Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të reja tregtare ndaj Serbisë, me synimin për mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun kosovar.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi sot se është iniciuar hetimi zyrtar për importin e farës së grurit nga Serbia, pas ankesave të prodhuesve vendorë për praktika të dyshuara dumping.
Sipas saj, analiza preliminare e realizuar nga institucionet përgjegjëse ka identifikuar indikacione se fara e grurit e importuar nga Serbia po tregtohet me çmime nën vlerën e tregut, duke shkaktuar dëme materiale për industrinë vendore. Hetimi do të mbështetet në të dhënat e Doganës së Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë dhe analizat e tregut për të vlerësuar nëse ekzistojnë praktika të padrejta tregtare.
“Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore të farës së grurit, të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor. Për këtë arsye, në përputhje me legjislacionin në fuqi, është vendosur inicimi i hetimit zyrtar për të vlerësuar ekzistencën e praktikave të dumpingut dhe ndikimin e tyre në industrinë vendore. Ajo është analizuar me shumë kujdes nga Departamenti i Tregtisë, duke ndjekur hapat e verifikimit paraprak të kërkesës, ashtu siç kërkohet me këtë ligj. Andaj, në përputhje me nenin 28 të këtij ligji, pas shqyrtimit të kërkesës nga Departamenti i Tregtisë dhe konsultimit me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, gjetjet e analizës preliminare tregojnë se ekzistojnë indikacione se importi i këtij produkti nga Serbia, përmes shitjes me çmime dumping dhe në sasi të konsiderueshme, si dhe me cilësi të dyshuar, po shkakton dëme materiale ndaj industrisë vendore të prodhimit të farës së grurit në Kosovë”, tha ministrja Kusari-Lila.
Kusari-Lila bëri të ditur se, në rast se gjatë hetimit konfirmohen dyshimet për dumping dhe dëmtimin e prodhuesve vendorë, do të ndërmerren masa të përkohshme anti-dumping në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Paralelisht, Ministria ka proceduar për miratim në Qeveri edhe një vendim për vendosjen e kufizimeve sasiore ndaj importeve të aluminit dhe produkteve prej alumini me origjinë nga Serbia.
Vendimi parasheh që importet e produkteve të kapitullit 76 të nomenklaturës doganore të kufizohen në 30 për qind të vëllimit të importeve të realizuara gjatë vitit 2025. Për periudhën deri më 31 dhjetor 2026, kuota e lejuar e importit do të jetë 637.26 ton.
Sipas propozimit, çdo import që tejkalon këtë kuotë do t’i nënshtrohet një tarife doganore prej 50 për qind. Autoritetet vlerësojnë se masa synon mbrojtjen e industrisë vendore, rivendosjen e kushteve të barabarta të konkurrencës dhe sigurimin e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas hyrjes në fuqi, zbatimi i vendimit do të monitorohet nga Dogana e Kosovës. /Buletini Ekonomik/









