AKB: Kosovarët shpenzojnë rreth 195 milionë euro në turizmin e Shqipërisë vetëm gjatë fundjavave të verës

Bregdeti i Shqipërisë

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë turistike të Shqipërisë. Sipas një studimi të publikuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), vetëm gjatë fundjavave të sezonit turistik maj–tetor 2026, kosovarët pritet të shpenzojnë rreth 195 milionë euro.

Studimi, i realizuar nga AKB në periudhën 28 maj – 28 qershor 2026, ka analizuar lëvizjen dhe shpenzimet e qytetarëve të Kosovës që vizitojnë Shqipërinë gjatë fundjavave të sezonit veror.

Sipas të dhënave, gjatë pesë fundjavëve të monitoruara, mesatarisht 25 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar fundjavën në Shqipëri.

AKB vlerëson se për një qëndrim prej dy deri në tre netësh, çdo vizitor nga Kosova shpenzon mesatarisht rreth 300 euro. Në këtë shumë përfshihen shpenzimet për akomodim në hotele ose apartamente, ushqim dhe pije, karburant, taksën rrugore, transport, argëtim dhe blerje.

Bazuar në këto të dhëna, vetëm gjatë një fundjave ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët e Kosovës.

Rreth 195 milionë euro gjatë sezonit turistik

Sipas llogaritjeve të AKB-së, gjatë gjithë sezonit turistik, nga 1 maji deri më 30 tetor, i cili përfshin 26 fundjava, shpenzimet e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri arrijnë në rreth 195 milionë euro.

Organizata thekson se kjo shifër nuk përfshin pushimet njëjavore ose më të gjata që shumë familje kosovare kalojnë në bregdetin shqiptar gjatë verës.

“Për këtë arsye, kontributi real financiar i qytetarëve të Kosovës në ekonominë turistike të Shqipërisë është edhe më i madh”, thuhet në studim.

Më shumë: 

AKB: Kredia e shtrenjtë po varfëron qytetarët

 

Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, këto të dhëna e konfirmojnë Kosovën si një nga tregjet më të rëndësishme për turizmin shqiptar.

Vizitorët nga Kosova ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave të sektorëve të hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe shërbimeve të tjera, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë e Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se studimi dëshmon rolin e rëndësishëm që kanë qytetarët e Kosovës në zhvillimin e turizmit shqiptar.

Sipas tij, rreth 195 milionë euro të shpenzuara vetëm gjatë fundjavave të sezonit maj–tetor përbëjnë një kontribut të konsiderueshëm për ekonominë e Shqipërisë.

Ai theksoi se ky bashkëpunim ekonomik duhet të shkojë përtej konsumit, duke u shoqëruar me politika të përbashkëta dhe investime strategjike.

AKB u bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të thellojnë bashkëpunimin në sektorin e turizmit përmes investimeve të përbashkëta, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe krijimit të paketave të përbashkëta turistike.