Rritja e çmimeve në prag të Bajramit, Inspektorati del në terren për kontrolle intensive

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka njoftuar se ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës, i cili po vazhdon edhe gjatë kësaj jave në prag të festës së Bajramit.

Sipas njoftimit, ky aksion ka për qëllim verifikimin e çmimeve të produkteve, kontrollin e origjinës së tyre si dhe saktësinë e deklaracioneve të vendosura për konsumatorët.

Autoritetet kanë bërë të ditur se përmes këtyre kontrolleve synohet rritja e transparencës në treg dhe krijimi i një mjedisi të drejtë dhe të besueshëm për qytetarët.

Reklama e sponzorizuar

Inspektorati në njoftim theksoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat e padrejta tregtare dhe shkeljet e ligjit. Sipas njoftimit, ndaj operatorëve ekonomikë që janë gjetur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndëshkuese.

Ky institucion ka paralajmëruar se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve dhe funksionimin e rregullt të tregut.