Ministrja Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se është siguruar financimi i plotë për ndërtimin e një parku solar me kapacitet minimum 100 MW në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas ratifikimit të marrëveshjes së kredisë nga Kuvendi i Kosovës.
Financimi është siguruar përmes një marrëveshjeje me Bankën Evropiane për Investime, në kuadër të projektit “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
Sipas njoftimit, projekti aktualisht ndodhet në fazën e pajisjes me leje ndërtimore, ndërsa paralelisht po zhvillohet procesi i tenderimit, përkatësisht faza e parakualifikimit. Parashihet që kontrata për ndërtimin të nënshkruhet deri në fund të këtij viti, ndërsa punimet të nisin gjatë vitit të ardhshëm.
Objektivi është që parku solar të fillojë prodhimin e energjisë elektrike në vitin 2028.
Sipas ministrisë, ky investim konsiderohet i rëndësishëm për rritjen e sigurisë së furnizimit dhe pavarësisë energjetike të vendit, si dhe për modernizimin e KEK-ut. Projekti do të ndërtohet në një hapësirë të pashfrytëzuar të deponisë së hirit dhe pritet të prodhojë së paku 152 GWh energji në vit.
Gjithashtu, parku pritet të kontribuojë në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit me të paktën 140 mijë tonë në vit.
Rizvanolli ka falënderuar deputetët për miratimin e marrëveshjes, duke theksuar se procedurat e shpejta për marrëveshje ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. /Buletini Ekonomik/









