Deri në 70 cent tarifa për tërheqje në bankomat, bankat shtrenjtojnë edhe shërbimet bazike

Klientët e bankave në Kosovë po përballen me tarifa më të larta edhe për shërbimet më bazike bankare, përfshirë tërheqjen e parave në bankomat, mirëmbajtjen e llogarisë, e-bankingun dhe kartelat bankare.

Tarifa për tërheqje në bankomat, që dikur ishte rreth 15 cent, sot në disa banka shkon nga 50 deri në 70 cent për çdo tërheqje. Kjo paraqet rritje të ndjeshme për një shërbim të përditshëm, të cilin e përdorin mijëra qytetarë.

Në përgjithësi, gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, disa banka në Kosovë kanë shtrenjtuar një pjesë të shërbimeve bankare. Në raste të caktuara, tarifat janë dyfishuar, e në disa të tjera janë rritur edhe më shumë.

Reklama e sponzorizuar

Për shembull, tarifa për tërheqje të parave në degë deri në vlerën 10 euro, në njërën nga bankat në vend, është rritur nga 2 në 4 euro. Po ashtu, mirëmbajtja mujore e shërbimit e-banking për individë, që më parë ishte falas, tashmë është bërë 0.50 euro. Ndërsa mirëmbajtja vjetore e kartelave Visa dhe Master është rritur nga 15 në 18 euro.

Një bankë tjetër ka rritur tarifën për SMS-njoftime për blerje online dhe kode verifikimi nga 0.10 në 0.20 euro. Në fillim të vitit, e njëjta bankë kishte rritur edhe normën e këmbimit për transaksionet me kartelë në valuta jo-euro nga 1 në 2 për qind.

Banka Qendrore e Kosovës, gjatë viteve 2024 dhe 2025, ka pranuar 17 ankesa lidhur me ndryshimet në çmimoret e bankave.

Në një deklarim të mëhershëm për media, BQK ka thënë se procesi i rishikimit të tarifave duhet të bazohet në metodologji të brendshme të bankave, të cilat janë subjekt i mbikëqyrjes sa i përket metodologjisë dhe publikimit të tyre. Sipas BQK-së, korniza rregullative është avancuar për të forcuar transparencën, konkurrencën dhe qasjen në financa, përfshirë edhe përmes institucioneve financiare jobankare me natyrë digjitale.

Megjithatë, rregullatori ka sqaruar se tarifat përcaktohen nga vetë bankat. Ato janë të obliguara t’i publikojnë në mënyrë transparente çmimoret dhe t’i njoftojnë klientët për çdo ndryshim.

Bankat komerciale kanë të drejtë të rrisin tarifat e shërbimeve në rastet kur ndryshojnë kostot e ofrimit të shërbimeve, kur realizojnë investime të reja ose kur bëhet fjalë për shërbime jo standarde.

Megjithatë, në mungesë të një arsyetimi të qartë publik nga bankat për këto rritje, mbetet e paqartë nëse shtrenjtimet e tarifave janë të arsyeshme dhe sa efektive është mbikëqyrja e Rregullatorit në mbrojtjen e klientëve.

/Buletini Ekonomik/