Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi mbrëmë rreth orës 20:25, si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet e sistemit gypor, në kuotën 10–15 metra.
Sipas KEK-ut, ndalja e njësisë është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të defekteve të mundshme dhe kryerjes së sanimeve të nevojshme.
Aktualisht, KEK vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike me katër njësi prodhuese funksionale: A3, A4, B1 dhe B2.
Nga korporata bëhet e ditur se në kushte të zakonshme operimi, KEK funksionon me katër njësi, ndërsa njësia e pestë angazhohet gjatë periudhave me kërkesë të shtuar për energji elektrike.
KEK thekson se gjatë vitit 2026 ka arritur të operojë njëkohësisht me pesë njësi prodhuese për më shumë se 25 ditë, konkretisht nga 1 deri më 8 janar dhe nga 15 janari deri më sot. Ky nivel operimi konsiderohet si arritja më e lartë operative e regjistruar që nga viti 2006, duke reflektuar stabilitet teknik, mirëmbajtje të avancuar dhe angazhim maksimal profesional. /Buletini Ekonomik/









