Shkalla e inflacionit në vend në fund të janarit prej 5,8 për qind është sa dy-trefishi i inflacionit në shtetet e rajonit. Maqedonia e Veriut ka regjistruar inflacionin në janar 2.9%, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi me 2.7%.
Buletini Ekonomik
Rekordet e këqija në sektorin e çmimeve në Kosovë rreshtohen hovshëm nga viti në vit, ndër muajt e një viti, por edhe nga java në javë, madje. Dy muajt e parë të vitit 2026 janë dëshmi e padiskutueshme e rritjes rekorde të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të produkteve të konsumit ditor. Natyrisht, rritja enorme dhe e egër e çmimeve në vend nxitë pastaj rritjen në përmasa shqetësuese të inflacionit.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit gjatë muajit janar shënuan rritje prej 5.8 për qind krahasuar me një vit më parë, dhe ç’është më keq, ngritja brutale dhe jashtë çdo logjike e çmimeve në vend nuk ka shenja që po ngadalësohet dhe të ndalet edhe në muajt dhe në javët në vijim.
Duhet thënë se në inflacionin e lartë në Kosovë, krahas ngritjes pa kontroll të çmimeve të produkteve të prodhuara në vend, ndikim njësoj të madh kanë edhe çmimet e ngritura në vazhdimësi të mallrave nga importi për shkak se Kosova ende është importuese e madhe e shumë produkteve, edhe sosh të ashtuquajtura të shportës. Duhet thënë se në nivelin kaq të madh të inflacionit në të gjithë muajt, që nga prilli i vitit 2025 deri në fund të janarit 2026, ka ndikuar në masë të madhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike rreth 17 për qind, që pati shtrirje ndikimi edhe në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve të tjera.
Praktikisht pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike vërshuan vrullshëm çmimet e ngritura në shumë sektorë të prodhimit dhe veprimtari shërbyese në vend. Në këtë mënyrë, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit shënoi në janar 2026 një normë vjetore inflacioni prej 5.8 për qind, ndërsa krahasuar me dhjetorin e kaluar, çmimet u ngritën edhe për 1.2 për qind brenda një muaji të vetëm. Biletat e fluturimeve janë shtrenjtuar me 50.4 për qind gjatë vitit, furnizimi me ujë dhe shërbime të lidhura me banimin me 44.4 për qind, lëndët djegëse të ngurta me 17.2 për qind, energjia elektrike me 16.7 për qind. Edhe frutat, mishi, kafja dhe produktet e qumështit kanë shënuar rritje dyshifrore.
Shkalla e inflacionit në vend në fund të janarit prej 5,8 për qind është sa dy-trefishi i inflacionit në shtetet e rajonit. Sipas të dhënave mujore të publikuara nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, inflacioni në janar 2026 rezulton të jetë në nivelin 2.3%, duke treguar një rritje të moderuar të nivelit të përgjithshëm të çmimeve në ekonomi gjatë nisjes së vitit. Ndërsa, të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë llogaritet rreth 2 për qind, që krahasuar me nivelin e inflacionit në Kosovë është thuaja se 3 herë më i ulët.
Kosova me shifrat e fundit të inflacionit të bëra publike nga ASK-ja radhitet ndër vendet me normën më të lartë të inflacionit në Europë. Para Kosovës, me shkallë më të lartë të inflacionit në janar të 2026-tës rangohet vetëm Rumania me 8,5, ndërsa ecuri inflacioniste më të ulët se Kosova kanë Gjeorgjia me 5.1%, Islanda me 4.4%, Sllovakia me 4.3% dhe Estonia me 3.8%.
Edhe krahasuar me disa nga vendet fqinje, Kosova del të ketë normë shumë më të lartë të inflacionit. Maqedonia e Veriut regjistron inflacionin në janar 2.9%, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi me 2.7%. Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara nga ASK-ja më 2025 dhe në fillim të këtij viti në Kosovë, që vlerësoheshin si shumë të larta, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, tashmë pas çmimeve të reja të fundit të disa produkteve ushqimore (një kilogram i mishit të viçit, bie fjala tani kushton nga 13 deri në 15 euro e përtej) nuk mund të shërbejnë si referencë të ecurive inflatore. Por, për kërcim të egër të çmimeve në vend flasin edhe shifrat e çmimeve të ekspozuara në minimarketet, marketetet dhe supermarketet e tregjet e tjera të vendit, të evidentuara nga reporterët e Buletinit Ekonomik.
Gjatë shkurtit të 2026 –tës kanë ndodhur ngritje të reja çmimesh, madje trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm. Në këtë fillim vit thjesht, çmimet në Kosovë realisht janë bërë atipike te shumë produkte ushqimore, duke shënuar rekorde të pamata karrshi të gjitha periudhave të deritashme të shtetit të Kosovës dhe si të tilla kanë arritur të bëhen ndër më të lartat, në rajon, Europë dhe përtej. Ndërsa sa do të jetë inflacioni në muajt në vazhdim me këtë trend ngritës çmimesh të shfrenuara, mbetet të shihet. /Buletini Ekonomik/









