Shoqata e Qumështoreve kërkon ndalimin e vajit të palmës: Po dëmtohen fermerët dhe qytetarët

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke vlerësuar se kjo praktikë po ndikon negativisht në sektorin vendor të qumështit, në shëndetin e konsumatorëve dhe në efektivitetin e politikave mbështetëse për bujqësinë.

Përmes një reagimi publik, shoqata ka theksuar se përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur po kontribuon në vështirësimin e gjendjes së fermave vendore dhe po dëmton reputacionin e produkteve të Kosovës.

“Vaji i palmës duhet të ndalohet në fabrikat e përpunimit të qumështit. Vaji i palmës është duke i shkatërruar dhe mbyllur fermat vendore, është duke e dëmtuar shëndetin e konsumatorëve dhe duke i bërë të pavlefshme skemat e përkrahjes qeveritare”, thuhet në reagimin e tyre.

Të ngjashme:

Shoqata e Qumështoreve: Vendimi i ministrisë nuk e ndalon vajin e palmës, e legalizon atë

Sipas shoqatës, produktet që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur po ndikojnë negativisht edhe në perceptimin e konsumatorëve për prodhimet vendore.

“Prodhimet me vaj palme dhe qumësht pluhur janë duke e dëmtuar shumë rëndë edhe imazhin e prodhimeve vendore”, thuhet më tej në reagim.

Shoqata ka paraqitur edhe disa kërkesa për institucionet dhe industrinë e përpunimit të qumështit, duke kërkuar që grumbullimi i qumështit të fermerëve të bëhet në të gjithë territorin e Kosovës.

“Qumështi i fermerëve duhet të grumbullohet në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka kërkuar shoqata.

Po ashtu, ajo ka kërkuar rikthimin e çmimit të qumështit në nivelin e mëparshëm, ndërprerjen e reduktimeve të pajustifikuara dhe eliminimin e vonesave në pagesa ndaj fermerëve.

“Çmimi i qumështit të fermave të kthehet aty ku ka qenë. Reduktimet pa asnjë arsye madhore të marrin fund. Vonesat e pagesave të qumështit me 3 deri në 6 muaj të marrin fund”, ka bërë të ditur Shoqata e Qumështoreve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/