Shkëmbimet tregtare ndërmjet Francës dhe Kosovës arritën në 100 milionë euro më 2024 – 80 milionë ishin eksporte franceze

Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se partneriteti ekonomik ndërmjet dy vendeve po intensifikohet.

Në postimin e ambasadës thuhet se në vitin 2024, shkëmbimet tregtare ndërmjet Francës dhe Kosovës arritën në 100 milionë euro.

Nga kjo shifër, 80 milionë kanë qenë eksporte franceze në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo dinamikë është pjesë trajektores së intensifikimit të vazhdueshëm: 67 milionë euro është totali i investimeve të drejtpërdrejta franceze (2008–2023), me një rritje të dukshme që nga viti 2020; Rritje prej 33% e shkëmbimeve tregtare në periudhën 2020–2024”, thuhet në njoftim.

Ambasada ka thënë se Franca mbetet plotësisht e angazhuar për t’u ofruar përkrahje bizneseve, për të mbështetur investimet dhe për të forcuar partneritetet ndërmjet dy ekonomive.

Forcmin e shkëmbimeve ekonomike e ka përmendur edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në letër urimin që i dërgoi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë.

“Duke u mbështetur në vlerat tona të përbashkëta, në fusha po aq të ndryshme sa edhe thelbësore, si olimpizmi, frankofonia apo promovimi i të drejtave të grave, shpresoj që bashkëpunimi ynë të mund të zhvillohet në fusha kyçe për të ardhmen e Kosovës, përfshirë edhe përmes forcimit të shkëmbimeve tona ekonomike”, u tha ne letrën e Macron.