kostoja e shërbimit. Për dyqanet e vogla dhe bizneset artizanale, tarifa mujore në zonat urbane është 8.4 euro me TVSH, ndërsa në zonat rurale 6 euro me TVSH. Për bizneset e mesme dhe të mëdha, çmimet mujore në zonat urbane variojnë nga 15 euro deri në 30 euro me TVSH, në varësi të kostos së shërbimit, ndërsa në zonat rurale nga 8.4 deri në 18 euro me TVSH.

Ndërsa çmimet e ngritura të energjisë elektrike dhe paralajmërimet shantazhuese për çmime të reja të ngritura në fund të marsit janë çështje në vete, për çka Buletini Ekonomik ka njoftuar publikun deri në detaje.

Sidoqoftë, përpos reduktimeve të egra dhe problemeve të tjera të shkaktuara nga mungesa e energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet e vendit (termocentralet ekzistuese të KEK-ut), për çdo ditë kosovarët paralajmërohen se mund të përballen edhe me fatura më të shtrenjta. Duhet thënë se paralajmërime ogurzeza për ngritje të sërishme të çmimit të energjisë elektrike vijnë edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji, institucion që ka për obligim të mbrojë konsumatorët e vendit nga manipulimet me çmime të furnizuesit dhe të distributorit të energjisë elektrike. Dhe, njoftohet se deri sot (23 janar 2026) ka pasur afat për t’i propozuar tarifat. Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, tani për tani nuk dihet nëse do të ketë ngritje çmimesh të energjisë elektrike, dhe nëse ka, nuk dihet sa do të jetë ngritja e çmimit të rrymës.

Dhe gjithë ky “turr” për të ngritur çmimet për ujin, mbeturinat dhe energjinë elektrike, në këto kohë të mungesës së institucioneve qeverisëse dhe vendimmarrëse të vendit, dhe gjithë kjo ngecje evidente në kryerjen e punëve që kanë detyrë dhe obligim këta “gjuetarë” të mungesës së institucioneve në vend. Këto ditë, qëkur kanë filluar ngricat, nuk ka rrugë të kryeqytetit që nuk ka rrjedhje të ujit, nuk ka rrugë të Prishtinës që nuk është e “mbytur” dhe e vërshuar nga plehrat, ndërsa reduktimet brutale të energjisë elektrike janë bërë normalitet ndër kosovarët. /Buletini Ekonomik/