Gati gjysma e shteteve të BE-së kërkojnë pezullimin e rregullave për metanin

Njëmbëdhjetë shtete të Bashkimit Evropian po kërkojnë shtyrjen me të paktën tre vjet të zbatimit të disa dispozitave të Rregullores së BE-së për emetimet e metanit. Kërkesa vjen në një kohë kur vendet evropiane shprehin shqetësime se rregullat e reja mund të cenojnë sigurinë energjetike të kontinentit dhe furnizimin me gaz natyror.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë rumune të Energjisë, Cristian Bușoi, deklaroi se situata aktuale gjeopolitike – lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në tregjet globale të energjisë – kërkon një qasje më pragmatike ndaj zbatimit të rregullores.

Nisma udhëhiqet nga Çekia dhe Sllovakia dhe mbështetet nga Rumania, Austria, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Italia, Lituania, Holanda, Polonia dhe Suedia.

Këto vende argumentojnë se objektivi për uljen e emetimeve të metanit mbetet i rëndësishëm, por afatet aktuale të zbatimit janë tepër të shpejta dhe mund të krijojnë pasoja të padëshiruara për furnizimin me energji.

Metani është një gaz serrë shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. Gjatë 20 viteve të para, një kilogram metan ngroh atmosferën rreth 80 herë më shumë se një kilogram CO₂. Megjithatë, metani qëndron në atmosferë rreth 12 vjet, ndërsa CO₂ mund të mbetet për qindra vjet. Kjo do të thotë se metani ka ndikim shumë të madh në ngrohjen globale në afat të shkurtër, edhe pse qëndron më pak në atmosferë.

Çfarë parashikon rregullorja?

Rregullorja e BE-së për metanin, e miratuar në vitin 2024, vendos për herë të parë një kuadër të detyrueshëm për matjen e emetimeve të metanit; raportimin e tyre; verifikimin e të dhënave; monitorimin e emetimeve përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit me naftë, gaz dhe qymyr.

Nga 1 janari 2027, importuesit në BE do të duhet të sigurojnë që furnizuesit e tyre të respektojnë këto kërkesa ose standarde ekuivalente. Mosrespektimi mund të sjellë sanksione.

Pse kërkohet shtyrja?

Sipas vendeve nënshkruese, shumë eksportues të gazit dhe naftës jashtë BE-së nuk kanë ende sistemet teknike për të monitoruar dhe raportuar emetimet sipas standardeve evropiane.

Nëse rregullorja zbatohet pa periudhë shtesë tranzitore disa furnizues mund të heqin dorë nga tregu evropian; ngarkesat e gazit të lëngshëm (LNG) dhe naftës mund të orientohen drejt tregjeve të tjera; mund të kufizohet diversifikimi i furnizimit me energji; çmimet e energjisë për familjet dhe industrinë mund të rriten.

Sipas tyre, kjo do të ishte veçanërisht problematike në një periudhë kur Evropa po përpiqet të zëvendësojë gazin rus me burime alternative.

Aktualisht, kjo cështja është duke u diskutuar nga ministrat e Energjisë të BE-së, ndërsa Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e një periudhe tranzitore për zbatimin e rregullores. Megjithatë, Komisioni ka bërë të ditur se nuk synon të rihapë apo të ndryshojë vetë rregulloren, por vetëm të ofrojë udhëzime dhe rekomandime për zbatimin e saj. /economedia.ro/