Depozitat në bankat e Kosovës arrijnë rekord të ri prej 6.75 miliardë eurosh

Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve në bankat komerciale në Kosovë kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2026, duke arritur një nivel rekord prej 6 miliardë e 753 milionë euro në fund të muajit prill, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Raporti mbi rezervën e obliguar dhe likuiditetin bankar tregon se depozitat janë rritur lehtë krahasuar me muajin mars, kur kishin qenë në nivelin prej 6.74 miliardë euro. Ndërkohë, niveli më i lartë gjatë muajve të parë të vitit ishte regjistruar në shkurt, me 6.79 miliardë euro.

Reklama e sponzorizuar

Krahasuar me vitin paraprak, kursimet në sistemin bankar kanë shënuar rritje të ndjeshme. Në janar 2025 depozitat totale ishin rreth 5.79 miliardë euro, ndërsa deri në fund të dhjetorit 2025 kishin arritur në 6.48 miliardë euro.

Sipas raportit, bankat komerciale kanë ruajtur gjithashtu një nivel të lartë të rezervave financiare. Në prill 2026, asetet rezervë të bankave, përfshirë balancat në BQK dhe paranë e gatshme, arritën në rreth 840.3 milionë euro.

Prej kësaj shume, 681.4 milionë euro ishin të depozituara në Bankën Qendrore të Kosovës, ndërsa 158.9 milionë euro përfaqësonin para të gatshme të mbajtura nga bankat.

Të dhënat tregojnë se sektori bankar ka operuar mbi nivelin minimal të rezervës së obliguar. Në prill, bankat kishin rreth 164.9 milionë euro më shumë se minimumi i kërkuar ligjor.

Rezerva e obliguar është shuma minimale që bankat duhet ta mbajnë për të garantuar sigurinë financiare dhe përmbushjen e kërkesave të klientëve.

Ndërkohë, asetet e Bankës Qendrore të Kosovës në fund të prillit 2026 arritën në 1.90 miliardë euro, me rritje prej 38.02 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kurse, investimet në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit kapën vlerën prej rreth 1.38 miliardë euro, duke shënuar rritje mujore prej 19.12 milionë euro.

Po ashtu, asetet e rezervës ndërkombëtare u rritën në 1.48 miliardë euro në fund të prillit, ose 42.13 milionë euro më shumë se në muajin mars./Buletini Ekonomik/