ATK paralajmëron bizneset: Faturat nga bizneset fiktive ose joaktive nuk njihen për qëllime tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar të gjitha bizneset se faturat dhe transaksionet e realizuara me biznese fiktive ose joaktive nuk njihen për qëllime tatimore.

Sipas njoftimit të ATK-së, këto transaksione nuk pranohen si shpenzime në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura dhe nuk njihen as për kreditim të zbritshëm të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

ATK u ka bërë thirrje bizneseve që, para se të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi, të verifikojnë statusin e partnerëve të tyre afaristë.

Sipas Administratës Tatimore, ky veprim është i domosdoshëm për të shmangur përfshirjen në transaksione të parregullta dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

Institucioni ka paralajmëruar gjithashtu se, në rast të identifikimit të transaksioneve fiktive, do të ndërmerren masat ligjore të parapara ndaj të dy palëve të përfshira në transaksion.

ATK thekson se respektimi i detyrimeve tatimore është përgjegjësi e përbashkët dhe se kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të drejtë, më transparente dhe më të qëndrueshme.