Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se është duke monitoruar në vazhdimësi shqetësimet e konsumatorëve lidhur me devijimet e mundshme të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
Në një komunikatë për publikun, ZRRE thekson se, në bashkëpunim me akterët relevantë, do të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar çdo dëm ndaj konsumatorëve dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent të matjes së energjisë.
Sipas ZRRE-së, në rastet e raportuara janë ndërmarrë veprime në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë kërkesat për zëvendësimin e njehsorëve elektrikë dhe korrigjime financiare bazuar në vlerësime teknike.
ZRrE bën të ditur se në shumicën e rasteve të verifikuara, matja e energjisë ka rezultuar e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht si rezultat i devijimeve në kohën tarifore. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë qenë në favor të konsumatorëve.
ZRrE rikujton se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara që operojnë sipas kornizës ligjore dhe se të hyrat e tyre përcaktohen nga rregullatori, duke kufizuar përfitimet nga gabimet e mundshme.
Në fund, ZRrE siguron se çdo gabim eventual do të ketë efekt të përkohshëm dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht, ndërsa moszbatimi i detyrimeve nga operatorët do të trajtohet sipas ligjit. /Buletini Ekonomik/











